Fustanella e Shqiptarëve

(nga dokumentet dhe folklori)

Nga Agim SHEHU – Zvicër

Sa herë shohim fustanellën aq herë na mrekullon bukuria e rrallë e saj. Një veshje njeriu me hijeshi perëndie, ajo ka ardhur nga lashtësitë më të herëta gjer në kufi mitologjie dhe si e tillë, ajo mund të vinte vetëm e ngjeshur dhe ngarkuar te trupi i shqiptarit pelazgo–ilir. Të tjerët sidomos fqinjët e jugut, të mahnitur sa nga kostumi aq dhe nga bëmat e të zotit që e vishte – një harmoni e të dyve bashkë – e morën dhe për vete. Dhe tani “fustanellën shqiptare” e shohim të veshur me krenari e lezet vjedhjeje nga vënde të ndryshme të botës e nga garda të ndryshme shtëtërore (të prirë në këtë zanat përvehtësimi gjer në vjedhje prej grekëve profesionistë si të tillë). Me fisnikërinë dhe trimërinë e tij të bujëshme nëpër kohëra shqiptari e mbushi me lavdi veshjen e fustanellës. Kjo nga ana e vet në faqen e saj të bardhë, thua në çdo palë të saj e mbante shkruar në sytë e gjithë botës lavdinë e njeriut të vet gjer në atë shkallë, sa nga adhurumi i të tjerëve fytyra e saj i kaloi si me magji kufijtë e të zotërve.
Duke kaluar bashkë jetë të tëra, burri luftëtar me fustanin e tij krenar janë marrë vesh në çdo udhë e fat të tyre. Të denjë për njëri tjetrin duke ecur në të njëjtën histori, ata janë lidhur edhe në një biografi të përbashkët ku njeri dëshmon dhe për tjetrin si dy anë të një krahasimi të vetëm. I bindur se një kostum i tillë e nderonte në sytë e botës, ai merrej me të si me një pjesë të pandarë të qënies së tij. Kështu atë e trajtonte aty madhërisht, që t’ia përshtaste trupit të vet me seriozitetin e shokut; aty ledhatueshëm, duke e qëndisur si një gjë të shtrenjtë intime. Në rastin e parë, si luftëtar fisnik fustanellën ai e ulte rëndshëm gjer nën gju duke ia rritur më shumë palat e ngjeshura të cilat si numër i kanë lëvizur vazhdimisht: “Iliaz Kabo perifani, pesëqind kinda fusatani” thotë kënga popullore në ”Bleta Shqiptare”. Pohonte kështu se te pesha e fustanit qëndron dhe pesha e burrit. Konsulli francez në Shkodër tregon që aty kish burra siç i kish parë vetë shekullin e kaluar, të cilëve fustani nën gju u arrinte deri në shtatëqind kinda! Një fustan i tillë i madh, për lehtësi rregullimi apo larjeje ndahej në disa pjesë të cilat lidheshin duke krijuar të tërën. E tillë, dhe kur hiqej nga trupi fustanella qëndronte vetë më këmbë, statujë e barabartë me të zotin të cilin e përfaqësonte po ashtu më këmbë edhe kur ai i mungonte! (Kjo veshje burrash si të qenë hyjnorë zbritur nga qielli në tokë, te rregullimi madhor i palëve të fustanellës të kujton përgatitjen e një armature në metalurgjinë e sotme moderne).
Për këtë harmoni që kish me të dhe për lezetin që i jepte në lufra e kuvënde, shqiptari e zbukuroi dhe e qëndisi kostumin e tij me dashuri dhe fantazi të pashoqe, duke mos i kursyer asgjë. Për këtë stoli të rrallë që i bëri mjafon të përmendim që në fillim, sado pak, vlerësime të shkurtuara të të huajve për të: “Një prej kostumeve kombëtare më të bukura të Evropës”; “veshjet e mrekullueshme të shqiptarëve” shkruan koloneli anglez Lik. “Pamje e shkëlqyer e një luftëtari të ashpër” thotë studjuesi E. Najt; “është pak të quash ta jashtëzakonshëm” citon historiani J. Besti; “më e mrekullueshmja veshje në botë” shprehet Bajroni; Holland thotë se shqiptarin veshja, arma e pamja “e bëjnë figurën e tij më të spikatur dhe më piktoreske se çdo tjetër figurë që kam njohur”. Siç e ka pikturuar në tabllo anglezi K. Utvil, cilëson “Kostumi i mrekullueshëm shqiptar pikturuar me atë madhështi të bardhë, të kuqe e të artë të kënaq syrin në çdo pazar që i sheh, njëlloj si në fillim të shekullit që Bajroni i pa në Jug të vendit”. Ndërsa studjuesi tjetër udhëtar Ekhar shkruan për të “kostumi më i mrekullueshëm…i bërë për sundimtarë të botës”, e kështu me radhë.
I tillë shqiptari, sa të ashpër e kish fatin në luftë me fustanellën po aq ledhatues e kapardisur mbaheshin tok në paqe. Ata e dinin se kjo kohë paqe në mes luftërash qe e shkurtër, se ledhatimi me njëri-tjetrin pranë shtëpisë nuk zgjaste shumë. E thotë bukur kënga popullore: “Ç’bën moj ti aty përposh”?/- Laj fustanin e timzot/ herë me ujë e herë me lot/, erdhi dje e iku sot…”
Duke e ditur këtë, atë kohë të shkurtër paqeje shqiptari e fustanella gëzoheshin e mburreshin me njëri tjetrin, pa ditur ç’kapardisje apo ç’stoli të këmbenin më shumë. E dinin se do të vinte shpejt lufta të cilën do ta kishin dhe dëshmi të madhështisë e të namit. Dhe aherë, bashkë me të zotin e papërmbajtur do të flijohej edhe fustanella e harbuar pas tij. Kënga popullore thotë për trimin Balil Nesho nga Kurveleshi, ku e kuqja e flakës që i lëshoi armiku u kacafyt me të bardhën e fustanellës: “Me nizamët ç’u përpoqe/ sa u zhurite, u dogje…/ topçinjtë me top ta dhanë/, flaka të mori fustanë/, Balil-o, Balil nuri!” Gjetkë po kështu për Skënder Taren: “Hingëllin kali si bisha/, flakë i mori këmisha”! Më tej për Iljaz Kabon: “flakë të mirrte fustani/, gjak të kullon jatagani”. Për atdhetarin trim Nexhip Gostivishti, veshur me “fustanen e zezë”, imazhin e goditjes nga armiku populli ia bën te fustanella: “Bir, Nexhip i nënës, fytyrërrumbullak/, në fund të fustanit dy tri pika gjak”. Populli shpesh në këngë birit të vet jetën a vdekjen ia njeh dhe te fustani: “Kur hyra në odë, i pashë fustanë/- sytë seç m’u mbushën me lot duke qarë”!.
Lufta bëhej me tërë huqet e saj dhe shqiptari, lezetuar me fustanellë, kish gjithashtu huqet e veçanta të tij. Kështu kapuçin e gunës (tunikut) – vëren bukur dijetari anglez mik i Bajronit, Hobhauzi – shqiptarët herë-herë e mbërthenin “me grepin e kobures”! Po aq bukur, me një fill humori kalorësiak Ch.Goufier (1782) i përshkruan shqiptarët si një pikturë të magjishme në lëvizje: “në kokë mbajnë një kësulë që e flakin tej kur vrapojnë në luftë; shtatlartë, të hollë, të shkathët e nervozë,… këta shqiptarë do të ishin përsëri heronj po të kishin një Skëndërbe në krye të tyre”!
