Dr. Islam Lauka, nuk është “Foot-Note” i askujt

1.
Dr. Islam Lauka, diplomat kariere i suksesshëm, nis udhën në diplomaci në shtator të vitit 1985. Ia fillon referent e shef sektori në Drejtorinë e Parë të MPJ. Me shkrirjen e akujve të “Luftës së Ftohtë”, më 1991, shkon Sekretar i Parë dhe I Ngarkuar me Punë (a.i.) në Ambasadën Shqiptare në Moskë. Në vitin 2005 emërohet Drejtor i Marrëdhënieve me Vendet Fqinjë dhe më 2006 Drejtor i Përgjithshëm i Marrëdhënieve Shumëpalëshe në MPJ. Merr gradën diplomatike “Këshilltar” dhe më 19 shkurt 2008, vetëm dy ditë pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, emërohet Ambasador i Shqipërisë në Prishtinë.

2.
Shqipëria ka nderin e artë të jetë ndër 5 shtetet e para, që e bekuan zyrtarisht Pavarësinë e Kosovës duke i dorëzuar letrat e njohjes së shtetit të saj dhe akreditimet për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike dypalëshe në nivel ambasadash dhe, të nesërmen, vendosi ngritjen e marrëdhënieve diplomatike me Republikën e Kosovës në nivel ambasadorësh.

Dr. Islam Lauka u emërua Ambasador në Kosovë, duke mbartur disa shanse atributore të veçanta: Në historinë shqiptare mbetet si Ambasadori i parë i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kosovës. Përzgjidhet në mënyrë meritore si Ambasador i Republikës së Shqipërisë në shtetin më të ri të Botës. Në historinë e Kosovës shënohet si një ndër ambasadorët e parë të Botës, që emërohen në këtë detyrë të lartë, në kryeqytetin e Prishtinës. Për herë të parë, Kombi Shqiptar me dy shtete, ka të emëruar një Ambasador nga Tirana zyrtare, nga Republika e Shqipërisë, 96 vjet Shtet, në Prishtinën zyrtare, kryeqytet i Shtetit më të ri: Republikës së Kosovës.

Në mënyrë të natyrshme e të padiskutueshme, çdo diplomat, në çdo hap ecjeje kariere të tij, mendon e punon që të emërohet e gradohet “Ambasador i Jashtëzakonshëm e Fuqiplotë” i vendit të vet, por në rastin konkret, emërimi në shtetin e ri të Kosovës, ky privilegj, i takoi, si meritë për kontributet e shans i kohës, z. Islam Lauka, njeriut të njohur të botës diplomatike e akademike mbarëkombëtare.

3.
Dr. Islam Lauka, në vitin 1994, kur në Akademinë Diplomatike të Moskës e mbronte gradën “Doktor i Shkencave Politoligjike” me temën me jehonë mediatike “Evolucioni i çështjes së Kosovës dhe gjendja e tij aktuale” (në gjuhën ruse) besoj se në vështrimin e tij vizionar, sado realist e perspektiv deri me parashtrimin e aksiomës së Pavarësisë së Kosovës, nuk do ta ketë menduar ndonjëherë faktin e sotëm të lumnueshëm, që, më 2008, 54 vjeçar, të ishte Ambasadori i parë i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kosovës, në Kosovën e Pavarur, në Shtetin më të ri të Botës.

E veçanta e tij, si diplomat ndryshe, listohet edhe në faktin se Dr. Islam Lauka ka qenë Ambasador i Kosovës në të gjithë qënien e veprimtarinë e tij si qytetar, diplomat e shkencëtar, përgjatë rrjedhave historike e diplomatike të mbi tre dekadave të fundit.

Dr. Lauka ka shënuar disa kulminacione të jehonshme ndërkontinentale në kanale e debatime diplomatike, në tavolina e tribuna shkencore, në pasqyrime e vlerësime në masmedia, edhe me studimin e lartpërmendur në rusisht të mbrojtur në Moskë, edhe me botimin në shqip, anglisht e arabisht dhe në persisht të librit studimor “Kosova: Rast Universal apo Sui Generis”, (2007), dhe me tjetrin botim studimor në shqip e anglisht “Shkëputja e Kosovës nga Rusia”, (2007), i publikuar edhe faqe interneti, në gjuhen serbe.

