Belgjika dhe Anglia luajnë sot për vendin e tretë në Botëror

Belgjika dhe Anglia do të luajnë sot sfidën e tyre të fundit në Kampionatin Botëror në Futboll, që po mbahet në Rusi, me çka dhe do të përcaktojnë se cilës kombëtare do t’i takojë vendi i tretë në Botëror.

Përballja e këtyre dy kombëtareve do të luhet në stadiumin në Shën Petersburg, me fillim në ora 17:00.

Në këtë ndeshje ngushëllimi, të gjithë sytë do të jenë të kthyer kah dy sulmuesit kryesorë të kombëtareve të lartpërmendura, anglezit Harry Kane dhe belgut Romelu Lukaku, të cilët janë në garë për “Këpucën e Artë”.

Aktualisht, ylli i Tottenhamit, Kane, kryeson me gjashtë gola të shënuar, dhe ndiqet nga ylli i Manchester Unitedit, Lukaku, i cili në konton e tij ka katër gola të shënuar.

Ekipet në fjalë u takuan më parë në fazën e grupeve të Botërorit, në të cilën belgët triumfuan me një rezultat minimal 1:0. Kjo fitore i siguroi Belgjikës vendin e parë në grupin G, me nëntë pikë maksimale.

Anglia përfundoi fazën e grupeve në vendin e dytë, me gjashtë pikë. (VOAL)