Fustanella fytyrën e kish kryesisht nga lufta, andej nga e kish dhe i zoti fatin. Natyrshëm, në gjërat më të pandara dhe më të zbukuruara të saj qe arma. Kështu Hërkar thotë për shqiptarët që kish takuar se luksi kryesor i tyre “qëndron në pasurinë e armëve të tyre”. Armën që i dhuroi Napoleoni, Ali Pashë Tepelena e pranoi me fisnikëri, megjithatë urdhëroi zanatçinjtë e vet t’ia zbukuronin më shumë me brilantë e diamantë! Në tablotë e piktorëve e grafistëve të huaj shqiptari me fustanellë, edhe në kohën e paqes, jo rastësisht është pikturuar me armë.
Rreth trupit të të zotit fustanella qëndron me disiplinën e lirisë. Tërësia e saj e derdhur brënda bashkësisë së vet ruan pavarësinë e çdo pale të saj, vetëm e tillë ajo i shkon pas me besnikëri në çdo lëvizje të zotit. E prirë për të pasqyruar menjëherë çdo gjëndje shpirtërore të tij ajo hap kindat, e gatëshme për t’i shpallur botës fytyrën e luftës më të ashpër, apo të gëzimit prej fëmije, si t’ia ketë dhënë shënjën ai që e mban në trup. Te liria që i zoti i ka lënë në strukturën e vet si kostum, ajo me valëzimet e saj krijon llojet më fisnike të bukurisë dhe nderimet më të hijëshme që i takojnë njeriut. E shohim këtë dukuri tek shqiptari fushor – valltari i ulet në gju tokës me pëllëmbën ledhatuese sipër e fustanella i hapet butë, thua bekon arën për bukën që bën, apo i lutet asaj mos ta humbë pjellorinë! Te vallja mjeshtërore e Devollit valltarët në varg bëjnë e “thyhen” përkohësisht por lidhur te njëri-tjetri burrat s’bien. Fustanella ulet e puth tokën, thua i përkushtohet asaj me mirënjohje se ata nuk bien ngaqë mbështeten tek ajo. Te gorarët fustanella, disi më e shkurtër, bëhet erë në vallen për rreth kështu që të zotin duke e ndjekur pas, i prin dhe përpara! Te Osman Taka i Çamërisë fustanella duke rënë butë tok me valltarin ulet dhe e merr me të mirë tokën, që ta mbajë mirë në gji heroin i cili do flijohet. Në Labëri vallja e burrave pasi niset bën vetëm përpara dhe nuk kthehet më pas; si e tillë, në fillim ajo ecën ngadalë më këmbë, sikur e peshon mirë në tokë çdo hap që hedh përpara. Kurse fustanella e rëndë u zgjatet për trupi si derdhje mermeri, thua t’ua peshojë dhe më rëndë hapin te toka. Pastaj, një lëvizje e shpejtë befasuese e valltarit të parë (sikur posa ka dalluar një “armik” te shtegu), e këtë turrje sulmi fustanella e merr urdhër nga i zoti, dhe po aq shpejt kindat e saj japin valën e parë përpara duke lajmëruar të zotin se është gati ta ndjekë pas si erë!
Në këngët e herëshme popullore fustanella zë një vend të nderuar. Në vështrimin lirik ajo është një pikë vlerësimi për djalin që e mban veshur. Te bukuria e saj shpesh lidhen e zgjidhen marrëdhëniet intime me një vajzë të dashur. Te fustanella e bardhë e derdhur që i shfaqet përpara vajza shqiptare ëndëronte më të bukurin që do t’i donte zëmra.
Populli ynë e këndon këtë: “Qafëgjatë si dori/ veshurë ndënë stoli/ fustanella-humai” (vajzat i bëjnë shoqes së tyre përshkrimin e djalit, t’i forcojnë pëlqimin). Pastaj pikëzimi i bukurisë mbetet te pikëzimi i fusanellës: “Pa na shkojnë çunat/ gjithë dy nga dy/, o ai i madhi – festenë mbi sy;/ o ai i mesmi-fustanen mbi gju…”
Nga kënga në këngë përfytyrimet e fustanellës vazhdojnë njëri pas tjetrit si dritë hëne: “ Nuseja na fshin oborrë/ me një trëndafil në dorë/, shkon një trim fustanegjerë…” Gjetkë fustani i hijshëm i djalit harmonizon vajzën me nënën për marrëveshjen e martesës: “Cili të pëlqen moj bijë”?/ – Ai me fustan të mirë! – Pastaj: “Krushqitë ja tek po vijnë/ një mijë e një qind kalorë/ trima e fustanehollë”. Në një martesë tjetër, mesa duket të furishme që s’e priste puna, vajza në këngë e tregon të shoqin komit me fustanellë të zezë: “As më sheh as më kish parë/, fustanzi e pallëlarë”. Nëse i shoqi i ikën larg, ndër shqetësimet kryesore të nuses është fustanella e tij te gjendja e së cilës ajo përfytyron fatin e vet të shoqit: “I hipi kaikes shkoi nëpër det/, o moj ime vjerrë, si nuk të vjen keq!/ Në iu gristë fustani kush vallë ia qep?…” Në një këngë tjetër të tillë djali shpreh dhëmbjen që vajza ia këputi miqësinë, dhe si arësye të pikëllueshme shpreh gjëndjen e fustanellës që tjetri, si më i pasur, i kish më të gjera e më të mira: “Mikja zuri miq të tjerë/ zuri ca fustanegjerë…” Të tillët fustanë – hutonjës asaj i morën mendtë! (të kujtohen zogjtë e Darvinit te “Prejardhja e llojeve”: sa më të bukur t’i kenë ktahët aq më tepër i hapin ato në sytë e femrave në stinën e dashurisë së zogjve).
Ky shkëlqim u ka vrarë shpesh sytë sunduesve apo armiqve të vëndit tone. Duke e paraqitur shqiptarin sa më të errët, të pakulturë e shije, ata e ndjenin më sigurt udhën drejt pushtimit të tij si komb dhe si dinjitet njeriu. Kështu, ata synonin t’i hiqnin nga sytë çdo gëzim njerëzor të jetës e të shpirtit. Në “Bleta Shqiptare” jepet një pamje e kësaj veshjeje brilante kënduar nga populli: “Shikoni ç’fustanë mban/, tegelat mbi kllapedan/, fermelenë gjithë ar/, sumbullat margaritar/, mesthin ngjeshur me tokà/, gjithë larë në sermà/. Pastaj Mitko përmend sesi më 1828 në Korçë dhespoti grek e mallkoi, si për gratë dhe për burrat, veshjen e petkave të tilla qëndisur aq ndritshëm me flori! Populli që e kish në zemër atë shkëlqim veshjeje të tij e mallkoi rëndë në këngën e vet dhe njeriun e parësisë që u bë vegël e dhespotit të zi bizantin: “More Nule kurrizdalë/, mos të mbettë as çupë as djalë/, na preve kriso-gajtanë/. Culkë, mos u trashëgofsh/, bëre beden treqind grosh/ pullat sa një karagrosh”!
Heberland, etnograf austriak i filllimit të sh. 20 tregon rastin mbresëlënës rreth malësoreve tona fisnike të Veriut. I huaji që i pa me sy shkruan me stil Europe se ato “kishin dëshirë të dukeshin të bukura…të dhëna së tepërmi pas tualetit…kapardiseshin me përparëse shumëngjyrëshe edhe pse shpesh herë të arnuara”. Lajmi vajti gjer te Papa i Romës i cili kërcënoi “shqiptaret e pabindura se do t’u ndalonte varrimin në tokën e shuguruar po të mos hiqnin dorë nga zakoni i tyre i patenzonë për modën”!
