Zjarret në Athinë: Qeveria greke dyshon për zjarrvënie

Katastrofa e zjarreve pranë Athinës që i kushtoi jetën 83 vetëve ka gjasa të jetë shkaktuar nga zjarrvënia. Sipas të dhënave të qeverisë, ka të dhëna konkrete se zjarri u vu me qëllim.

Griechenland | Brände um Athen (Getty Images/AFP/A. Tzortzinis )

Në një kohë që vazhdon kërkimi për personat e humbur në shtëpitë e djegura, qeveria greke ka shprehur dyshimin konkret, se si mund të ketë shpërthyer zjarri. Sipas saj bëhet fjalë për zjarrvënie. “Ka të dhëna, që na bëjnë të shkojmë tek ky qëndrim”, tha zëvendësministri për Mbrojtjen e Qytetarit dhe Rendin Publik, Nikos Toskas.

Kërkimi i shkaqeve

Në pamjet satelitore vihet re se në perëndim të Athinës, brenda një kohe shumë të shkurtër përgjatë një rruge shpërthyen disa zjarre, u shpreh Toskas, pa dhënë detaje të tjera. Ai theksoi, se nuk do t’i pengojë hetimet. Deri më tani nuk ka pasur arrestime të të dyshuarve.

Griechenland | Brände um Athen (Getty Images/AFP/A. Tzortzinis )

Provat e ADN-së për të identifikuar të vdekurit

Sipas të dhënave zyrtare, 83 vetë humbën jetën në flakët e ferrit në afërsi të Athinës. Nuk dihet ende se sa viktima mund të ketë në shtëpitë e djegura. Të afërmit kanë dhënë prova të ADN-së në spitalet e Athinës për identifikimin e kufomave. Ata që mbijetuan katastrofën rrëfejnë për skena të tmerrshme. Familje të tëra u dogjën në shtëpitë e tyre. Gjendja të enjten u qetësua pas shirave që sollën freskim të motit. Radioja shtetërore greke njofton për shuarjen e të gjitha zjarreve. Në lagjen periferike të Athinës, Marousi pati përmbytje, por pa viktima, siç tha guvernatori rajonal, Jorgos Karameros.