Nga Isa Halilaj – Mësues i Merituar
Jam një nga shokët e Havzi Nelës, të shkollës së mesme Pedagogjike Shkodër, përgjatë viteve shkollore 1950-1952.
Së pari, më vjen shumë mirë që emri i këtij “Martiri të Demokracisë” është vlerësuar i përjetësuar si rrallë për ndonjë martir tjetër të Kukësit. Ka titullin e lartë “Nder i Kombit”
Përgëzoj bashkinë e Kukësit për ngritjen e bustit të Havzi Nelës, me rastin e 30 –vjetorit të varjes së tij, te shkolla e mesme që mban emrin e tij. Përshëndes e përgëzoj organizatorët e kësaj veprimtarie vlerësuese përkujtimore, homazh për Poetin.
Kujtimet për Havziun i kam shpalosur më herët, para 5-vjetorit të varjes së tij, në mbledhjen themeluese të shoqatës kombëtare “Miqtë e Havzi Nelës”, e ngritur dhe kryesuar nga publicisti e shkrimtari Rexhep Shahu, në prezencë të katër deputetëve: Jemin Gjana, Xhevdet Mehmeti, Shaban Memia e të tjerë. E kam kujtuar në bisedat e emisionit “Refleksione” në Radio “Kukësi” dhe e kam shtjelluar në librin tim “Kukësi në sofrën e arësimit të kombëtarisë (Geralb 2002, faqe 175-179).
Për herë të parë me Havziun jam takuar në Shkodër te gjimnazi “29 Nëntori”, në degën e pedagogjikes, për mësues filloreje. Ai erdhi nga Kukësi me dy muaj vonesë, por me një paraqitje më qytetare, jo vetëm me kostumin e ri por edhe me një kulturë dhe edukatë qytetare, pra me një epërsi për në fshatrat e kohës. Vetëm unë dhe ai ishim nga Kukësi, me bursë të shtetit, dhe bashkëjetuam në dashuri vëllazërore gjatë gjithë periudhës.
Me ne pedagogjikasit e atij viti, qeveria bëri një provë pilot, duke marrë 64 nxënës në programin pregatitje për të marrë tri klasa në dy vjet, e pastaj mësimdhënës praktikant e më pastaj në vitin e IV maturën shtetërore.
Na veçuan në konviktin e dikurshëm të jezuitëve, të murgeshat me drejtor Osman Zajën për konviktin dhe Shaban Arrën për shkollën. Ngarkesa dhe jeta në konvikt qe shumë e rëndë, me mësime, aksione, konferenca dhe propagandë në çdo hap. Nuk ngopeshim me bukë. Një uri e tmerrshme na bënte t’u drejtoheshim lakrave me kërcej, purrive të arave e pemëve jashtë qytetit.
Në korrik të 1952, pas provimeve përmbyllëse të vitit të III-të, na erdhi zv/ministri Kahreman Ylli e na komunikoi emërimin në ciklin e shkollave verore që funksiononin në Veri, në periudhën mars-nëntor. Mua më emëruan në shkollën fillore Spas-Pistë të rrethit të Kukësit kurse Havziun në Plan-Klos të rrethit të Matit.
Nga ajo kohë, rrugët e karrierës tonë u ndanë, për t’u takuar më rrallë.
Të kthehemi te jeta e Havziut
Siç e theksova pak më lart, Havziu erdhi në shkollën tonë pedagogjike me një epërsi të dukshme në moshë, me paraqitje, po edhe me më shumë kulturë qytetare. Sepse shkollimi i tij nga Kollovozi, në Prizren e Kukës, kishte qenë i suksesshëm. Kjo bëri që ai t’i bashkohej shpejt elitës së nxënësve si antar rinie në këshillin e konviktit. Mësoi shumë mirë lëndët gjuhë-letërsi-histori, ndërsa i pritonte matematikës e lëndëve fizikë-kimi.
Qe shumë komunikues e i tërhiqte njerëzit si me magnet. Organizator i aktiviteteve kulturore artistike. Qe recitues e këngëtar i talentuar, virtuoz në fyell e çifteli. Veç shkollës, ai qe i pranishëm në koncerte artistike në qytetin e Shkodrës, në çdo manifestim kulturor, i pëlqyer masivisht nga të pranishmit në sheshe, që kërkonin në skenë “at Bylbilin e Kukësit”. I tillë ishte Havzi Nela në Shkodër, e po i tillë qe edhe në Kukës.
Ashtu siç e kanë treguar të tjerë, por edhe ai vetë në shkrimet e tij, ai si jetim kaloi një fëmijëri të mundimshme që për bukën e gojës provoi edhe punën e rojtarit shërbyes tek më të kamurit, në qytet e fshat.
Por fakt është se përveç vëllait të madh, Asllanit, një kujdes të veçantë për Havziun ka treguar xhaxhai i tij Shahip Sadiku, një personalitet i njohur si veprimtar aktiv në organet speciale të kohës për Shqipëri e Kosovë. Ai çmonte shumë zgjuarsinë e Havziut dhe e ka pasur nën kujdes gjatë gjithë rinisë deri në martesën e tij me Lavdie Dragën e Shishtavecit. Por dhe më vonë.