Në vlerësimin popullor për trimërinë burri dhe fustanella qenë portreti dhe korniza bashkë. Po të thoshje njërën do nënkuptoje tjetrën e cila e thirrte në ndihmë shoqen për t’u bërë më e plotë! Fryrja në këngë ca si tepër e njërës përligjej me praninë e tjetrës. Sasia dhe hijeshia e kindave të fustanit qenë dhe vijat me të cilat populli skiconte fytyrën e burrit, kështu që madhështia e fustanit qe dhe madhështia e të zotit që e vishte. Për një trim të shquar vrarë në luftë elegjia popullore shprehet madhërisht: “Fustani – një fushë e gjerë/, armëtë kush do t’i ngrerë/, Hasan-o, zebush-o,/ trim i rrallë i nënës-o!” Gjetkë thuhet: “Kush i shkel malet me borë?/ Musto beu fustanehollë”. Kënga tjetër: “O burrë, o fustanebardhë/, Myftar bej, Myftar Vojvoda/, ku i le të shkretat oda?” Gjetkë me fustanellën në trup të burrit kënga krijon një imazh me përndritje qiellore: “Leu dielli, leu hana/, Gani Begu vesh fustana…”
Vaso Pasha në romanin “Bardha e Temalit” me një veshje të tillë – fustan të gjerë e xhamadan të shtrenjtë – e vesh përfaqësuesin e parisë shkodrane, Osman Agë Hotin, Aradin e Vlashajve. Nuk është e rastit që në veshjen e fustanellës siç kanë dalë vëllezërit Frashëri, shohim aq figura të shquara në kohë dhe vënde të ndryshme, por gjithmonë shqiptarë. Edhe pse ideologë të mendimit rilindas, fustanellën ata e kanë veshur si simbol kombëtar të dashurisë e krenarisë për të. Te “Lahuta e Malsisë” Fishta e jep të veshur me fustanellë Abdyl Frashërin në Kuvëndin e Lidhjes së Prizrenit; për këtë dikush e qorton për pasaktësi “historike” pasi Abdyl Frashëri kish shkuar me rroba diplomati! Sigurisht këtë Fishta e dinte por duke e dhënë me fustanellën kombëtare, poeti i madh e plotësonte diplomatin e madh si zëdhënës të plotë të kombit në të gjitha pamjet. Me një veshje të tille shqiptarët kanë qenë gjithandej të dukshëm dhe befasues për udhëtarët dhe studjuesit që i kanë parë vetë me sy. Më 1717 udhëtarja Meri Ë. Montegu në një letër të saj shkruan për një trupë shqiptarësh luftëtarë: “Janë veshur e armatosur të gjithë me shpenzimet e veta…veshur me rrobet e tyre të bardha të pastra…Ai që ecte përpara ia merrte një kënge të ashpër por jo të pakëndëshme ndërsa të tjerët i mbanin zë në kor”. Udhëtari studjues Ch. Gouffier pasi i ka parë arbërorët në Koronë-Greqi, më 1782 thotë: “Veshja e tyre përbëhet nga brekët e gjëra, një fund i shkurtër, një jelek i zbukuruar me shumë radhë sumbullash argjendi, pafta e gjerdanë”. Në fillim të sh.19 dy detarë amerikanë panë në Maltë ca shqiptarë në udhë: ”Ishin të gjithë të veshur me kostume kombëtare shqiptare” shkruajnë ata. Në të vërtetë ishte Said Ahmet Efendiu të cilin Ali Pashë Tepelena e dërgonte në Londër me një letër për mbretin Xhorxh. Dhe i dërguari zyrtar i Aliut udhën diplomatike për në shtetin e Anglisë e bënte me fustanellën kombëtare të shqiptarëve. Bajroni i shkruante nënës për shqipëtarët me rroba të tilla: “Më ranë fort në sy ngaqë u ngjajnë malësorëve të Skocisë në veshje, në fytyrë dhe në mënyrën e jetesës. I njëjti fustan, ndonëse i bardhë”.
Është dëshmi e veçantë ngjarja më 1913 kur në Gjinokastër Komisionit Ndërkombëtar për caktimin e kufirit jugor iu mblodhën qindra njerëz; ata rrethuan aty ndërtesën e Fuqive të Mëdha duke thirrur me të madhe kundër synimeve shovene: “Jemi shqiptarë, s’pranojmë kombësi tjetër!” Qenë të gjithë me kostumin kombëtar dhe fustanellën e mbanin veshur si një dëshmi të patjetërsueshme të përkatësisë shqiptare. “Qe një pamje madhështore që të rënqethte trupin” shkruan në përshtypjet e veta i pranishmi i Fuqive të Mëdha. Dëshminë me anë të fustanellës të të qënit shqiptar e shpreh kënga popullore e kohës: “Na erdhi Kolonja me fustan të bardhë/ – Ne nuk jemi grekër, jemi shqipëtarë -”! Më 6 prill 1814 Napoleon Bonaparti hoqi dorë nga sundimi. Klubi i Bajronit dha një mbrëmje të posaçme kostumesh. Është në nderin e vecantë të fustanellës që Hobhauzi aty u paraqit krenarisht me atë kostum shqiptar. Ambasadori rus në Stamboll i shkruante M.P. të Jashtme të tij: “Bajroni po vishet e shetit me rroba shqiptarësh nëpër rrugët e Mesolongjit!” (ai kostum mbajtur nga Bajroni tani është relike e çmuar në muzeun Kombëtar të Kostumeve në Londër). I veshur me të, poeti i madh mban përjetësisht pranë magjinë që e mrekulloi të asaj fustanelle të cilën e quajti nga ana e tij “veshja më e mrekullueshme në botë”. Prej andej i pohon në çdo kohë botës fjalët që i kish shkruar nënës nga Shqipëria: “Unë i dua shqiptarët”.
Ndoshta një nga mrekullitë e fustanellës është se e ke të vështirë të përcaktosh kur ajo është më e hijëshme, në qetësi apo në lëvizje! Sidoqoftë njëra gjendje e saj duket edhe më madhështore kur e vë pranë tjetrës. Në “Çajlld Harold” Bajroni atë e ka dhënë në të dyja këto gjëndje. Së pari: “Shih të rreptin shqiptar me fustanellë/ e rrobat të qëndisura në ar,/ armët të lara me flori-sa bukur!” Më tej në lëvizje: “Çdo luftëtar e flaku tutje shpatën/, kërcyen dorëpërdorë njëri pas tjetrit/. Me këngë apo vajtim u drodhën fustanellat”. Do të thonim, kur fustanella i rri të zotit në qetësi për trupi, atë e lidh me kohërat, drejt lashtësisë. Kur merr lëvizje, e lidh me hapësirat, drejt luftërave. Tek ajo bukuria e hijëshme me aftësinë e përdorimit janë të pandara. Burri ia hipën kalit drejt armikut, dhe fustanella bën atë hedhje të bardhë disi qiellore, thua se i hapet të zotit që ai ta marrë në krahë e të fluturojnë tok! I zoti hyn në valle dhe ajo, me dallgët që i jep trupi i tij bën ato hedhje të pakrahasueshme ku brenda harmonisë gjeometrike lëviz shpirti i gjallë njerëzor.
“Në këtë dëfrim të tyre, thotë Hobhauzi për vallen me fustanellë, ata ruajnë diçka shumë të ngjashme me vallet luftarake të përmendura te autorët klasikë, me vallen e lashtë pirrike”. Plutarku përmend se ushtarët e Lekës së Madh (veshur me fustanellën pelazgo-ilire të tyre) hidhnin një valle në dy grupe; një grup kryesohej nga një “Aleksandër”, tjetri grup nga një “Dar”. Thuhet se vetë Aleksandri i Maddh para se të sulmonte persianët e hodhi këtë valle rreth varrit të Teodotit. Po ashtu si për të nderuar Akilin, i vajti rreth e rreth me valle varrit të tij (siç kish bërë dhe Akili rreth Patroklit).
