Prend BUZHALA: KODI I MBIJETESËS SHQIPTARE

Nën shenjën e VITIT TË GJERGJ KASTRIOTIT),

(Dhimitër Frangu: “Luftrat e turqve kundër Skënderbeut”, komentar, përktheu nga anglishtja Hysen Hidri, shtëpia botuese “Globus R.”, Tiranë 2000)

Humanisti shqiptar Dhimitër Frangu (l443-1525), i lindur në Drisht të Shkodrës, vjen në dheun shqiptar mbas pesë shekujsh, me veprën e tij “Komentar i luftërave të turqve kundër Skënderbeut”. Sikundër dihet, kjo vepër ishte botuar fillimisht në gjuhën latine, në Venedik, më 1539. Libri është ribotuar shumë herë nëpër vende të ndryshme evropiane, por jo deri më tash edhe në Atdhe! Botuesi Petraq Risto sqaron se ky libër është ribotuar në Londër më 1562, brenda librit të fiorentinasit Andrea Kambini, në të cilin është mbështetur edhe shqipëruesi Hysen Hidri. Humanizmi shqiptar përbën një periudhë jashtëzakonisht të rëndësishme të kulturës dhe të historisë së letërsisë sonë, periudhë që u zhvillua në shekullin e madh të Gjergj Kastriotit, apo në Motin e Madh, sikundër do të thoshin rilindësit arbëreshë. Sado që gjatë shekujve vetëdija e kësaj tradite shpesh ka pësuar diskontinuitetet e saj, shtrofimet e saj, megjithatë, janë humanistët shqiptarë ata që i dhanë zë kësaj vetëdijeje për shekuj të tërë. Edhe Dhimtër Frangu është po nga ato rrethe, prej nga ishin Martin Segoni (novobërdas që veproi në ato zona), Marin Beçikemi, Marin Barleti, Engjëllorët etj.
Është e rëndësishme ta vërejmë faktin, se vetëdija humaniste për shqiptarësinë (për arbërorësinë) si për Dhimitër Frangun, ashtu edhe për humanistët e lartshënuar, paraqet rëndësinë e jashtëzakonshme në formimin e, jo vetëm të kësaj vetëdijeje kastriotiane, po edhe të Dëshmisë e të Dëshmuesit. Dhimitër Frangu ka qenë funksionar për financa pranë Skënderbeut, që nga viti 1466.

