Hashim Thaçi, nga frika në tradhti kombëtare

Nga Reshat SAHITAJ

Ne shqiptarët ,si naivë që jemi, gjithnjë i kemi vlerësuar ata që nuk është dashur t’i vlerësojmë. Madje pjesës dërmuese të figurave kombëtare u kemi thur këngë, edhe pse i tradhtuan interesat madhore kombëtare, duke i injoruar dhe nëpërkëmbur figurat që kontribuuan, siç ishte Hasan Prishtina, njëri ndër diplomatët më të shquar shqiptarë të kohës së tij e të tjerë para e pas tij. Gjatë luftës së fundit në skenën politike shqiptare dolën figura kurrë më parë të njohura për opinionin tonë duke i përmbysur shokët e tyre nga të cilët dikur u përkrahën. Organizimet ilegale kishin edhe përparësitë, siç kishin edhe pengesat. Si përparësi ishte se armiku nuk e dinte kush qëndronte pas një ngjarje , ndërsa si pengesë ishte se secili ilegalist mund të krenohej se e kishte bërë këtë apo atë aksion. Nga ky organizim ilegal na doli edhe Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Azem Syla, Rexhep Selimi e shumë e shumë të tjerë për të cilët askush asgjë nuk dinte. Është për t’u habitur dhe mbetur pa mend se si një pjesë e figurave të cilët u ngritën në emër të UÇK-së, si arritën të mbijetonin brenda territorit të okupuarKosovës, pa pësuar asnjë dëm material e fizik nga forcat policore serbe. Gjatë kësaj kohe policia serbe kapte në befasi individë të caktuar i maltretonte, vriste dhe i burgoste nën pretekstin se këta ishin të organizuar me filan komandantin duke ua paraqitur para syve fotografitë e ndonjërit prej këtyre komandantëve se kinse ishin në kërkim të tyre. Shërbimi Sekret i shtetit të asaj kohe, kishte informacione për çdo lëvizje të secilit qytetar e më të rrezikshmit mund t’i kapte kur të donte. Serbia kishte spiunët e tyre në çdo grup që përbëhej më me shumë se pesë individë, në këtë mënyrë i zbulonte takimet, vendimet dhe aksionet , por që i arrestonte vetëm kur ato/ata ishin të rrezikshëm dhe kur atyre u konvenonte. Nga Shërbimi Sekret i Serbisë u kap Zija Shemsiu , me të cilin kisha fatin të takohesha disa herë. Kapja e Zija Shemsiut ende është enigmatike, mirëpo dihet se u spiunua nga ndonjë bashkëveprimtar i tij siç u vranë Rexhep Mala e Nuhi Beirsha e shumë të tjerë. Kjo është një temë që askush nuk ka guxim të shkruaj e as të flasë, sepse një pjesë e tyre janë pjesë e shërbimit sekret por që shpëtuan të gjallë. E njëjta praktikë do të vazhdojë edhe me disa shefa e komandantë të UÇK-së, të cilët janë radhitur në radhët e ushtrisë çlirimtare për të sabotuar, penguar dhe zbuluar. Po të analizohet kjo periudhë do të shohim se si u vranë shumë shqiptarë të cilët nuk ishin spiunë të Serbisë, por u ekzekutuan si spiunë. Disa të tjerë u vranë sepse ishin veprimtarë të shquar të çështjes kombëtare dhe këta ishin të rrezikshëm për sistemin okupues dhe duhej të vriteshin nga “shokët” me të cilët luftonin, sepse kështu ishte urdhri i padronit të tyre nga Serbia. Të tillët edhe në Kosovën e lirë, kanë urdhra që t’i injorojnë dhe nëpërkëmbin të gjithë veprimtarët e mirëfilltë sepse këta janë të rrezikshëm deri në vdekje. Strategjia e Serbisë është që Kosova kurrë të mos pavarësohet , por edhe nëse pavarësohet duhet që të kontrollohet nga serbët dhe Serbia. Për këtë gjë, Serbia do të ftojë shërbëtorët e tyre të luftës e jo të luftës që të vazhdojnë me detyrat e tyre për të sabotuar dhe penguar zhvillimin e shtetit të Kosovës , por përsëri duke u thirrur në patriotizëm. Duke u bazuar në disa burime të jashtme se luftë frontale serboshqiptare nuk do të ketë edhe për disa dekada, Serbia është duke bërë çmos që ta forcojnë faktorin serb në Kosovë e që ky faktor në periudhën e largët kohore do të bëhet mollë sherri. Ky forcim i faktorit serb në Kosovë, duhet të bëhet përmes personaliteteve politike shqiptare të cilët për interesa të veta personale dhe familjare do të krijojnë plane sekrete se nëse ato nuk realizohen Kosovës i kërcënohet një luftë e re. Mirëpo ka edhe plane të tjera duke e bindur popullin tonë se në këshillim me SHBA-në kanë ardhur në përfundim se ne duhet të bëjmë këtë apo atë.

Cili është objektivi i Serbisë ndaj Kosovës?