Të tillë valle me fustanellë kleriku anglez Hjuz e quan “vallja albanitiko” ose vallja kombëtare shqiptare. Ajo, thotë më poshtë ai siç e pa vetë te Ali Tepelena në një festim “u hodh nga shumë valltarë të zgjedhur të gardës së Vezirit që ishin ftuar në festë”. Është vallja të cilën mjaft vëzhgues e shohin tepër të lashtë dhe e lidhin me vallen “pirrike” ose “burria” të Pirros së Epirit. Për një valle të tillë De Rada jep një kujtim të tij të bukur: “Më 1829 erdhi në kolonitë tona një ish luftëtar i Ali Pashë Tepelenës, Pano Spiro, dhe kërceu në shtëpinë time vallen pirrike që ish më tepër se ço gjë tjetër një kërcim përpjetë. Këtë valle unë e kisha parë të luajtur nga pleqtë tanë dhe mendoj se ka të tjerë burra të moshuar në kolonitë tona që kanë qenë në valle të tilla”. Më tej De Rada përshkruan si poet vallen: “Kur këmba e djathtë mbështetet rëndë mbi tokë dhe dora e djathtë zgjatet poshtë pranë kofshës sikur të ngulte ashtu shtizën në tokë, dora e majtë ngre bërrylin përpara ballit sikur kërkon ta mbulojë atë me mburojë”.
Fustanella zotëroi një hapësirë të madhe te shqiptarët, në trojet e tyre dhe më tej. Albanologu hungarez F. Nopça ka shkruar se “Toka ku ende dhe sot mbahet fustanella shqiptare është ajo tokë që kanë zotëruar qëmoti ilirët”. Kështu gjykon dhe dr. Holland kur thotë: “Zbulimi, sepse kështu gati mund të quhet, i një populli në hapsirat malore të Ilirikumit e të Maqedonisë dhe në disa pjesë të Epirit antik që ka qenë i dallueshëm përsa i përket gjuhës, veshjes dhe zakoneve kombëtare ka tërhequr natyrisht vëmendjen lidhur me prejardhjen e tij”. Në Shqipëri, thotë etnografi M. Haberland më 1928, mund të gjenden pothuaj tërë tipat e veshjeve të Ballkanit”. Megjithatë, siç është thënë me të drejtë nga studiues me emër, fustanella me madhështinë burrërore dhe bukurinë piktoreske të saj i la në hije apo ua ngushtoi hapsirën të tjerave..
Qe bërë modë që vëndet e Ballkanit cilësoheshin nga Europa si të pakulturë e tragjikë, megjithëse qenë viktimë e cinizmit të vetë Europës, veçanërisht shqiptarët. Dhe përmbi këto, udhëtari studjues G. F. Brouen më 1852 thotë se kostumi me fustanellë i shqiptarëve është “cilësi për njerëzit gjysëm të qytetëruar”. Duhet të jesh me shije të qytetëruar si popull që të krijosh e të mbash të tillë veshje, të magjishme për të gjithë. Studiuesi tjetër J. Besti këtë veshje e gjen të harmonizuar me tokën e saj kur thotë se “Në të vërtetë tërë veshja shqiptare i përshtatet shumë vendit ku ata banojnë”. Erkhart dallonte dhe hollësi mes fustanit gegë e toskë. Ndërsa piktori e poeti E. Lir dallon se fustanellën e mbanin: gegët – me të kuq, myzeqari beratas – të bardhë; shqiptarët më në jug – shumëngjyrësh”. Te “Ditari i një peisazhisti” më 1848 kur përshkoi mespërmes vendin tonë ai shkruan për Shqipërinë e Mesme të Toskërisë: “U habita nga ndryshimi i plotë i kostumeve! Në vend të frakut të purpurt, veshjes së kuqe të ndezur, jelekut të zi dhe fustanellës së shkurtër të Gegërisë, këtu gjithëshka është e bardhë. Rrobat janë të pastëra e të buta në ngjyrë të përhimët, fustanella të gjata me shumë rudha ndërsa shumica, në vend të festes së kuqe mbajnë feste të bardha”. Një studjues grek thotë se Arbërori Karaiskaqi, heroi i revolucionit të 1821-së, me fustanellën toske shqiptare mbante dhe këmishën e kuqe të Shkodrës, “shkodrania” siç i thoshnin.
Tërësia e veshjes që rrethonte fustanellën ngarkonte, sipas krahinave, dhe ngjyrat e vëndit dhe psikologjinë e njerëzve. Megjithatë fustanella e bardhë qe një përfaqësi e qëndrueshme për të gjithë e në të njëjtën kohë një tregues i patjetërsuar etnografik i bashkësisë si një etni, i tërë shqiptarëve. Lexon “Bletën Shqiptare” të Mitkos, “Valët e Detit” të S. Dines, folklorin e Çamërisë, të Kosovës e me radhë, e fustanella zbardh e hapur gjithandej si një vulë e vetme Shqipërie: “Gjoleka në Shur të Kuçe/ me fustan mbi gju hajduçe”/ te Labëria. “O Vlladika, bir i shkinës/, mos ia ven topat Vraninës/, nuk i njofte fustanllijtë/ që me dorë t`mbyllin frangjijtë”/. “Marko kral e gunëmurmë/ me fustane përmbi gjunë/, kapetan për gjithë Sulë”/ përshkruhet Marko Boçari i Sulit. “Dimbëdhjetë shqipëtarë/ festezes e fundebardhë/ atje brënda mu në Pargë” këndon Çamëria, e të tjera.
Në këtë harmoni plotësojnë dhe të huajt. Udhëtari dijetar Spencer e përshkruan Gjolekën ashtu si kënga popullore “me fustan mbi gju hajduçe”. Gjetkë ai thotë se fustanellat e bardha me qindra palë i vuri re nga Prishtina në Mitrovicë siç dhe e shoqëronin me radhë: “Arnautët e hijshëm me kostumin e tyre piktoresk, xhamadanin zbukuruar me gajtanë dhe fustanin e bardhë”. Të tillë e ndeshi në Plavë, Guci, Shkodër, Mirditë, Ohër e Prespë. Diplomati rus Hilfedring më 1859 e pa tek “popullsia në fushën e Srenicës në veriperëndim të Novipazarit, aty ku nisin vendbanimet e shqiptarëve”. Konsulli austriak Hahn më 1854 e ndesh në Pukë. Më poshtë ai thotë: “Ne u habitëm kur vumë re që në Bicaj fustanella përdorej si veshje burrash në një masë zotëruese”. E. Lir e vizaton si piktor fustanellën edhe në Ohër, Lezhë e Shkodër, ndërsa Lejard admiron fustanin e banorëve kryengritës të Dibrës. Konsulli francez Ami Bue fustanellën e takoi në pashallëket e Prishtinës e Novipazarit; pastaj nga Shkodra, shoqëruar nga pamja e pandarë e saj, zbriste në Maqedoni gjer në jug. Nga ana e tij udhëtari H. Holland fustanellën e pa te fshatarët shqiptarë në Prevezë dhe te truproja e Ali Tepelenës në Janinë. Bajroni e takoi gjerësisht në Jug, siç e përshkruan te Çajd Harold “ky shqiptari fodull me fustanen nbi gju”, apo “E kush është më trim se suljoti zeshkan/ me fustane të bardhë e të zi tallagan?!”
