Sfida “Rrëmihi të dhënat”

Ambassador Delawie’s Remarks at the Launching of Dig Data (a.k.a. “Kosovo Open Data Challenge”), July 13, 2018
Fjala e ambasadorit Delawie gjatë nisjes së sfidës “Rrëmihi të dhënat” (ose programit Sfida e Kosovës për të dhënat e hapura), 13 korrik 2018

Mirëmëngjesi të gjithëve. Më vjen shumë mirë që jam këtu. Faleminderit, Petrit.

President, gjeneral. ministër, ambasador Chabert, kolegë nga kori diplomatik. Me të vërtetë jam i lumtur që jam këtu për të ndihmuar në nisjen e dritares së parë të “Rrëmih të dhënat”, sfidë kjo për të dhënat e hapura. Kjo është veprimtaria e e parë e Fondacionit Mijëvjeçari të Kosovës dhe si e tillë, mëton t’ju aktivizojë dhe përfshijë të gjithë juve. Partneriteti i fuqishëm ndërmjet Qeverisë së Kosovës, shoqërisë civile, sektorit privat do të jetë çelësi i suksesit të këtij programi dhe i suksesit të të dhënave të hapura në përgjithësi. Prandaj, jam i lumtur që po shoh kaq shumë hisedarë nga sektorë të ndryshëm këtu.Siç e kam thënë edhe më parë, transparenca është ndër më të rëndësishmet për luftimin e korrupsionit. E të dhënat e hapura paraqesin një vegël thelbësore për transparencën. Ambasada amerikane në Kosovë ka kohë që ka mbështetur nismat për transparencë, prej nismave në sektorin e gjyqësorit e deri te Portali i lansuar kohëve të fundit për transparencë në prokurim.

Megjithatë, të dhënat e hapura nuk është proces i lehtë dhe është sfidë me të cilën përballen shumë vende, ministri e agjenci. Mund të ketë rregullore ligjore dhe teknike që kufizojnë publikimin e të dhënave. Mund të ketë rezistencë ndaj hapjes së të dhënave nga institucionet që e shohin informatën si fuqi. Mund të ketë shqetësime për cilësinë e të dhënave ose se analizat mund t’i shtrembërojnë ato.

Institucionet thjeshtë mund të mendojnë: “Askush s’po i kërkon të dhënat, pse të shpenzojmë burimet e kufizuara për t’i përgatitur për publikim”? Ato mund t’i mbajnë të dhënat të mbyllura për t’i fshehur praktikat korruptive apo prej frikës nga akuzat për korrupsion nga njerëzit që kërkojnë të shënojnë pikë politike duke manipuluar të dhënat.

Çfarëdo qofshin pengesat, ju, publiku duhet të vazhdoni të kërkoni transparencë. Një mënyrë për ta bërë këtë është që t’i konsumoni në mënyrë produktive të dhënat që tashmë janë në dispozicion. Nëse qeveria i publikon të dhënat e ato nuk përdoren kurrë, as për analiza, as për mbështetje të politikave ose për t’iu shërbyer për të mirën e të gjithëve, atëherë kjo i bie pothuajse sikur ato të dhëna nuk janë publikuar kurrë.  Veprimtaria “Rrëmih të dhënat” synon t’ju sfidojë që t’i përdorni të dhënat në dispozicion në mënyrë kreative. Do t’ju sfidojë që të flisni me qeverinë, të flisni me komunitetet, të flisni me sektorin privat për t’i identifikuar arsyet pse nuk merren vendime duke pasur të dhënat në mend.

Përmes agjencive të ndryshme amerikane, në një varg programesh, ne po bashkëpunojmë me komunitetet e larmishme të Kosovës për t’i ofruar veglat që do t’ju shtyjnë të kërkoni mbështejte për nevojat dhe prioritetet tuaja. Po ashtu, po mbështesim institucionet qeveritare në nivel lokal dhe qendror për t’iu përgjigjur më mirë nevojave të njerëzve të tyre dhe për t’i përfshirë ata në identifikimin e problemeve, si dhe në propozimin e zgjidhjeve.

Dritarja e parë e kësaj sfide përqendrohet në një çështje që i rri mbi kokë ekonomisë këtu: papunësinë.

Shumë prej jush që jeni në vijë të parë e që po përpiqeni të zbuloni ku mund të ketë vende pune, çka duhet të studioni për të gjetur punë ose ku gjendet punëtorët që ju duhen për biznesin tuaj, jeni në vend të mirë për të identifikuar dhe bashkëkrijuar mjetet që mund të ndihmojnë në përmirësimin e kësaj pengese.

“Rrëmih të dhënat” paraqet një mundësi ngazëlluese për të gjithë ata persona me ide kreative se si të përdoret fuqia punëtore dhe si të bëheni shtytës të ndryshimit në komunitetin tuaj. Dëshiroj t’i nxis të gjithë që kanë ide se si qeveria mund t’ju shërbejë më mirë që të bashkoheni dhe të bëheni pjesë e zgjidhjes.

Në fund, duke i kujtuar pothuajse tri vitet e mia në Kosovë, më kujtohet se ndër çështjet e para në të cilat kam punuar ishte Korporata Sfidat e Mijëvjeçarit. Si ta bëjmë KSM-në që të punojë në Kosovë? Çka duhet të ndodhë për këtë? Kemi punuar me shumë partnerë, si me qeverinë e tanishme, me qeverinë e mëparshme, me UNDP-në, Bankën Botërore… e të mos vazhdoj duke i përmendur emrat sepse do ta harroj ndonjërin, por sot është fillimi i veprimtarisë së parë që ka rezultuar nga gjithë ajo punë e shumë njerëzve gjatë tri viteve të fundit. Prandaj, ju faleminderit të gjithëve, faleminderit KSM-së në Uashington; faleminderit KSM-së në Kosovë, faleminderit partnerë që na sollët deri te kjo ditë.

Kosova, Korporata Sfidat e Mijëvjeçarit, Fondacioni Mijëvjeçari në Kosovë po punojnë me shpejtësi rekorde për zbatimin e programeve të KSM-së në Kosovë. Më vjen jashtëzakonisht mirë që jam këtu për të ndihmuar në nisjen e veprimtarisë së parë dhe pritni edhe më tej – siç e kemi pasur zakon të themi në televizor dikur – sepse do të ndodhin edhe shumë gjëra tjera.

Prandaj, edhe njëherë, ju faleminderit të gjithëve.