1. Vetëdija humaniste për shqiptarësinë

Ai, pra, ishte dëshmitar i bëmave të Gjergj Kastriotit, pjesëmarrës në këto ngjarje historike. Me intelektin e tij humanist ai do të paraqiste një vetëdije të re historike, duke e inkuadruar Arbërin në rrjedhat e Humanizmit e të Renesansës Evropiane. Vetë tema e re arbërore, e trajtuar në veprat e autorëve tanë, dëshmon për këtë vetëdije e për këtë frymë të re. E, pse jo, kjo temë më së shumti do të ndërlidhet me figurën qendrore të të gjithë shekujve, me atë të Skënderbeut.
Ashtu sikundër humanistët tjerë, edhe Dhimitër Frangu shtrëngohet të mërgojë jashtë Atdheut, i cili pushtohet përfundimsht vetëm më 1478 nga osmanët. Të gjithë këta humanistë, siç ishin edhe Nikollë Leonik Tomeu, Mikel Maruli, Gjin Gazulli etj, sado që jetuan, vepruan dhe botuan libra jashtë Atdheut, ata rrënjët i kishin në truallin amë, siç do të shprehej historiani i letërsisë, Dhimitër Shuteriqi. Këto rrënjë do të zgjerohen e do të lidhen më shumë pikërisht me epokën e Skënderbeut e me luftërat çlirimtare të tij për një çerek shekulli, frymë që erdhi nëpër shekuj deri në kohën tonë. I shpërngulur në rrethet e Vendedikut, pranë Trevizos, Dhimitër Frangu shërbei si famullitar, ku edhe vdiq. Zëdhënës i kësaj vetëdijeje, pra, me largpamësinë e tij nacionale, etnike e humaniste, ishte edhe ky autor. Vetëdija për emrin e ri etnik, Arbërinë/Arbëninë, vetëdija për tërësinë tokësore, nuk është, pra e shekujve të fundit, por është e atyre thellësive shekullore, sikundër na e thotë këtë vetë Frangu:
“Por, le ta dimë të gjithë se kjo Shqipëria e re, e cilësuar kështu, meqë shtrihet në Europë, është shumë e pasur dhe pjellore, me të gjitha sendet e nevojshme për të siguruar jetesën e njerëzve. Toka e Shqipërisë lind burra të fortë, trima me mendje të shëndoshë, të mençur e të zotët për çdo gjë që marrin përsipër të përmbushin, veçanërisht,poqese bëhet fjalë për luftëra.
Shqiptarët janë të qëndrueshëm e besnikë ndaj zotërve të tyre tradicionalë, gjithmonë të gatshëm ta fusin vetën e tyre në rrezik e vështirësi, për të mos marrë kurrë mbi vete të tyre pakënaqësinë dhe mërzitjen…Pjesa më e gjatë e Shqipërisë shoqëron Detin Adriatik dhe që nga Vlora gjer në Otranto largësia është pesëdhjetë milje detare”(fq. 12-13).
Duke u mbështetur në traditën postklasike evropiane të biografive historiko-letrare të jetës së njerëzve të shquar, sikundër janë Cardinal Morton me veprën “Jeta e Rikardit të tretë”, apo ”Jeta e More-it” e Roper-it; Frangu i regjistron dhe i komenton jetën e bëmat e Skënderbeut, po edhe të luftërave të zhvilluara në një plan më të gjerë të aktualitetit, kur shkroi ai. Mbas jetëshkrimeve të shenjtorëve nga autorët klasikë e mesjetarë, vinte një periudhë tjetër, që merrte barrën të shkruante për njerëz të politikës e të luftës e për personalitete që shënonin kthesat e epokat historike, si kjo e Skënderbeut në historinë shqiptare dhe ajo e Humanizmit dhe Renesancës, që i pati, krahas atyre evropianë, edhe humanistët shqiptarë. Këta humanistë të Arbërit bënin emër nëpër Evropë si njerëz të dijes, të artit e të kulturës, gjithnjë duke e ruajtur krenarinë e ndërgjegjën për shqiptarësinë, e cila del e fuqishme dhe e afishuar shpesh te Frangu.