Dr. Islam Lauka mbetet i vetmi diplomat shqiptar, që botimet e librave të tij i gjen, jo vetëm në shqip, por edhe në anglisht, arabisht, rusisht, serbisht e persisht.

4.
Për më tepër, duke e cilësuar si diplomat ndryshe, rendis edhe të veçantën tjetër: punimet e botimet e tij shkencore, të shkruara shqiptarisht, me argumenta e referime, me teza e konkluzione janë publikuar në anglisht, rusisht e arabisht, por edhe në persisht e serbisht.

Mendoni për një çast peshën e botimit studimor në arabisht të shkenctarit e diplomatit Islam Lauka, me titull: “Kosova: Rast Universal apo Sui Generis”, teksa ndodhet, kohët e fundit, në duart e tavolinat e punës të diplomatëve e shtetarëve të Vendeve të Konferencës Islamike, se ç’kontribut të ndjeshëm, (in)direkt, përbën në shtysat e tyre motivuese për Pavarësinë e Kosovës, për procesin e nisur të njohjes ndërkombëtare të shtetit të saj.

Përfytyroni realisht, sikur në këto dy dekadat e fundit shkenctarë e diplomatë shqiptarë me tituj e grada, me aftësitë e sakrificat e tyre, të publikonin edhe në disa gjuhë të huaja punimet e veta studimore kaq koherente, siç ka vepruar Dr. Islam Lauka, se ç’shërbim i madh i bëhej Kombit Shqiptar dhe të Drejtës Universale në këtë stad të Rendit të Ri Botëror e të Globalizmit.

Nisur nga ky fakt konkret, që na e shembëllen diplomati e shkencëtari i përkushtuar Islam Lauka, më duhet të përmend edhe diçka tjetër, që mirëpret reflektim e veprim kombëtar: Jugosllavia e dikurshme e Serbia e sotme, në kohën e Titos e të Titizmit, veçanërisht në kohën e Millosheviçit, Koshtunicës e Tadiçit, kanë publikuar mbi 2.800 botime të ndryshme në gjuhët zyrtare më të përdorura të botës, si broshura e monografi, përmbledhje tematike e deri enciklopedira për Kosovën, duke i shtrembëruar të vërtetat historike dardano-shqiptare; duke keqinformuar institucione ndërkombëtare, shtete, personalitete, etj.; duke abuzuar e kamufluar me keqinterpretime e veprime nga më skandalozet lidhur me të Drejtën Ndërkombëtare, Historike, Juridike, etj. për Kosovën dhe duke kequshqyer nacionalizëm të pabazuar e të shfrenuar, urrejtje biologjike e genocid gjaksorë ndaj shqiptarëve etnikë.

5.
Dr. Islam Lauka, diplomat kariere i mirënjohur, ndër të veçantat e spikatura të tij mbartën edhe faktin e vlerësueshëm: bën një diplomaci të hapur… Diplomacia e tij e hapur e vepruese e çoi në nivelet e një diplomati publik.

Dr. Islam Lauka, me përkushtimet e kontributet e tij, si President i Qëndres Shqiptare të Studimeve Amerikane e Britanike, organizoi tri konferenca shkencore: dy për Amerikën dhe një për Mbretërinë e Bashkuar, motivoi e drejtoi veprimtarinë risore “Marsi – Muaji i Miqësisë Shqiptaro-Amerikane”, publikoi e pajisi me parathënie studimore në shqip e anglisht librin Toni Bler “Për Shqiptarët”, etj.

Me siglen e Institutit Shqiptar të Studimeve Politike, drejtor i të cilit është Dr. Islam Lauka, në vitin 2007, i botoi dy librat e tij studimor: “ Kosova: Rast Universal apo Sui Generis” dhe “Shkëputja e Kosovës nga Rusia”, për të cilat, dy nga viganët e çështjes së Kosovës, Noel Malcolm në Londër e Janusz Bugajski në Uashington, por edhe personalitete të tjera, kanë shkruar faqe të tëra me vlerësime të merituara, të cilat e dëshmojnë e lartësojnë formatin e tij si shkenctar e diplomat.

