Vdekja e hokubetshme e poetit Havzi Nela

Nga Primo Shllaku

(Fjala e mbajtur në Sesionin përkujtimor të shkrimtarëve kushtuar poetit martir Havzi Nela, me 12 qershor 2018 në pallatin e kulturës në Kukës. Ky shkrim do te botohet ne numrin 14 special te revistes Illz kushtuar shkrimtareve martire dhe ne librin me ese te shkrimtareve per Havzi Nelen, dhe te dy keto botime do te prezantohen me 10 gusht ne Kollovoz ne shtepine e poetit Havzi Nela qe po e nderton Bashkia Kukes)

Mirdita të gjithëve,
Lakonizmin e hangra unë, kurse Sadiku* e kaloi klasën.
Dita e sotshme për mue asht nji ditë refleksioni. Na kemi ba 200 km për me ardhë te vendi i nji poeti martir që gjeti vdekje të hokubetshme, me varje, në nji kohë që të gjithë na ishim të varun, jo për qafe, por ishim të varun prej diku tjetër. Dhe rrallë ndonjenit prej nesh i takonin kambët përtokë.
Unë e kam shum të vështirë që të flas diçka për tekstet e Havziut siç ma lyp zanati im. Asht e vështirë të flitet për poetin gjithmonë, por edhe përgjegjësi e madhe, por shum ma vështirë asht me folë për njeriun.
Edhe unë e shof krimin e diktaturës të realizuem te vdekja makabre e ktij njeriu.
Nuk kam ndërmend që, në moshen time, t’i baj asnjë lloj skontoje askujt ma. Unë, ashtu sikurse latinët që thonin “jetova mjaft, po vdes i lumtun”, me të vërtetë që kam jetue mjaft dhe nuk kam ndërmend që të vdes, por edhe në qoftë se vdes, jam i lumtun që nuk vdiqa pa marrë nji mikrofon në dorë e pa i thanë disa mendime të miat, disa, vetëm disa. Të tjerat do t’i them në të ardhmen. Me shkrim ose me gojë.
Havziu ishte nji njeri i revoltuem, i revoltuem simbas Camus-së, dhe jo simbas kuptimit që i japim na rëndom kësaj fjale.
Ai ishte nji njeri që mbas nji maratone burgjesh e gjeti veten tek caqet e vetes. Pra ai mbërriti te caku i vetes dhe nji nga caqet e vetes asht dëshpërimi.
Pra ai regjim na çoi edhe ne në dëshpërim dhe për dëshpërimin ku na çoi ai regjim flitet fatkeqësisht pak. Ky burrë ktu asht vërtetimi i ktij dëshpërimi.
Cili ishte pra caku i ktij njeriu? Ai nuk po e duronte veten e tij, që po duronte. Nuk e duronte ma që ai të vazhdonte me shpresue e me durue dhe kjo e çoi atë deri tek kontakti miqësor me vdekjen siç edhe doli nga vargjet që recituen vajzat, edhe pse jo me tingull të saktë gegnisht. Kam vërejtje për këtë.
Pra ai u përball me sfidën ma të vjetër, ma primitive të njerëzimit, kundërvumjes jetë-vdekje.
E gjithë diktatura ishte e mbështetur tek bindja e saj se na nuk do ta duronim këtë sfidë, por do të duronim diktaturën.
Mirpo në kohën kur dëshpërimi i ktij njeriu kishte prekë caqet e vetvetes edhe vetë diktatura kishte mbërritë tek caqet e vetvetes.
Asaj po i mbaronte vojguri në kadnil, po i mbaronte bateria, dhe po e shikonte që kishte mbërritë tek stadi i fundit të saj.
Dhe asht krejt e çuditshme se si nji diktaturë që e fillon me krime në kohën e hovit të saj djaloshar, e mbylli po me krime edhe në kohën e dekrepitetit të saj, të këputjes së saj, e plakjes së saj.
Kjo tregon pra se ne kishim mbi kokë nji diktaturë të pareduktueshme, e cila nuk njofti kurba, ajo ishte nji vishkullimë vdekjesh në veshët e gjithë atyne që i kishin veshët.
Dhe ky njeri shkoi atje ku shkoi, me heshtjen dhe me indiferencën tonë.
Unë kam qenë gjallë, kam qenë 41 vjeç në atë kohë.
Kolegët e mi kanë qenë ose ma pak ose ma shum.
Po të na binte në vesh fakti ose mendimi ose vendimi i një gjykate se nji poet po vritej, na të gjithë do të kishim thanë, (mbase edhe e kemi thane): Po pse, çka pat ai? Luejti mendsh? Dhe e paguem edhe me jetën tonë të çastit vdekjen e tij, sepse ishim të painformuem dhe të dobët.
Nuk e dinim, mbase edhe sot nuk e dimë se askush nuk vdes vetëm, se secili që vdes merr me vete edhe nji pjesë nga të gjakut të vet, nga të rrethit të vet e të frymës së vet. Kjo varet nga afërsia që kemi me të. Nqs ai jeton në Filipine, kuptohet që na nuk kemi çfarë të na marri.
Unë për shembull, për veten time, dua t’ju vërtetoj miqësisht edhe të më falni në qoftë se nuk do të arrini të keni nji ide paralele me timen. Unë për shembull nuk e kam asimilue ende vrasjen e Xhon Kenedit në vitin 1963. Më ka tronditë thellë dhe ende kur e kujtoj mundohem ta baj. As vdekjen e Elvis Presley-t nuk e kam asimilue, nuk e kam absorbue.
Po kshtu nuk kam absorbue as vdekjen e babës tim, të cilin përpiqem të mos e përmend edhe pse shpinë e kam të mbushun me fotografitë e tij.
Na vdesim ngapak, çdoherë që na vdes nji njeri i njoftun, nji njeri i afërt, nji njeri me të cilin ngjasim dhe prandej hollohet fija e jetës dhe në nji moment të caktuem vdesim edhe na prej së vërteti.
Faleminderit.
———————–

*Para Primo Shllakut, në sesionin përkujtimor të shkrimtarëve për poetin Havzi Nela që u organizua në Kukës me 12 qershor 2018 kur u vu busti i Havziut, foli shkrimtari Sadik Bejko. Bashkëdrejtuesi i sesionit poeti Agron Tufa i ftoi shkrimtarët që të ishin më lakonikë, të flisnin më shkurt. Ndaj Primoja thotë që Lakonizmin e hangra unë…

Fotografia e Rexhep Shahu