2. Trajtat ligjërimore të komentimit

Sado që konfrontimet në librin “Komentar i luftrave të turqve kundër Skënderbeut” në sfondin e gjerë historik paraqiten si luftë në mes të krishterësh dhe muhamedanësh, apo si ballafaqim në mes qytetërimit evropian dhe barbarisë “turke”; megjithatë Dhimitër Frangu përgjatë tërë veprës, do ta shquajë këtë ndërgjegje të shqiptarësisë. Nëse në planin universal, kjo luftë paraqitet si ballafaqim religjionesh, kulturash, mënyrash të jetesës; atëherë, që në agun e kësaj ndeshjeje të madhe historike edhe Dhimitër Frangu do ta shquajë këtë ballafaqim si mbijetesë të një kodi tjetër etiko-juridik dhe si një mbijetesë të vetëdijes evropiane e kombëtare përballë akulturimit e tjetërsimit të shtresave shqiptare, përballë ndikimeve të huaja kulturore-fetare, duke e shquar, së këndejmi, modelin kulturor burimor përballë modelit të tjetërsimit.
Si rrjedhim, edhe ky libër nuk do të mund të dalë nga sfondi i historisë së përbashkët evropiane, as nga përcaktimi i identitetit evropian të shqiptarëve; sepse te ky identitet ngërthehen historia e përbashkët e këtyre popujve, kultura e përbashkët, gjuha e përbashkët indoevropiane, hapësira e përbashkët kontinentale, dhe, gjithsesi, edhe religjioni i përbashkët, sikundër ishte dhe është krishterimi. Pikërisht këtë nyje të identitetit tonë arbëror e kontinental Frangu e saktëson më se një herë, gjithnjë në frymën e mendësisë humaniste të kohës. E, nga ajo frymë, të duket se nuk ka asgjë të vjetëruar! Siç do ta bëjë më të qartë edhe shënimi (mbase editorial) se në vepër nuk përmenden fare Kisha Ortodokse e Lindjes, Kisha Koptike Afrikane apo Kisha Katolike Romane; ndërkohë Skënderbeu gjithnjë rrëfehet si i krishterë, sado që e mësoi fenë muhamedane, si peng i turqve, që në moshën tetëvjeçare. Frangu thotë se ai e mësoi kristianizmin nga ushtarët shqiptarë që shërbenin në Perandorinë turke. Mirëpo, në bisedat, në fjalimet e në letrat e tij, që nuk janë të pakta në këtë vepër, ai i referohet fesë universale (katolike) dhe nderimit për papën e Marinë e Virgjër. Skënderbeu zotëronte njohuri jo të pakta nga Bibla, të cilat dëshmohen në letrat e fjalimet e tij.
Ndërsa historia kishtare dëshmon, pra, se Kisha Katolike Romane ishte e vetmja kishë në Shqipëri, në kohën kur jetoi Skënderbeu. ”Nuk kishte asnjë kishë tjetër. Kisha Ortodokse e Lindjes erdhi në Shqipëri disa shekuj më vonë”, nënvizon shënimi editorial. Prandaj, edhe interesimet e Skënderbeut janë të sferave të ndryshme: që nga ato të luftërave për liri e deri te kuvendet kombëtare, që nga sfera shpirtërore e fetare e deri te ato të marrëdhënieve me shtetet tjera, që nga letërkëmbimet e deri te mbrojtja edhe e popujve tjerë, që nga trajtimi humanist i robërve e deri te luftrat mbrojtëse të Atdheut arbëror edhe me shtete të krishtera, si me Venedikun apo me Francën, që nga fjalët inkurajuese drejtuar ushtarëve të tij e deri te lutja me rastin e vdekjes së papës, që nga fjalët drejtuar kapedanëve të tij për të kërkuar mëshirë e deri te këshillimet e fundit për të birin, Gjonin apo te Porosia e Fundit e tij. Në këtë korpus tekstesh Frangu tregon prirjen e tij në trajta të shumta ligjërimore: narrative, përshkruese, historike, dhe, sidomos, komentuese. Për ndryshim nga Barleti apo nga Beçikemi, ky autor humanist
tregohet më i kuryer, po edhe më i matur, më racional. Edhe retorika e shprehur nëpër fjalime, biseda etj pretendon të jetë sa më autentike, kurse trajta e komentimit (“komenti” qëndron në vetë titullin e veprës) synon gjithnjë të mos e zbukurojë të vërtetën, të mos e stolisë së tepërmi frazën, retorizmi të mos ngulfatet nga emfatizmi.
Ai ka njohuri të thella nga kultura antike, nga retoristët latinë apo grekë, nga autorët e kohës apo nga letrarë e historianë me renome, nga filozofë e dijetarë tjerë, por nuk hidhet së andejmi në citime të ngarkuara, sepse synon për të qëndruar, kështu, në rolin e Dëshmitarit, po edhe të Dëshmisë. Vlen të theksohet se edhe personaliteti i Skënderbeut del më autentik, në sfond krejt real, jo emfatik apo i përshkuar nga reminishenca klasike që nuk thonë asgjë. E vërteta thelbësore e ”Komentarit…” të tij del edhe me një varg të dhënash të tjera që nuk i njohim te Barleti apo te Beçikemi. Pra, kronisti shpesh ia lë vendin autorit realist, kurse prirjet fiksionale-narrative ia lënë vendin historianit me prirje klasike e postklasike. Sido që të jetë, kjo vepër, tek e pasuron kulturën e historinë tonë letrare me monumentalitetin e botimit; ajo e qorton edhe ndërgjegjen tonë: përse kaq vonë ky libër në mesin tonë?
———
Shënime:
1. Përpos përkthimit nga anglishtja që ia bëri kësaj vepre Hysen Hidri, qe botuar libri Dhimitër Frangu: “Veprat e lavdishme të Skënderbeut”i përkthyer nga italishtja e vjetër nga Lekë Pervizi, Arbëria,Tiranë 2005 e që është vepër më e plotë.
2. Ky shkrim imi fillimisht, u botua në gazetën “Rilindja”, mandej në vëllimin me kritika letrare e studime: Prend Buzhala: “Odeoni i fjalës”, “RLINDJA”, Prishtinë 2003, fq 17-21. Redaktor Ali Podrimja.
(Prend Buzhala, publikimi i parë në vitin 2000. Ripublikim: 9 janar 2018)