VETING PËR T’U PËSHTYRË NË SURRAT!

Nga Agron TUFA – Tiranë

VETING PËR T'U PËSHTYRË NË SURRAT!

Autori: Agron Tufa

KUSH DO TA BËJË VETINGUN E VETINGUT?

Duke parë kriteret e transparencës së Vetingut, që duhet të kalojnë gjyqtarët, prokurorët dhe hetuesit (ish), me neverit fakti, se pse nuk kanë përfshirë në këto kritere implikimin (shkallën) e këtij populli, përgjithësisht të errët, si bashkëpunëtorë të Diktaturës Komuniste.

Keta Prokurorë/Gjyqtarë/Hetues – folje ndihmëse të shtypjes diktatoriale, i kanë duart të zhyer deri në brryla me gjakun e qytetarëve te pafajshëm. Ata kane dënuar politikisht, kanë hetuar, survejuar dhe kanë çuar në pushkatim jetë njerëzish anembanë atdheut.

Si ka mundësi që për Platformën e Vetingut kjo nuk përbëka asnjë arsye për t’u ndaluar? Si ka mundesi qe mashtrimet, fshehjet, vjedhjet e korruptimet e ndryshme qenkan më gjëmëmëdha se tragjeditë familjare që kanë shakatuar këta vegla të diktaturës në shoqërinë shqiptare? Pra, të jesh vrasës, qenka ku e ku më lehtë se të jesh hajdut (!).

Thjesht mungesa e një penaliteti të tillë të Vetingut allashqiptarçe më neverit dhe po të kisha volinë do preferoja t’i pështyj në fytyrë për këtë fyerje kombëtarë njerëzore gjithëpopullore. Këtij Vetingu i vjen era PAZARE, spastrim Pazaresh të Vjetra për hir të Pazareve të Reja.

Më troç: Ideatorët, Platforma dhe Komisioni i Vetingut ka qenë që në zanafillë e këtej prej brumi enverist, kokë për kokë (bëjeni vetë provën nominalisht), përndryshe nuk mund të ndodhte kurrësesi kjo, që hajduti të ishte më i dënueshëm si shkallë krimi nga sa është një vrasës, gjakpirës.

Kjo më çon nërmend poezinë e nobelistit Josif Brodskij (Letra mikut romak), kur thotë:
Larg më mirë nga çdo Çezar e çdo tufan.
Pa nguti e frikë që të bën sahanlëpirës.
Gjithë regjentët thua se hajdutër janë?
Po më mirë besa hajdutë, se gjakpirës.

Prandaj Vetingu pa kushtin e penalitetit të gjyqtarëve që i shërbyen shtypjes dhe Krimeve të Komunizmit, është hipokrit, i rrezikshëm, i pamjaftueshëm, rrjedhimisht për t’u neveritur e për t’u pështyrë në surrat.

Nga ana tjetër (sepse çdo medalje ka dy anë), kush na garanton se kush ua bëri Vetingun anëtarëve të Komisionit të Vetingut? Po atyre qi i zgjodhën apo i propozuan? Kush ishte i pari? Kush e kap hallkën e parë të zinxhirit *të shkaqeve dhe pasojave”)? Si mund të pritet trasparencë nga një lëmsh i zi katrani?

Ndokush mund të mendojë se më leverdiska mungesa e Vetingut. Jo! Lexoni mirë çfarë thashë! Mos u bëni tutkuna! Mendjet e shëndetshme e inteligjnete duhet t’i zërë krrupa nga ky Veting pa pikë morali!