Këshilltari i lartë politik i Presidentit Thaçi i dhuron Kryetarit të KLSH librin kushtuar Heroit të Kosovës Fehmi Lladrovci

Më datë 27 qershor 2018, Kryetari i KLSH z. Bujar Leskaj priti në zyrën e tij z. Bedri Islami, Këshilltar i Lartë Politik i Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi. Z. Islami është një nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), njëkohësisht hulumtues shkencor i Institutit për Studime për Zhvillim dhe Siguri, me qendër në Bruksel dhe filial në Vjenë, si dhe publicist i njohur në shtypin shqiptar, poet dhe novelist, autor i romanit “Vrasja e Lulit të vocërr”, etj..

Z. Islami i dhuroi Kryetarit Leskaj librin e tij “Përjetësia e dyfishtë”, kushtuar Heroit të luftës Çlirimtare të Kosovës, Fehmi Lladrovci, librin “I Vërteti”, kushtuar politikanit dhe atdhetarit Ali Ahmeti, si dhe dy vëllime me poezi të tij, në shenjë respekti dhe vlerësimi për kontributin e Kryetarit të KLSH në zhvillimin e auditimit të jashtëm publik në Kosovë, nëpërmjet marrëveshjes me Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës. Këshilltari i Lartë i Presidentit Thaçi cilësoi si kostante të të gjithë karrierës, veprimtarisë politike, institucionale dhe shoqërore të z. Leskaj atdhedashurinë e thellë dhe përpjekjet konkrete për forcimin e marrëdhënieve politike, kulturore dhe ekonomike mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Nga ana e tij, Kryetari i KLSH e falenderoi z. Islami për librat e dhuruar dhe u shpreh se ndihet shumë i nderuar për vlerësimin.

Në takim u fol gjatë për vlerat e romanit “Vrasja e Lulit të vocërr”, kushtuar një luftëtari të paepur të lëvizjes për çlirimin  e vendit, Zenel Islami, drejtues i lartë dhe kurajoz në disa rrethe te Shqiperise pas vitit 1944, diplomuar me rezultate të shkëlqyera universitare jashtë Shtetit, pjesëmarrës në përpjekjet për ndërtimin e vendit në vitet 1945-60, vrarë në mënyrë të pabesë nga Sigurimi i Shtetit në vitin 1961.

Z. Leskaj përmendi Raportin e Auditimit të Performancës së KLSH të janarit 2018, mbi aktivitetin e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, duke u shtrirë edhe në Ministrinë e Financave, në drejtim të unifikimit të pikave doganore të Shqipërisë me Kosovës. Ky auditim e zgjeroi grupin e interesit të KLSH-së edhe në institucionet dhe organizatat ekonomike të Kosovës, me ekipin e auditimit që zhvilloi takime pune në Kosovë, në Ministrinë e Financave, në Zyrën Kombëtare të Auditimit, Odën Ekonomike dhe institucionin e Doganës së Kosovës, në drejtim të plotësimit të pritshmërive të lartë si nga bizneset ashtu dhe nga qytetarët e të dyja vendeve, të nxitura nga potenciali i madh tregtar që ekziston mes Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe të ndëmarrjes së masave konkrete për eliminimin e barrierave burokratike.