I nderuari Bugajski, ndër të tjera, shprehet: “Nisur nga konteksti strategjik i luftës për Kosovën, si për analistët ashtu dhe për politikëbërësit është e rëndësishme që të kuptojnë si unikalitetin historik, ashtu dhe rëndësinë strategjike të këtij territori. Monografia e Dr. Laukës shënon një pikë thelbësore të fillimit të këtij procesi”.
I nderuari Malkolm, thekson se “Ky është një studim i vlefshëm dhe i rëndësishëm. Me qartësi dhe koncizitet mbresëlënës, Islam Lauka, analizon një sërë pretendimesh të ngritura, në mënyrë të veçantë nga publicistët dhe politikanët rusë, rreth implikimeve që mund të sjellë Pavarësia e Kosovës dhe me zotësi nxjerrë në dritë dobësitë dhe kundërthëniet e tyre. Pa dyshim, është një libër, i cili duhet lexuar nga çdonjëri që është i përfshirë në debatin mbi të ardhmen e Kosovës”.

Prof. Dr. Nina Smirvova, komenton: “Është e domosdoshme të theksohet se trajtimi i problemit të Kosovës nga Islam Lauka ndryshon rrënjësisht nga ai që takohet në replikat e pakontrolluara të disa historianëve e politologëve rusë, që e trajtojnë atë nga pozita proserbe”.
Prof. Dr. Valeri Modestov vlerëson: “Islam Lauka ka analizuar me kujdes dhe në mënyrë kritike gjithçka është shkruar para tij për çështjen e Kososvës, nga specialistë shqiptarë dhe të huaj.Konkluzionet dhe rekomandimet e tij janë plotësisht shkencore”.

Dr. Islam Lauka, në këto vitet e fundit, është edhe Drejtor i Bordit të Institutit Kombëtar të Diasporës Shqiptare, pranë MPJ të Shqipërisë.

Në vitin 2006, me bashkautor, ka botuar librin “Shqipëria në arkivat ruse”, që do të pasohet me volumin e dytë këtë vit, më 2008 dhe, është një ndër botimet më të kërkuara nga studiuesit e lexuesit.

Në vazhdimësi ka publikuar studime, esse, analiza e artikuj, kryesisht për Kosovën, në shtypin shqiptar e të huaj. Veçanërisht në këto tre vitet e fundit, 2006-2008, ka pasë një produktivitet të lartë e kulminacione të admirueshme me publikime (në cilësinë e Drejtorit të Institutit Shqiptar të Studimeve Politike) të studimeve të tij për Kosovën në shtypin shqiptar, si në gazetat “Kosova Sot”, “Standard”, “Tema”, “Bota Sot”, “55”… dhe deri në faqet shqiptare të internetit: ”VOAL-Zëri i Shqiptareve”, “Tribuna Shqiptare”, “Kosova Press”, “Lajmi Shqip”…

Këto publikime kanë pasë jehonën e vet në Federatën Ruse dhe në disa shtete ballkanike, etj., aqsa, i mirënjohuri Janusz Bugajski, nga përtej Oqeanit Atlantik, shprehet: “Zor se do të kishte patur kohë më të përshtatshme se kjo e tanishmja për publikimet e Islam Laukës për Kosovën”.

Më rastisi më 2007, teksa në lartësinë e dinjitetit e të detyrave të tij si shqiptar, diplomat e shkenctar, përballej në media me të vërtetat për Kosovën me politikëbërës, analistë e studiuesë rusë, t’i sugjeroja miqësisht zotit Islam Lauka për të patur kujdes se ishte diplomat i niveleve të larta zyrtare në MPJ, por në sipërmarrjen e ecjen e tij shpirtërore të guximshme kombëtare, më ktheu një përgjigje të prerë: “Jam i gatshëm të sakrifikoj diplomacinë për Kosovën”.

