Presidentja e Kroacisë Grabar-Kitaroviç në Krujë – Gjergj Kastrioti Skënderbeu ishte ”Qytetar nderi” i Raguzës

Presidentja e Kroacisë, Grabar-Kitaroviç viziton qytetin e lashtë të Krujës

Presidentja e Kroacisë, Sh S. Znj. Kolinda Grabar-Kitaroviç, me 20 korrik 2018, në ditën e tretë të qëndrimit në vendin në Shqipëri me ftesë të Presidentit Ilir  Meta, nuk mund të largohej nga Shqipëria pa vizituar edhe qytetin e lashtë të Krujës, kalanë e famshme dhe pazarin e vjetër të qytetit.

Gjatë kësaj vizite shtetërore të kreut të shtetit kroat, që përkon edhe me Vitin Mbarëkombëtar të Gjergj Kastrioti Skënderbeut, Presidentja Grabar-Kitaroviç, duke vizituar muzeun e Krujës, vuri në dukje lidhjet e hershme historike e të miqësisë me dy vendeve dhe popujve, duke nënvizuar sidomos faktin mjaft domethënës se Heroi ynë Kombëtar Gjergj Kastrioti dhe i biri, Gjoni, u shpallën “Qytetarë Nderi” të Republikës së atëhershme të Raguzës (Dubrovniku i sotëm).