Në sallonin kulturor “Sigal” në Durrës, përkthyesi Niko Sudari me romanin “gusht 1914” të nobelistit rus Aleksandër Sollzhenicin

Nga Kadri Tarelli

Në mbasditen e 25 korrikut, 2018, në sallonin e artit “Sigal”, në Durrës, u organizua një takim me përkthyesin e njohur Niko Sudari, i cili paraqiti librin voluminoz “Gusht 1914”, roman epope të nobelistit rus Aleksandër Sollzhenicin. Takimi u organizua nga klubi i shkrimtarëve dhe artistëve të Durrësit. Veprimtarinë e drejtoi bukuroshja durrsake Hygerta Sako, posaçërisht e ardhur nga Tirana.
Pjestarët që folën:
Nikoll Spathari, kryetari i klubit të shkrimtarëve dhe artistëve të Durrësit.
Vladimir Muça, shkrimtar dhe kritik letrar.
Fatmir Minguli, shkrimtar, studiues, eseist.
Naim Kërçuku, sekretar i klubit.
Recitoi, poeti Agim Bajrami.
Fatmir Baçi. Anëtar i Akademisë së Bosnjës.
Mes tyre edhe unë Kadri Tarelli, ku pata nderin të them pak fjalë lidhur me gjuhën e përdorur nga përkthyesi Niko Sudari, në veprën “Gusht 1914”.NIKO SUDARI, PËRKTHYES I KOLLOSËVE TË LETËRSISË BOTËRORE
Aleksandër Sollzhenicin në romanin epope, “Gusht 1914”.
Para do kohësh, në një bisedë të zakonshme me z. Agim Bajrami, duke pirë kafe, e pyes: Ç’ mendim ke për klubin e shkrimtarëve dhe artistëve të Durrësit? Nuk e priste, apo bëri sikur s’ më kuptoi, ndaj vazhdova: E kam fjalën për cilësinë e shkrimeve dhe botimeve të kolegëve tanë shkrimtarë e poetë. Ai m’u përgjigj: “Mos pyet! Në Durrës kanë zbritur nobelistët”. Qeshëm të dy, si një shaka e kripur. Tani që po flas, mendoj se kishte të drejtë. Sepse miku ynë Niko Sudari, na solli të përkthyer në Durrës, nobelistin Aleksandër Sollzhenici, autorin e romanit epope, “Gusht 1914”.
Cilësitë dhe vlerat e romanit, i kanë thënë të tjerët, ata që e nderuan autorin me çmimin “Nobel”. “Shija e artistit nuk qëndron tek dëshira me të cilën shkon të punojë, por me shkëlqimin e punëve që kryen”, thotë diku filozofi i mesjetës, Thoma Akuini. Mesazhet i prek dhe i ndjen secili lexues, po kështu shijon dhe gjuhën e përdorur, për të cilën edhe unë po them vetëm pak fjalë.
Kisha përshtypjen se vetëm historianët vuajnë, u del shpina dhe u skuqen sytë, nga letrat e shumta. Paskam gabuar, këtë mund ta thonë më mirë vetë përkthyesit. Gjithsesi, ai që niset të përkthejë, është i dënuar dy dhe trefish:
Së pari, duhet të njohë mirë gjuhën dhe kulturën e vendit dhe po kaq mirë edhe gjuhën e kulturën e shkrimtarit. Dikush këtë mund ta quajë mrekulli, ndërsa unë e quaj torturë, pasi gjithë jetën është i dënuar të studiojë e të mësojë, ndryshe është i dështuar.
Më pas: Ai duhet të futet në lëkurën e autorit, të jetojë, të mendojë e të veprojë si ai. Njëkohësisht, si në rastin tonë, ta bëjë atë të flasë shqip. Shkrimtari vetë, vuan të ketë frymëzim dhe t’i gjejë mendimet, se për t’i shprehur e ka kollaj në gjuhën e tij, ndërsa përkthyesi vuan, t’i njohë ato, t’i bluajë në vetvete, t’i përshtatë dhe t’i bëjë të kuptueshme për publikun e tij. Përkthimi nuk është shqipërim i një dokumenti çfarëdo.