Po, Dr. Islam Lauka, nuk ka të ndalur në ecjen e veprimtarinë e tij për Kosovën, dhe kjo është kaq e vërtetë, saqë edhe atë ditë të bekuar të 17 shkurtit 2008, në orët e para të mëngjezit, foli për rreth 30 minuta për Kosovën në Televizionin Publik Shqiptar, dhe, nga aty, u nisë drejt Aeroportit të Rinasit në Tiranë, për të shkuar në Afrikë, në Senegal, ku edhe atje, në takimin e Vendeve të Konferencës Islamike, do të fliste përsëri për Kosovën.

6.
Dr. Islam Lauka, jo vetëm është dardan nga origjina e tij, pasi ka vendlindje të vet Tropojën, Malësinë e Gjakovës, por edhe është rritur shpirtërisht me Kosovën Dardane dhe për Kosovën Dardane.

I lindur në Bytyçin kufitar me Kosovën, që kishte pranë klonin e kufinit dhe traun e doganës së Qafës së Prushit, e kishte zemren prush me dashurinë e përkushtimet për Kosovën, që të ishte pa klone dhe e pavarur e sovrane, siç është sot.

Në vitin 1982, si Sekretar i Parë i Rinisë së Tropojës, lexoi një përshendetje në tribunën e Festës së madhe Lokale të rrethit, dhe, aty foli disa fjalë për Kosovën, për ngjarjet e ndezura të vitit ’81 dhe, në vend të emrit “Tropojë” përdori atë më të hershmin “Malësia e Gjakovës”, çka ishte e vështirë ta bëje kaq publik një veprim të tillë në atë kohë dhe çka ma pas nuk kaloi pa disa debatime institucionale.

Në familjen e tij në Tiranë, prej pesë antarësh, Kosova është vazhdimisht e pranishme dhe të gjitha janë të përkushtuar për Kosovën.

Bashkëshortja e tij, Fatbardha, një zonjë e nderuar, përherë i gjendet pranë duke e ndihmuar edhe me redaktime e korektime në librat studimorë të tij, por edhe vet, ajo, prej kohësh, ka në duar një libër për “Zonjën e Hekurt”, ish- Sekretaren e Shtetit Amerikan, Madlen Ollbrajt, që aq shumë bëri për Lirinë e Pavarësinë e Kosovës.

Dy fëmijët e tij më të rritur, studentë, nuk duan të mbeten pas, por ecin në gjurmët e shembullin e babait të tyre: Drenica, përveçse përkthyese e mirë në disa botime është edhe redaktore e botimit të Dr. Islam Lauka: “Shkëputja e Kosovës nga Rusia”, ndërsa djali i tij, Albani, është konsulent, përkrah disa emrave të njohun, tek libri “Kosova – me elementët tërësorë të Pavarësisë”. Në këtë udhë ecën edhe Faina, vajza e vogël, e cila ka pikësynime të mëdha në të ardhmen e vet. Të tre fëmijët e tij zotërojnë mbi dy-tre gjuhë të huaja.

Dr. Islam Lauka ka mundur, në kuptimin më të plotë të fjalës, të ecin vetë në jetë, duke ia nisur punës, pas mbarimit të shkollës së mesme, në stazh, si dizenjatorë në qëndren e minatorëve në Kam apo mësues në Buçaj të Tropojës dhe, pas përfundimit të Universitetit të Tiranës, për rusisht, me nota të shkëlqyera, (për 4 vjet vetëm një 9 në një kolekium), e çojnë mësues në një nga fshatrat ma të thellë të Shqipërisë e të Tropojës, në Gjonpepaj të Nikaj-Mërturit dhe më pas në Pac të Bytyçit dhe në qytetin e Bajram Currit, prej nga përzgjidhet nga Tirana zyrtare, si talent e personalitet, për të punuar në Diplomaci, në MPJ.

Të 12 vëllezërit e motrat e tij, janë rritur nga babai i tyre minator, Shaban Sadiku, (që iku parakohe, para disa vitesh, nga kjo jetë) dhe nana e tyre kooperativiste, Kune Brahja, kanë një emër të mirë në vendlindje e kudo jetojnë e punojnë dhe, janë, siç iu thonë: “secili më i mirë se tjetri”.
Për 60 vjet, për 12 fëmijë, të mos kesh asnjë problem, përveçse të jenë të respektuar e me kontribute, është një fat i madh.