Arbëreshët e Sicilisë e Kalabrisë morën me vete matanë detit dhe fustanellën. Ajo mbahej aty si veshje, siç e kujtojnë të moshuarit gjer vonë ( rethanat dhe koha bënë të vetën duke e rrallua). Daniele Gambara shkruan “Dimë nga rrëfimet dhe skicat e udhëtarëve që në ca fshatra burrat ende vishnin kostumin tonë ballkanik me fustanellë… Fshatarët e fundit me feste konike (feste me majë) që mundi të fotografojë Rolfsi gjendeshin në vitin 1923 në ca fshatra si Lungro, S.D.Koronë etj.” Kurse Monique Roussel de Fontanes tregon për fshatrat arbëreshe: “Veshja e banorëve, megjithëse është zhdukur që prej më se një shekulli përbëhej nga një fund me fustanellë, me një brez të gjerë lëkure që e zbukuronin koburet e thikat të cilat mbaheshin në të” Piktorja dhe etnografja arbëreshe Konçeta Maxein thotë që “nga dëshmitë e botuara të udhëtarëve të huaj që kanë kaluar nëpër katundet tona marrim vesh se deri në fillim të sh. 19 në Karafë e Venë burrat arbëreshë vishnin fustanellë, kostumin dallues shqiptar”.Shtrirja në hapësirë e fustanellës ka me vete dhe thellësinë në kohë. Studiuesja etnografe A. Gjergji gjykon se fustanella përmendet aty nga viti 1335 por prejardhja e saj ilire është më përpara, që në sh. 5 e 4 p.e.r. Studiuesja e shquar Nermin Vlora (Falaski) te libri “Gjuha etruske është e gjallë” ku paraqet me aftësi të veçantë rrënjët e kombit shqiptar, jep dhe piktura etruske. Kështu Perëndia me emrin KHARUN (shqip Kahrun=mbrojtës) jepet kuptimi vigjëlor – një lloj arme me krah shqiponje dhe fustanellë. Po ashtu aty Perëndesha etruske VANTH (shqip -Vend, Mëmëdhe) ka një pishtar në dorë, krahë të mëdha shqiponje dhe fustanellë.
Në fshatin Cmokthinë të Labërisë një gur varri i sh. 3-4 pas Kr. ka një njeri veshur me fustanellë. Po kështu, njeri i veshur me fustan, është gjetur në një terrakoto të lashtë të Durrësit. Në kishën e Sh. Mërisë pranë fshatit Llopaticë të Manastirit në dyluftim me Marko Kralin paraqitet i pikturuar Musa Arbanasi, apo Musa Qesexhia veshur me fustanellë shqiptare (është fjala për degën e Muzakëve të shek.14). Me vlerë të veçantë është piktura kishtare “Shën Gjergji” në Janinë, gjithashtu veshur me fustanellë shqiptari!
Dukuria e fustanellës edhe tej trojeve ku banonin shqiptarët e bën atë, ashtu si rezatimi dritën, edhe më tërheqëse e të çmuar. Njerëz të shquar të parë me botën e të ditur kanë përqasur vizionin e fustanellës shqiptare me simotra të ngjashme të saj në kohra e hapsira të tjera. “Kostumet shqiptare, veçanërisht ato të grave, thotë anglezi Hjuz, kanë ngjashmëri të veçantë me ato antiket”. Si një përqasje drejt fustanellës kujtomë se studjuesi francez Zaharia Manjani thotë që elementë të veshjes etruske i gjejmë te “xhubleta” e shqiptarëve (ashtu si “llabania” labe të sjell afër veshjen përkatëse ilire). Doduell xhoken dhe xhamadanin prej kadifeje plot zbukurime i krahason me tunikun e lashtë antik.
Për të afruar dhe pohuar ngjashmëritë në gjykime, përmëndim se historiani i lashtë, Polibi thotë që “kaloria romake mbante një fund të shkurtër”. Nga ana e tij dijetari francez Ami Bue shkruan: “Fustani ose fundi i shkurtër shqiptar…të kujton kiltin e keltëve dhe fundin e udhëtarëve romakë”. I tillë është dhe vlerësimi i G. de Vonkur në udhëtimin e tij më 1807 në trevat shqiptare: “Shqiptarët mbajnë një tunikë të ngjeshur për mesi me një brez lëkure ku vënë koburet, jataganin dhe varin dy vezme”. Fustanellën shqiptare koloneli studjues Lik e krahason madhërisht “si perdet që mbulojnë statujat e romakëve”. Për një grup shqiptarësh me fustanellë që takon në Mesinë, Hjuzi thotë se “me pamjen luftarake, ecjen krenare dhe veshjen e madhërishmë të kujtojnë heronjtë e Homerit”.
Tok me të zotin, erërat e historisë e lëvizën fustanellën edhe në vende të tjera. Apo të huajt, siç thamë, me t’u njohur me shqiptarin, nga madhështia dhe bukuria e saj fustanellën shqiptare e bënë dhe veshje të tyre, thua prej palëve mahnitëse të fustanellës do t`u përcillej edhe trimëria e fisnikëria e zotërve të saj (një lloj përsëritje e përafërt në histori me rrëmbimin e copëzave – hajmali të eshtrave të Skënderbeut). Studjuesi F. Nopça thotë se fustanella “ka prejardhje thjesht iliriane, pastaj me anë të njeriut ilir në Itali mund t`i ketë dhënë shkas uniformës ushtarake të romakëve.” Ngjasinë e fustanit shqiptar me atë keltik, mendon dijetari, legjionet romane e kanë shpurë në Bretanjë. Pirrua i Epirit kish keltë në ushtri të tij. Dihet gjithashtu që ilirët kishin bashkëtakim me keltët në Alpe o në Italinë e Veriut. Mbi të gjitha, gati një e treta e perandorëve të Romës qenë iliro-dardanë të cilët ecnin me ushtritë e tyre gjer në majë të sundimit. Ata i shpëtuan Romës mbi dy shekuj jetesë duke e mbrojtur nga sulmet e pandërprera të barbarëve. Anglinë e Skocinë e mbajtën rreth dy shekuj nën administrim, dhe perandori që e pushtoi qe iliri Kostandin Klori (Verdhani)! Nga adhurimi për trimërinë dhe fisnikërinë e ilirëve pranë tyre ata, sidomos skocezët kanë marrë dhe fustanellën e tyre! (Me atë kostum prej feste e kemi parë në TV dhe princin e Anglisë, ushtarë garde në Vashington etj.)
Holland shton se, megjithatë veshja e shqiptarëve nuk ngjan me të tjerat: “Sardi gjysëm lakuriq, siç e vëmë re në udhët e Kaliarit, nuk është veç një paraqitje e mjeruar e figurave madhështore që bëjnë roje në pallatet e Ali Pashë Tepelenës…Fustani, vazhdon Holland, ashtu si dalmatika që u hap gjerësisht në Romë, dhe kapuçet e gjata të ilirëve hynë në kulturën romake prej ilirëve e me kohë u përdorën në legjionet romake”.
Është e natyrëshme se fustanella bëri udhë më shumë mes fqinjëve më të afërt. Kjo sidomos te grekët. Studiuesi Tomson thotë që “Fustanellën shqiptare grekët e përdorën pas Pavarësisë së tyre më 1821 si veshje kombëtare”. Studiuesi Jorgos Marugas në Greqi shkruan: “Fustanella tepër e bukur e shqiptarëve toskë dhe opinga me xhufkën u përvetësuan dhe u bënë veshja e dashur kombëtare e helenëve të rinj”. Dhe më poshtë: “Në kohën kur dhjetë mijë banorët e Athinës osmane vishnin një rrobë të gjatë si rraso të neveritëshme…Atika arbëreshe që e qarkonte paraqiste dhjetëra veshje të shumëllojshme, vishte fustanellën e gjatë e të bardhë dëborë të thurrur në vegje, këmishat e gjera e tërë pala të burrave”. Në ditarin e udhëtimeve në More më 1805 Liku shkruante: “Shqiptarët e Greqisë e ruajnë veshjen e tyre kombëtare…Kandleri ka të drejtë kur thotë se fshatarët shqiptarë të Atikës kanë një kostum ndryshe nga greku. Kjo vihet re edhe në Beoti dhe në krahina të tjera ku shqiptarët kanë qendrat e tyre.” Më tej vazhdon: “Veshja shqiptare po vjen e përgjithësohet nga dita në ditë si në More dhe në pjesën tjetër të Greqisë… Ndoshta nga përparimi i Hidrës e cila është një koloni shqiptare, fustanella u përhap në disa pjesë të Moresë dhe veçanërisht në Argos e në krahinat e Atikës e Beotisë. Veshja e tyre është më e lehtë, më e përdorëshme se ajo e turqve ose e grekëve”.