Kosova me ndihmën e SHBA-së dhe BE-së jo vetëm se u çlirua definitivisht nga okupatori serb, por më 2008 u shpall Pavarësia e Kosovës. Të gjitha shtetet që e kanë njohur Pavarësinë tonë e kanë bërë me një lobim të mrekullueshëm të SHBA dhe BE e asnjë shtet i botës nuk na ka njohur se e meritojmë apo se ne kemi lobuar për këtë çështje. Menjëherë pasluftës, Kosova gëzonte simpatinë e shumë vendeve të botës, mirëpo më kalimin e kohës shumë shtete u penduan që i ndihmuan Kosovës të çlirohej e të pavarësohej. Ku qëndron arsyeja e këtij pendimi?! Në ditët e para të pasluftës, në Kosovë filloi të depërtojë politika mafioze e përbërë nga disa personalitete politike mafioze të Shqipërisë me të cilët bashkëpunonte Xhavit Haliti, Azem Syla me grupin e “Rognerit”, kurse në anën tjetër grupi pacifist që quhej asokohe e fuqizoi në Kosovë grupin mafioz serbo-shqiptar. Fillimisht këto dy grupe ishin në luftë permanente mes tyre ku u vranë deputetë, gazetarë, personalitete politike dhe individë nga dy grupet derisa më në fund gjetën gjuhë të përbashkët për ndarjen e territoreve dhe bizneseve. Sot, nuk habitet askush pse vëllai i Hashim Thaçit bashkëpunon me djalin e Isa Mustafës dhe Shkëlzen Maliqin apo ndonjë tjetër që ka lidhje më Beogradin. Aktualisht territoret e interesit janë ndarë. Gjyqet janë nën kontrollin total të partive politike pozitë-opozitë. Ligjet ekzistojnë, por nuk funksionojnë. Krimi ekonomik nuk ndëshkohet. Pasuria ilegale nuk konfiskohet. Nuk ekziston guximi i asnjë gjykatësi për të dënuar një personalitet politik, dhe pse gjykatësi të ketë guxim të dënojë një kriminel të tillë politik kur në llogarinë e familjarit të tij do t’i shkojnë miliona euro si kompensim për humbje të guximit dhe burrërisë?! Më këto të sipërpërmendura ne e kemi humbur simpatinë e botës e madje edhe të aleatëve tanë. Në anën tjetër, forcimi i Rusisë ka bërë që si SHBA-ja edhe BE-ja t’i bëjnë koncesione Serbisë, jo për ta dëmtuar Kosovën, por thjesht për ta qetësuar situatën edhe për disa dekada, pasi që edhe vetë personalitetet e politikës kosovare nuk kërkojnë asgjë më shumë gjatë negociatave.

Hashim Thaçi, duke e faktorizuar veten, ia shton pazarin vetvetes

Përpjekjet e Hashim Thaçit për të bindur pozitën dhe opozitën që ai të jetë në ballë të negociatave me Serbinë është një strategji e tij e re, që para SHBA-së dhe BE-së të tregohet si politikani më i fortë, pa të cilin s’ka negociata. Në këtë mënyrë ka vepruar edhe Milosheviqi në të kaluarën ku në të gjitha gazetat botërore përshkruhej si njeriu më i fortë. Duke u paraqitur si njeriu çelës i paqes shqiptaro-serbe, Hashim Thaçi ia rrit pazarin vetvetes dhe Perëndimit u vë kushte për sigurinë e tij personale dhe të partnerëve të tij të zhytur në korrupsion dhe tradhti. Bashkësisë evropiane nuk i interesojnë detajet e ndonjë marrëveshje serboshqiptare, sepse më rëndësi është të arritët pajtimi i dy palëve për t’u evituar konflikti i armatosur. Një konflikt i armatosur shqiptaro-serb do ta ndryshonte përsëri hartën e botës, sepse Kosova nuk është Palestinë, siç pretendon Hashim Thaçi. Një shpërthim i një lufte të re në Kosovë do të ketë pasoja dramatike për tërë botën ngase në Kosovë janë të stacionuara baza ushtarake euro-amerikane që kanë interesa afatgjate në këtë rajon e që është një fat i madh për shqiptarët, por që ne jemi duke e injoruar. Faktori serb në Kosovë do të forcohej legalisht vetëm atëherë nëse Kosova do ta nënshkruante marrëveshjen e nënshkruar nga Edita Tahiri, e cila me vetëdije e ka krijuar shtetin serb mbi shtetin e Kosovës. “Zajednica ” serbe do t’i legalizonte kërkesat e mëvonshme serbe e që do ia lehtësonte Serbisë dhe Rusisë për ndërhyrje në çdo trazirë të mundshme në Kosovë. Pas themelimit të “Zajednicës” serbe sipas Edita Tahirit , Rusia dhe Serbia do ta kenë shumë lehtë të zyrtarizojnë formimin e territorit serb në një mini-shtet dhe ta aneksojnë kur të kenë dëshirë pa passur mundësi SHBA dhe BE të intervenojnë. Nëse Hashim Thaçi ende vazhdon ta detyrojë grupin negociator që ta aprovojnë “Zajednicën” sipas nënshkrimit të Edita Tahirit pa korrigjimet e rekomanduara nga Gjykata Kushtetuese, kryetari ynë Hashim Thaçi do ta favorizonte Rusinë dhe Serbinë për ndërhyrje të mëvonshme në Kosovë duke e shndërruar vendin tonë në një vend të pa sigurt. Aprovimi i “Zajednicës” sipas nënshkrimit të Edita Tahirit, do të jetë akt tradhtie për Hahim Thaçin dhe grupin e ardhshëm negociator. Pretekstet e Hashim Thaçit se Kosova mund të shndërrohet në Palestinë janë gënjeshtra, nëse ne nuk e pranojmë ‘Zajednicën’ sipas Edita Tahirit, mirëpo nëse ne vetë e aprovojmë, Kosova shndërrohet në Krime e në Palestinë shumë shpejt. (Kosova Sot, 9 korrik 2018)