Më tej, ai është i dënuar të dashurohet me autorin, t’i ndjejë frymëmarrjen, rrahjet e zemrës, buzëqeshjen dhe trishtimin, tekat, veset, dobësitë, botëkuptimin, mbase edhe prapësitë e tij, gjë që nuk është e lehtë, të paktën shpirtërisht.
Së fundi: Përkthyesi e rikrijon veprën me të gjitha përmasat: letrare, artistike, shkencore dhe filozofike. Në shumicën e herëve, është i detyruar të njohë edhe fjalorin e profesioneve të ndryshme, sepse ato janë pjesë e jetës dhe e krijimtarisë.
Besoj se kam të drejtë kur shprehem kështu. Ja shikoni Nikon, mikun tim të hershëm, s’ka vënë fare mish në faqe, thjesht vetëm nga mundimi për të studiuar e mësuar, që përkthimi të jetë i saktë, i kuptueshëm, por i bukur dhe i pëlqyeshëm.
Cilido nga ne lexuesit, në fund arrin në përfundim, se autori e ka arritur synimin e tij, duke i shtuar letërsisë shqipe këtë libër me vlerë. Të them të drejtën, Niko ka bërë një punë të admirueshme, jo thjesht për volumin, por më së shumti, që autorin nobelist e bën të flasë shqip, pa mundim dhe pa shprehje të zgjatura e të pakuptimta. Kjo është meritë e kulturës së gjerë, përfshirë atë të dy gjuhëve, njëkohësisht të njohjes së gjuhës sonë letrare, siç i themi të njësuar, apo standarde. Niko edhe kur flet, nuk përdor dialekt, megjithëse është rritur në Shijak dhe nusen e ka nga Korça.
Nuk ka nevojë për krahasime me përkthime e përkthyes, por shqetësimi ynë si punëtorë të letrave, është se janë shtuar ca si shumë përkthimet pa kurrfarë rregulli gramatikor dhe sintaksor, përfshirë edhe përdorimin vend pa vend edhe i fjalëve të jashtme (kështu i quaj unë fjalët e huaja), që medemek tregojnë kulturë. Nuk zgjatem të analizoj shkaqet, pasi i njohim dhe i dimë të gjithë.
Nuk dua të fyej njeri, por që të përkthesh, së paku duhet të jesh shkrimtar apo poet, ndryshe i hyn detit në këmbë dhe bën, që të shqetësohet një armatë e tërë gjuhëtarësh, mësuesish, shkrimtarësh dhe lexuesish. Niko është mësues, shkrimtar dhe historian i njohur.
Besoj se me lexuesi jam në një mendje, sepse ky libër i përkthyer bukur, ka këto veçori:
a. Sintaksa e fjalisë është e saktë, nuk përjashtohet gramatika, shenjat e pikësimit, fjalë formimi, etj.
b. Ka Shumë pak fjalë të “Jashtme”, disa janë shumë të përdorshme në fjalorin e shqipes ditore.
c. Libri është shkruar në gjuhën letrare standarde dhe pa dialektalizma.
Për këtë mendoj, se vetë përkthimi nuk e qas këtë mundësi të fundit. Më lejoni të përsëris diçka, që e kam thënë para do kohësh, në një konferencë shkencore në Kosovë, ku flitej për dialektet dhe mëkati që bën gjuha standarde. Pavarësisht se disave u erdhi pak thartë, unë u shpreha: “Shkrimtari dhe poeti, vallë ka për detyrë t’i flasë, mëhallës dhe katundit, apo t’i dërgojë mesazhe kombit?”.
Niko Sudari, me përkthimin e tij, i dërgon mesazh kombit.
Urime Niko Sudari, në përkthime të tjera po kaq të mira e të arrira!
Faleminderit
Kadri Tarelli
Durrës më: 25. Të korrikut. 2018.

Fotografia e Kadri Tarelli