Historiani anglez Finlej, duke adhuruar fustanellën e shqiptarëve jep dhe një përgjigje të hollë ironie (siç e citon me ëndje Konica) ndaj përvehtësuesve të pacipë grekë: “Në atë kohë nuk qe gjë e rrallë të shihje në Greqi e Maqedoni fëmijët e osmanllinjve më fodullë veshur me fustanin e bardhë të toskëve. Dhe kur Veli Pasha, djali i dytë i Aliut të Janinës qeverisi Morenë më 1807-1812, edhe fëmijët e klasës së shquar të Greqisë morën guximin të visheshin me këto rroba, veçanërisht kur udhëtonin; vetëm kështu kishin të drejtë të mbanin armë”. Këtë pohon dhe admirali francez J. De la Gravierë: “Shqiptarët formojnë një racë më vete në Evropë. Gjatë sh.18 këta ushtarë malsorë i bënë shpejt vënd vetes si në fuqi ashtu dhe në rëndësi”. Dhe më poshtë: “Veshja shqiptare u bë e modës dhe otomanët më kryelartë e vishnin me krenari fustanin e bardhë të Shqipërisë Jugore. Edhe vetë grekët, në kohën që djali i dytë i Ali Pashës, Veli Pasha qeveriste Morenë e përshtatën këtë veshje si shenjë burrërie dhe e bënë uniformë mburrëse të palikarëve”. Koloneli Lik plotëson: “Është bërë zakon për turqit e Greqisë që fëmijët e tyre t`i veshin si shqiptarët sepse për vete s`ua lejon dinjiteti dhe paragjykimet që ta mbajnë atë. Djali i Hasan Beut vishet ‘l`albaneze’; kurse ai vetë – si galionji ose si detar turk”. Në një Ditar të tij burri i shquar Javer Hurshiti (pushkatuar nga diktatura) tregon për fustanellën që e mbanin gjer në fillim të sh. 20 arvanitasit: ”Kapedanët në Greqi ishin disa pleq (të moshuar) që kishin luftuar për Pavarësinë e Greqisë, ose dhe djem veterani, e këta vishnin fustanella, petka shqiptare të vyera e të arta”. Në veprën e çmuar, “Arvanitët” dijetari Aristidh Kola shkruan: “Shumë grekë e mohojnë se fustanella është veshja kombëtare zyrtare e shqiptarëve. Për saktësi, është veshje luftarake dhe festive.” Më tej spjegon:” Emri i fustanellës duhet të vijë nga fjala ‘fusht’ ose ‘ushtri’ në fushëbetejë…Theksojmë se fustanella arvanite dhe pjesët e tjera të saj përbënë më pas veshjen kombëtare greke në vitet pas revolucionare. Kjo nuk ndodhi nga dashuria e disa joarvanitasve ndaj disa arvanitëve”. E më tej: “Dhe dizajni i veshjes otonike (në kohën e mbretit Oton) e njohur si ‘e Amalias’ u bë në bazë të veshjes së grave arvanite”.
Te veshja përfaqësuese çdo popull trashëgon fytyrën dhe psikologjinë e tij. Siç dëshmojnë dhe të huajt, grekët duke pështjellë rreth vetes fustanellën shqiptare, mëngoreve u futnin duart dhe i veshnin si këmishën (thua nga frika mos ua mirrte era)! Kurse te shqiptarët mëngorja i ka sqetullat të hapura dhe krahët hyjnë lirisht si në odën e tye të burrave, duke u qëndruar besnikë në çdo fluturim erërash që do të bënin tok. Nga ana e tyre mëngët te shqiptari janë të qepura vetëm në supe; pjesa tjetër hidhet pas shpatullave (duke të kujtuar kështu flamurin rrotull shtizës). Mëngët dhe mund të vishen por zakonisht lihen të lira pasi të dy bashkë, kostumi dhe i zoti janë krijuar për të fluturuar jo për të ndënjur. Këtë veçanti Bajroni e pohon nga vëzhgimi që i ka bërë një poezie të poetit anglez Spencer i cili një veshje të tillë parë në skocezët e cilëson siç duket te origjina – “mëngët varur shqipëtarçe”.
Në “Kujtimet” Ismail Bej Qemali tregon se në oborrin e mbretit të Greqisë ku shkoi për të qarë hallet e përbashkëta si fqinjë kundër tiranisë së sulltanit, takoi roje të oborrit disa arbërorë të armatosur. Ata iu afruan me fustanellën shqiptare, duke i folur me dashuri e shqetësim dhe për fatin e kombit të përbashkët, Shqipërisë. Arkeologu anglez Doduell te vepra “Vizitorë të huaj në Greqi” përshkruan atë që pa me sy: “U hap dera e u shfaqën rreth 12 arbëreshë me një pamje të ashpër të frikëshme, të veshur me kadife plot ar e të armatosur gjer në dhëmbë, thua se do fluturonin për në luftë!”
Me studjuesit grekë hajdutë kulture, Simopullos e Bakallopullos polemizon Aristidh Kola te “Arvanitët”. Ata mohonin shkencëtarin anglez se luftëtarët me fustanellë qenë arbërorë, duke i quajtur sipas ëndrës së tyre “grekë suljotë”! (pak vite më pas Aristidh Kola papritur ndërroi jetë i helmuar)!
Dijetari Finlej gjykon saktë e bukur të vërtetën e pamohueshme: “Qe fama e shqiptarëve ajo që i bëri grekët të përshtatin fustanin shqiptar si kostumin e tyre kombëtar. Dhe është pasojë e adhurimit të kësaj shqiptarizme që oborri i mbretit grek Oton mori këtë pamje melodramatike për të shpikur shkëlqim me një varak majmunërie të veshjes së shkëlqyer e madhështore të shqiptarëve e cila tërhoqi vëmendjen e Ç.Haroldit në sarajet e pallatit të Tepelenës. Mirëpo, vazhdon sarkazmën e mprehtë Finlej, fustanella prej basmaje qëndron në trupin e grekëve si një fund prej letre i prerë për fëmijë; kurse fustani i bardhë i toskëve, prodhim i fortë i argalive të vendit derdhet si perdet me pala të antikitetit”.
Kalorsiak nga fisnikëria e pa asnjë shënjë vjetërimi, shqiptari me veshjen e vet gati hyjnore nuk ka bërë kurrë asnjë hap lufte kundër fqinjëve. Këtyre të fundit kostumi shqiptar nuk u kujton asnjë njollë gjaku të vet mbi të, ndryshe as që do ta përqafonin aq të përgjëruar! Po të kish njolla gjaku prej vrasësi do t`i rrinin larg si një të zeze të frikëshme që të ndjek pas (si tunikut vdekjeprurës të Herakliut). Fustanellën veshur në trupin e fqinjëve të Veriut grekët e panë t`u afrohej vetëm si shpresë lirie në çastet më vendimtare të historisë së tyre për Pavarësinë. Vlen të përmendim atë që thotë studiuesi grek J.S.Maruga për arvanitasit në Greqi se ata “pothuajse asgjëkund gjatë lëvizjes së tyre nuk u ndeshën me popullsinë vendase helene”. “Jo më kot, thotë më poshtë ai, pjesën më të madhe të Panteonit të heronjve të kryengritjes sonë për Pavarësi e zenë figurat legjendare arbëreshe”.
Populli i ka kënduar aq me nderim e dashuri fustanellës së tij, sa e ka shpirtëzuar. Palët e saj janë dhe fletë të biografisë së bijve më të zgjedhur të tij. Kjo ndodh në atë shkallë sa vlerësimin e njeriut e bën dhe nëpërmjet kësaj veshjeje, si zëdhënëse besnike e të zotit e cila mund të flasë e të mbajë dhe përgjegjësi për bëmat e tij! Po ashtu armiqtë folklori shqiptar i ka gjykuar nisur dhe nga kostumi i tyre fisnik e paqësor. Kështu shpjegohet, mendojmë që në folklor gjejmë të tilla cilësime : “Hurshit pashë binishgjatë/ ku i çon kta shtatë bajrakë?!” “Të luftojmë për vatanë/ me halldup shallvaremadhë!” Apo: “O Bilbil, ç`janë ata? /halldupë me dollomà”. Gjetkë: “O halldup shallvaregjërë/ në të zënça dot guberrë!..” “O Çelo ç`e bëre mirë/. preve bej shallvarezinë!” Për banditët shovenë thuhet, po nga veshja e tyre: “Morainjtë xhufkëgjatë”, “morainjtë kësulëgjatë”, “Ç`na mblodhi junani, një kapellozi”/… “Mos trembi nga shapkazestë”… “Shàpkatë në vend u mbamë” e me radhë.
