Fshatarkat e cepave të Pallateve të Bardha

Nga ILIR KADIA

Ato vinë herët në mëngjes me autobuzat e periferisë dhe zënë cepat e Pallateve të Bardha. Shtrijnë mbi trotuare trastat e mbushura me perime e fruta të bahçes së tyre dhe shishet e coca-cola me qumësht lope të porositur një ditë më parë nga klientët, banorë të pallateve.Vinë me burrat dhe djemtë e rritur por ata nuk duken. Ata janë rojet rreth e qark pallateve, bile deri poshtë në kryqëzim, për policët bashkiakë që ja behin befasisht të njoftuar nga klientët që këtej ziejnë e ruajnë qumështin, mos derdhet mbi furnela, këtej me celular njoftojnë fshehtas policinë se “ato fshatarkat po shesin prap tek cepi”!
Dhe policët ndryshojnë drejtim! Nga ndjekja e shkelësve të trafikut vrap me makinë tek qumësht e kumbullashitëset.
Tani ato po hanë byrek. Njëra shkoi e bleu për të tëra tek byrektorja. U pëlqen ky byrek me miell të bardhë edhe pse kanë dëgjuar se është serb dhe nuk ka vlera si mielli i grurit të fshatit që mbillnin dikur! Tregu i perimeve është vetëm 30 metra larg por atje, të grupuar si në kooperativë, shesin fshatarët e ardhur nga rrethet e berë kryeqytetas në Tiranë. Ata s’ kanë tokë veç asaj të vazove të luleve në ballkone që prap me domate e speca djegës i mbjellin për mall!Në tezgat e tyre te shitorja e madhe shesin të gjithë njëlloj, të njëjtin mall! Atë që sjell Kompania që zotëron gjithë tregun ďhe që ua sjell tek tezgat. Shpesh as emrin s’ua dinë.Tango thonë për mango. E divi për kivi me sy nga përfaqsuesi Kompanisë. Shitësit fitimin e kanë tek fjala dhe buzëqeshja! Kush lajkatoset e buzëqesh më ëmbël shet diçka më shumë. Por ata nuk kanë frikë nga policia. Paguajnë taksën fare të ulët dhe gjaku në fund të këmbëve tërë ditën e ditës si dikur kur prashisnin misrin e kooperativës që i tradhëtoi.
Kur fshatarkat e cepave të Pallateve të Bardha ja shtrojnë muhabetit me klientët e tyre dhe ulur mbi gjysmatullash hedhin e presin me humor batuta për deri fejesa të mundshme djemsh fshati me vajza qyteti fshatarët kryeqytetas, me mall të jashtëm, plasin nga inati e xhelozia. Por kur jepet alarmi se ja “erdhi policia” dhe fshatarkat e Tironës rrëmbejnë gjithë panik trastat e nga qumështi e fasulet e derdhura lënë gjurmë të bardha mbi asfaltin e zi, fshatarët kryeqytetas shpërthejnë në gaz e hare si në një skenë masive të një filmi të “Kinostudio Shqipëria e Re” ku demaskohen kulakët.
Ja kështu fshati erdhi e vjen çdo ditë mes nesh! Hem me trasta mbushur “coca-cola” hem me arka plastike mbushur me… presh të trashë si dru bambuje!