Në vitet 1945-1948, Shahipi e mori me vete në arrati e në punë në Kosovë edhe Azemin, djalin e tij por edhe Havziun që e sistemoi për dy vjet në një shkollë unike në Prizren.
Aty Havziu mësoi shumë mirë edhe iu hap horizonti e entuziazmi atdhetar, një frymëzim i paparë që do ta kujtonte gjithë jetën. Ndërsa Azemi përfundoi invalid e puntor në komunalen e Kukësit si rrobaqepës.
Pastaj sipas rrethanave, po me interesimin e Shahipit është sistemuar në konviktin e Kukësit, e nga andej në pedagogjiken e Shkodrës.
Gjatë dy vjetëve të shkollës në Shkodër, pati shoqëri të ngushtë me pedagogjikasit e dalluar si Lutfi Hankun e Peshkopisë, Musa Bytyçin e Pukës, Shaqir Stanën e Matit, Thoma Leshicën e Korçës, Kleanthi Dedën, Ëngjëll Finën, Sedat Brahën e Gjirokastrës, Remzi Llanin e Odise Verën, e të tjerë të njohur më vonë si personalitete me vlerë kulturore e arsimore për kohën.
Në karrierën e tij, nga 1953-1967, Havziu si nxënës e student, si mësues e punonjës kulture, qe rezultativ dhe mjaft korrekt. Nuk njohim ndonjë rast që të ketë shfaqur pakënaqësi apo kundërshti ndaj pushtetit dhe Partisë, ose të jetë analizuar ndonjëherë për polemika apo shfaqje të huaja. Havziu ka gëzuar respektin e nxënësve, të prindërve dhe të kolegëve të punës. Ata edhe sot po t’i pyesësh kanë këtë mendim për atë periudhë.
Për krijimtari si poet deri në atë kohë nuk ka qënë bërë i njohur, siç u pa në periudhën e burgimit dhe internimit, një krijimtari e vërtetë poetike që është bërë e njohur vetëm pas viteve të demokracisë. Për këtë kanë meritë Havziu vetë, familja, Asllani, Shukriu e Verja, por dhe poeti e shkrimtari i njohur Petrit Pallushi për grumbullimin, sistemimin e botimin e tyre.
E gjithë kjo krijimtari poetike dhe librat e Havziut janë konsideruar me të drejtë si akuzë e prognozë e diktaturës komuniste në Shqipëri. Janë një autobiografi tronditëse e jetës së tij, janë dhe një analizë e thellë e sistemit diktatorial të kohës, që shërbejnë edhe sot për të kuptuar e luftuar tendencat e lindjes së diktaturave të reja, se liria kërcënohet në çdo kohë dhe historia ka rrezik të përsëritet.
Ekzekutimin e tij me varje, 30 vjet më parë, ne që e kemi njohur Havziun dhe i gjithë populli i thjeshtë e kemi përjetuar me tmerr e dhimbje të madhe, por edhe si shenjë e fillimit të shëmbjes së asaj dikature, me bindjen se koha e saj kishte mbaruar. Populli kërkonte ndryshim.
Jeta dhe vepra e Havzi Nelës, pas 20 prillit 1967, kur në një aktiv partie në Shishtavec del haptaz me pikëpamjet antidiktaturës komuniste, zbulohet haptas si kundërshtar i regjimit. Të gjitha këto zbulohen në proçeset gjyqësore dhe shkrimet e tij, me të cilat vërtetohet se ai e donte jetën, e donte Atdheun të lirë dhe pa klasa.
E themi me bindje se sikur të mos njihej kjo krijimtari e të mos kishte qenë ajo ditë varje, Havzi Nela do të kishte mbetur anonim, si shumë të tjerë kundërshtarë të vendosur të atij regjimi diktatorial.
Vlerësimet dhe përkujdesja si kjo e sotmja, duke përjetësuar Havziun në këtë monument e bëjnë jetën e tij dhe të gjithë martirëve të demokracisë, të përjetshme dhe frymëzim për brezat që të duan lirinë dhe demokracinë e vërtetë, pa padron e diktatura.
10 Qershor 2018, Kukës.
Profesor Isa Halilaj ishte i ftuar ne Kukes me 12 qershor 2018 ne ceremonine e vendosjes se bustit te Havzi Neles. Si shok shkolle i Havziut, ai do te fliste ne Sesionin Perkujtimor te shkrimtareve kushtuar Havziut. Profesori nuk mundi te vinte por dergoi kete fjale te tij qe eshte perfshire ne librin me ese nga shkrimtaret per Havzi Nelen, liber i sponsorizuar nga humanisti Flamur Hoxha, qe promovohet me 10 gusht ne Kollovoz ne prani te shkrimtareve dhe te ftuareve te tjere.