Fustanin e tij shqiptari s`e ndërronte as me një veshje tjetër Evrope. Besnik i veshjes së tij, atij s’i ulet syri përballë rrobes së “halldupit”, as i merren mendtë nga veshja e “frengut”. Çngjyrimin e veshjes ai e shihte si çngjyrim në kombësi. Populli e ka tallur atë që i shkelte veshjen kombëtare: “Ti, more Foto Xhavella/, seç na bëre me kapella”, dhe më tej: “O more Foto Xhavella/ more Foto shqipëtari/ pse na bëre me kapella/ me kapella kacunari!” (veshje të huaj Evrope). Gjetkë jepet më i spikatur qëndrimi: “Ç`ia mësoi kësi tertipi,/ englez a Moskov jeziti?/ …fustanellën na i çveshi, rrobat e frengut na veshi.” Veshjen e huaj që do t’i zëvendësonte të vetën shqiptari e kish neveri gjer në mallkim. Në një lirikë me humor ai betohet në vendosmërinë për t’i marrë zëmrën një vajze: “Në të lënça moj e mjerë/ u bëfsha frëng me kapellë,/ lirë frëngu n`Ingliterë!”
Shqiptari nuk ka pasur kurrë përbuzje për tjetrin. Edhe veshjen nuk ia ka sharë kurrë fqinjit kur ai e ka mbajtur në paqe te vëndi i tij. Po kur ai kostum mbështjellë rrotull të zotit vrasës i është turrur tjetrit me zjarr e thikë, doemos do t’i përgjigjej me shprehje të pamëshirëshme, qoftë dhe për shkakun që kostumi qe gjëja e parë e dukëshme nga larg që i binte në sy dhe lajmëronte se po vinte vrasësi. Ndaj sharjes që i hidhej kostumit përgjegjësinë le ta mbante i zoti që e vishte, gjersa ironia e viktimës nuk është më e rëndë se njollat e gjakut që kostumi i vrasësit mban mbi vete! Shqiptari qe paqësor e krenar tok me veshjen e tij njerëzore, siç e përshkruan bukur dhe anglikani Hjuz: “Shqiptari me takien e vogël mbi kokë, me sharkun e hedhur supeve ashtu shkujdesur, me mëngoren e qëndisur, me fustanin e bardhë e xhamadanin e kuq si gjaku plot sumbulla argjendi… e sheh me mospërfillje pjesën tjetër të botës”.
Dikush mund të thotë me shqetësim “moderni”, se shqiptari në sharjen e veshjes europiane shfaqet “eurofob”! Nuk është e vëretetë. Te ironia për frakun a kapelën ai ka përpara ngatërrestarët e Europës mbi fatin e tij, tërë ata zyrtarë cinikë e tinzarë ulur në tryezat diplomatike që me penat mbi hartën e Shqipërisë u hapnin udhë thikave të përgjakëshme të fqinjëve. Zyrtarët ndryshonin me radhë nëpër kohëra kurse veshja u mbetej po ajo, dhe po ajo qe në shënjë të njëllojtë te satira e shqiptarëve viktimë. Kjo nuk ka të bëjë me popujt e Evropës apo qytetërimin e saj. Shqiptari e ka dashur përparimin e Europës; qoftë dhe për një shpikje qytetërimi ai shprehej me habi adhurimi: “Bobo, ç’paska kërryer frëngu”! Apo më bukur: Nëna shqiptare e një krahine aq të pastër ilire në thellësi të grykave siç është Leskoviku (përshkruar aq magjishëm nga Miss Durham), i këndon vajzës së vet :”Vitori, t’u bëftë nëna/, krihmi leshtë alla-frënga”! (pra edhe një fshatare që as nuk dinte nga binte Franca, e nuhaste përparimin dhe të bijën e uronte që të krihej si “franceze”, pa i vajtur kurrë në mend t’i këndonte, psh. “Vitori, t’u bëftë mami/, krihi leshtë si talibani”! (siç do dëshironin ta përgojonin shqiptaren për “islamizëm” të prapambetur lepurushët grekomanë të mediave).
Vetëkuptohet ç`do të thoshte për shqiptarin t`i hiqje apo zëvendësoje kostumin e tij! Sa ulëritës është shqetësimi i tij në vargje të tilla: “Shokë, ç`do hiqet fustani/, do na vishetë shallvari!“ Një hall i tillë i madh që e zinte herë herë vajtohej prej tij me tërë ngjyrimet e mallkimit e të humorit: “Ku më gjet mua të zinë/ tek kullosja bagëtinë/ në malet me trëndelinë!” Më tej pikëllimi këndohet si mynxyrë e bërë, kur ai është dërguar në taboret osmane: “Na dhanë rroba të ngushta/…Rrobë e verdhë shumë e rëndë/ të mban tre sahat më këmbë!” Në “Valët e Detit” Spiro Dine shkruante bukur për shqiptarët se ata “S`kanë pasur frikë veçse nga rrobat e zeza, dmth mos venë nizamë”. Duke i thirrur rekrutë Porta e Lartë ua hiqte shqiptarëve veshjen kombëtare. Për këtë në Çamëri kënga vajton: “Na i veshnë djaltë frëngçe,/ na i lanë rrobat vënçe”. Këtë revoltë populli e çon gjer lart: “O Sulltan, Sulltan jeziti,/ kush ta dha kësi tertipi/, anglez a Moskov jeziti/, fustanetë na i çveshe,/ rrobat e frëngut na veshe!” Vjen natyrshëm e bukur ajo që shkruan Spenceri për të rinj të tillë të sapomarrë me forcë, sesi ata “…përpëliten, shkulin flokët dhe çirren si kafshëza të zëna në grackë kur veshin rroben e Europës Perëndimore.” Ekhart thotë sesi rekrutë të tillë u drejtoheshin udhëtarëve anglezë me lutjet prekëse: “Aman, i thoni beut të na lerë fustanellën, dhe ne do bëjmë ç`të dojë ai”! Uddhëtari tjetër anglez, Mak Ferlani përmend një murator shqiptar i cili i pati thënë: “Shqiptarët e lirë nuk do të vishen e stërviten si një tufë majmunësh. Ata e duan tepër fustanin dhe lirinë për të mos u katandisur kështu!”. Më poshtë i tha: “Kur Ali Pashë Tepelena donte luftëtarë gjente me shumicë se ata i linte të lirë të mbanin armë, të visheshin e të jetonin si etërit e tyre, në të njëjtën kohë ai trimat e tij i mbante në Shqipëri, s`i dërgonte në ultinat moçalore të Danubit. Pastaj ajo jetë kazerme, ajo jetesë në ato burgje të mëdha, të kruspullosur me njerëz të huaj që nuk janë të racës sonë! Phu! Kjo nuk durohet nga asnjë shqiptar i vërtetë!” Ndërrimi i kostumit kombëtar qe gjëma dhe fyerja më e madhe që mund t`i bëhej shqiptarit, qe më tepër se vdekja. Për krimin shkombëtarizues prej banditëve grekë ndaj një shqiptari populli shprehet me dhimbjen e veçantë pikëlluese: “As e vranë as e prenë,/ po hiq feste – vur kapelë”!