Prandaj, Islam Lauka, me fisnikërinë e tij shpirtërore, në librin e tij të fundit, i drejtohet nanës së vet, me këtë kushtim njerëzor e domethënës: “Kune Brahës, në shenjë mirënjohjeje për lumturinë që më fal çdo ditë tek i thërras NANË”. Edhe unë ndihem krenarë teksa i shkruaj këto rradhë, pa lejen e tij dhe me dorën e zemren time, për një nga miqtë e mi të mirë, të kahershëm e të përhershëm.

Të gjithë miqtë e Dr. Islam Laukës, diplomatë, studiuesë e gazetarë, e mirëdijnë faktin se dhuratat më të çmuara i ka çdo libër apo artikull të shkruar në gjuhë të huaj për Kosovën, ashtu siç i mirëdijnë edhe dy fakte të tjera: Nuk mund të ketë ndonjë libër të botuar për Kosovën që të mos jetë në bibliotekën e tij familjare dhe në çdo udhëtim jashtë Shqipërisë, në kthim, çanta e tij, “rëndon” nga librat e gazetat në gjuhë të huaj për Kosovën…
Vet Dr. Islam Lauka, shpesh herë shprehet se “Dhurata më e çmuar e jetës së tij është Pavarësia e Kosovës…”

7.
Për më tepër, Republika e Shqipërisë, në këtë Eveniment të Jashtëzakonshëm të Pavarësisë së Kosovës, dërgon në Prishtinë një Ambasador Fuqiplotë, jo vetëm nga pesha e funksionit e detyrës diplomatike e gradës shkencore, por edhe për vet atributet e kontributet e tij, për vet karakterin e tij dinjitoz, formimimin bashkëkohor, karierën diplomatike të vlerësuar…

Dr. Islam Lauka është njeriu dhe diplomati i duhur për Kosovën dhe në kohën e duhur për Kosovën… Ai shkon në Kosovë “me Kosovën” dhe do të punojë për Kosovën.

Në rastin konkret, Ambasadori Islam Lauka është një diplomat ndryshe, jo vetëm përsa u përket këtyre shanseve historike, rastësive e mundësive kohore të papërseritshme, por edhe për faktin e randsishëm se, në të gjitha kohërat e situatat ka qënë Vetëvetja dhe e ka ruajtur gjenetikisht e lartësuar njerëzisht e realisht Emrin e Vet tek të Tjerët…

Ramiz LUSHAJ

Tiranë, shkrue në shkurt, 2008
_________________
Shenim:

Kur e shkrova këtë esse për dr. Islam Lauka ua nisa disa gazetave shqiptare. Deshiroja të botohej të nesërmen, ditën e promovimit të monografisë së tij: “Kosova: Rast Universal apo Sui Generis” të organizuar në Hotel Tirana International. Esseja ishte botue nga dy gazeta: njëra e ekstremit të djathtë “Gazeta 55” dhe tjetra e ekstremit të majtë: “Ndryshe”.

Shkrimi ishte befasi për dr. Islam Lauken. Krejt e papritur. Komente të mëdha ngjalli edhe botimi i saj në këto dy gazeta: dr. Lauka, thoshin kolegët e tij në MPJ, është tamam diplomat e jo politikan…

Realisht ai merret vetëm me një politikë: me politikën kombëtare.

Presidenti i Shqipërisë e ka dekretue lirimin nga detyra e ambasadorit në Kosovë të dr. Islam Lauka, pasi i plotësoi vitet e mandatit të tij. Ende nuk kena ndie ndokund se është caktue në detyrën e ambasadorit të karierës në një shtet tjetër… Ndoshta duhet pritur prapë për të mbajtur qëndrim publik mediatik ndaj kësaj heshtje shtetërore… Kësaj here vetëm e ribotova shkrimin tim të vitit 2008.

Dicka duhet me e ditë: Pse e shkrova këtë shënim si foot note dr. Islam Lauka nuk është “foot note” e askujt…!