Vijat e gabuara të Enver Hoxhajt

Konsiderohen të papranueshme krahasimet e “vijave të kuqe”, me Shqipërinë dhe Serbinë nga zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj.

“Janë kohë të ndjeshme dhe loja me deklarata politike, gabimisht po perceptohet nga politikanët, si një relacion i duhur me publikun. Deklaratat mbi ekzistimin apo mosekzistimin e vijave të kuqe, në radhë të parë janë mesazhe politike konfuze dhe si të tilla vetëm shkaktojnë huti në opinionin publik. Retorika populliste nuk shërben për të mirë”, thotë politologu Mentor Tahiri për gazetën “Bota sot”.

I pranishëm në Morinë për inaugurimin e pikës së re kufitare mes Shqipërisë dhe Kosovës, zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj deklaroi se nëse në Beograd dhe Bruksel mendohet se vija e kuqe nuk duhet të ekzistojë me Serbinë, atëherë kjo, sipas tij, nuk duhet të ekzistojë as me Shqipërinë.

“Pas 12 vitesh, jemi në fazën e fundit të dialogut me Serbinë dhe ende kemi çështje të hapura me fqinjin tonë verior, duam që ky dialog, sa t’i shërbejë normalizimit të plotë në mes të të dy shteteve përmes njohjes së ndërsjellët dhe anëtarësimit të Kosovës në OKB, po aq edhe një pajtimi Kosovë-Serbi pas një konflikti të thellë më shumë se një shekullor. Por, nëse në këtë fazë të fundit, e cila duhet t’i shërbejë stabilitetit dhe sigurisë në rajon, dikush në Beograd dhe Bruksel mendon se sa i takon normalizimit në raport me Serbinë nuk duhet të ketë vija të kuqe, atëherë, nëse këto vija të kuqe nuk vlejnë në raport me fqinjin tonë verior, nuk duhet të vlejnë as në raport me Shqipërinë”, deklaroi Hoxhaj. (Nehat Shaqiraj. BotaSot).