Shqiptari e ruajti fustanellën tepër gjatë, qoftë për madhështinë e bukurinë që harmonizohej dhe me psikologjinë krenare të tij, qoftë për vetësinë kombëtare mbështetur dhe me forcë zakoni. “Dalja” nga fustani do të qe ulje në burrëri. Por koha e varfëria bën të vetën. Mundimin për ta siguruar fustanellën pasi kushtonte tepër shtrenjtë për një banor të zakonshëm, ai e ushqente me fuqinë e sedrës duke bërë të pamundurën. Kjo lloj “drame” ku kacafytet krenaria me varfërinë thuhet me humor në një këngë: “Fustanella humai!/, koqe miell në shtëpi!“ Këtë përthyerje sedre nga ngushtimi ekonomik ai detyrohet ta zbutë të paktën me një përcjellje humori, siç e thotë dhe kënga: “O more Laze Kofina/ plot me arna t`u mbush linja!” Për një psikologji të tillë anglezi Lik shkruan për fustanellën se “Shpesh ato, për raste të shënuara merreshin hua apo me qerà”.
Me kohë gjendja ekonomike përcaktoi dhe shtrirjen e saj. Hahni thotë: “Dukej qartë se kjo veshje nuk ishte bërë as për një bujk as për një njeri dosido, po për një luftëtar”. Këto kostume “jashtëzakonisht të bukura e të hijshme, shton udhëtari Uiliams, ndryshojnë sipas pasurisë”. Studjuesi Doduell thotë që në Shqipëri “Të pasurit kanë tre kostume në vit të cilat i ndërrojnë sipas stinës”. Po ashtu udhëtari Bouen shënon që “Shtresat e ulëta mbajnë një këmishë të ashpër leshi derisa bëhet copë-copë, kurse kostumi i shtresave të larta ishte jashtëzakonisht i pasur dhe i hijshëm”. Një atdhetari të moshuar i këndohej me dhimbje varfëria të cilën ia dallonin te fustani: “A i mjeri plak me mjekër të thinjur,/ fustanen e bardhë risa-risa grisur!” Hilferding në udhëtimet e tij si diplomat rus më 1859 shkruan se “fustanin e veshnin më të pasurit”. Këtë gjendje Hobhauzi e jep më të spikatur: “Fshatari i varfër dhe ushtari shqiptar në çantën e fishekëve me vete mbante gjithmonë dhe një gjëlpërë të gjatë, penj, fill leshi e spango si dhe ndonjë copë të vogël lëkure për të qepur herë pas here fustanellën, xhoken ose opingat e shqyera”.
Me kohë fustanellës iu ngushtua përdorimi jo vetëm nga hallet por dhe nga përdorimi në kushtet e reja të jetës e të luftrave të cilat po e humbisnin anën kalorsiake. Fustanella e lashtë nuk ecte më dot në frontin e gjerë të disiplinuar të betejave moderne edhe me hilé brënda luftimit (të kujtohet humori i Don Kishotit kur i qahet me pikëllim të pangushëlluar Sanços: “Iku, vëlla Sanço, ajo kohë e trimërisë vetësore të shpatës që kur një frikacak sojsëz fshehur pas një ferre në hendek e këput lulen e trimit me një koqe plumbi të lëshuar që nga larg”!) S’ka dyshim që kjo nuk zbeh lavdinë historike të shqiptarit me fustanellë. Mitko boton këngën nga populli dhe për këtë fenomen tä pashmangshëm: “Duallë kapedanë me dyfek-martinë/, fanellat u zbardhë, fustanet u nxinë”.
Shpesh ish luftëtarë, për të mos u ndarë nga krenaria e trimërive të shkuara mbanin dhe në moshë të thyer fustanin e zi të djalërisë. Kujtojmë këngën popullore për Malo Zhëlencën: “fustanenë korbë, që të djalërisë!” Me ngjyrë të përzishme fustanelle përshtaten dhe pikëllimet e grave kur karvanarët u përcillnin burrat në kurbet, thua me errësimin në ngjyrë të fustanellës bëheshin më pak të dukshëm udhës!
Sidoqoftë edhe nga rëndesa e madhe asaj iu ngushtua përdorimi. Në një këngë popullore flitet për luftëtarin e shquar Mehmet bej Qafëzezi. Më 1862 ai lufton si i tërbuar në Veri, por e pengonte fustanella. Ahere atij i hipën furia e madhërishme e trimit, e pret atë me shpatë që të jetë më i lirë: “Nuk e lë fustan i shkretë/, nxjerr kordhën e preu vetë/, mbet në kallca e në brekë/, dhe mori Rekën e shkretë!”
Për aq sa rrinte veshur, fustanella bënte edhe një ndarje të njeriut me punën. Piktori A.Mehju më 1859 shkruante për një trim shkodran, Adem Agën: “Në qytet mbante fustanin e gjerë me jelek të kuq qëndisur, kurse kur do nisej për Kelmend veshi tirqet e bardhë me gajtan të zi e gjurdinë”. M.Durham gjithashtu: “Beu muhamedan kapardiset i veshur me një fustanellë të parehatëshme që i arrin gjer te nyjet e këmbëve…Ai nuk punon dot ngaqë mban fustanellë, bile thonë se e vesh fustanellën që të mos punojë dot! Duhen 40 metër pëlhurë për këtë veshje madhështore”.
Përshkrim të veçantë jep dijetari H. F.Tozeri më 1869: “Sa kishim lënë Elbasanin dhe ishim futur në Shkumbin. Po vazhdonim përmes fushës, kur u takuam me një numër të madh njerëzish të ashpër. Profesioni i tyre merrej me mënd nga pushkët dhe çibukët e gjatë që mbanin…Të binte në sy fodullëku varfanjak në disa prej tyre. Ecnin duke u tundur me fustanet e tyre jo të pastra të cilat dikur kishin qenë të bardha, me qëndrimin lastar, me mustaqet përdredhur e me festën mbi sy. U dukej vetja aq lart sa nuk mund të fëlliqnin sytë me njerëz si ne! Kurse çdo gjë rreth tyre tregonte se ishin nevojtarë!” Në këtë dukuri, është thënë i saktë mendimi që një fshatar i Veriut të vendit ishte më i ngjashëm në veshje me fshatarin e Jugut sesa, bie fjala fshatari dhe beu i Shkodrës midis tyre!
Të tëra gjykimet bëhen bashkë dhe me kohën. Do të qe qesharake sa dhe groteske bie fjala, që një burrë me fustanellë ta përfytyroje sot me automatik! Kohën e saj fustanella e kish tok me armët e veta me të cilat harmonizohej si në bukuri dhe në lëvizje. Megjithatë tërheqja nuk u bë e plotë në një kohë të prerë, bie fjala në fillim të shekullit 20 siç është thënë jo saktë aty këtu. Mjafton të shihen aq fotografi çetash patriotike, qoftë në dy dhjetëvjeçarët e para të shekullit që shkoi. Sali Butkën apo Sali Vranishtin me shokë në Luftën e Vlorës në 1920 i shohim me fustanellë. Burrat vazhdojnë t`i mbajnë ende sidomos në festa, qoftë për fisnikëri zakoni apo për nderimin e të parëve dhe të historisë së tyre. Është vëndi të përmëndet poezia e bukur “Më para se të ngriset” e poetit arbëresh Zef Skiroi di Maxhio: “Si rrënime pa gojë/ do të qëndrojnë petkat e traditës, /ritet, lajmet turistike,/ nëse zbiret gluha…”
Fustanellën e shohim sot veçanërisht në vallen me dy rreshta të burrave në Labëri. Reshti (i të moshuarve) zakonisht vishet me fustanellë, si me një armaturë të rëndë të bardhë ardhur nga e kaluara. Reshtin e të rinjve në veshje të sotme malsore ai e mban brenda harkut të vet si në një dekor të hershëm, duke i përcjellë zëra trimërie nga lashtësia, siç i rrëfen një përrallë gjyshi nipit në prehër.
Dhe ashtu si vallja dhe veshja e saj, historia vazhdon.