Kapja e nëntë shqiptarëve të “UÇK’së së Re” në Itali të lidhur me xhihadin u ndihmua nga Kosova

Shtetas shqiptarë nga Maqedonia e Kosova janë të përfshirë në këtë krim.

Para 5 ditëve në Palermo, u shkatërrua një bandë kriminale e lidhur me qarqet xhihadiste pasi u arrestuan 17 persona që dyshohet se kanë lidhje të forta në Itali dhe Kosovë. Nëntë prej të arrestuarve janë shqiptarë të cilët po quhen “UÇK’ja e Re” dhe në emër të saj kanë kontrabanduar armë ushtarake, pastrime parash, riciklim diamantesh e ari dhe trafikim me emigrantë nga Ballkani për në vendet perëndimore. Ndërsa, Policia e Kosovës për shqiptarët nga Kosova te përfshirë në këtë grup kriminal, thotë se kanë shkëmbyer informata që nga fillimi i hetimeve me autoritetet italiane.

Lajmi për shkatërrimin e bandës kriminale ku të përfshirë janë 8 shqiptarë bëri bujë të madhe në gjithë Italinë. Policia e Palermos ka arrestuar gjithsej 17 persona të kësaj bandeje, që dyshohet se kanë lidhje të forta në Itali dhe në Kosovë, por edhe me qarqe xhihadiste.

Kjo bandë, sipas mediave italiane ka vepruar në Palermo, Como, Varese, Milano, Trieste dhe Luzern. Ata dyshohet se kontrabandonin armë ushtarake dhe cigare, pastronin male me para, bënin riciklim diamantesh dhe ari, trafikonin emigrantë nga Ballkani në Zvicër dhe Gjermani.

Shtetas shqiptarë nga Maqedonia e Kosova janë të përfshirë në këtë krim.

Fatmir Latifi, Driton Rexhepi, Arben Rexhepi, Xhemshit Vershevci, Luan Dobjani, Ibrahim Latifi, Denis Nikçi, Xhemil Xhaferri dhe Uran Ahmeti, janë ata që dyshohet se kanë vu në kontakt grupin e famshëm mafioz Cosa Nostra dhe UÇK’në për trafikim të armëve.

Mediat në Itali thonë se në krye të këtij rrjeti ishte Fatmir Latifi, banor i provincës Bolognetta ne Palermo, Giuseppe Giangrosso dhe Driton Rexhepi, i cili jeton në provincën e Sondrio.

Shqiptari i cili ka qenë pjesë e UÇK’së, Arben Rexhepi thuhet se ka rekrutuar emigrantët që do të dërgoheshin në Itali, përgjatë rrugës ballkanike së bashku me bashkëpunëtorët Driton Rexhepi, Xhemshit Vershevci, Ibrahim Latifi dhe disa shtetas italianë.

Për kalimin e secilit kalim të kufirit, mediat në Itali thonë se personat kanë paguar 3 mijë euro.

Për kosovarët e kapur në Itali, në një përgjigje Policia e Kosovës thotë se kanë pranuar informata për personat e lartpërmendur dhe kanë shkëmbyer informacione me autoritetet italiane për këtë rast.

“Policia e Kosovës ka bashkëpunim të mirë me institucione të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare, në rastin konkret ka pranuar informacion/ kërkesë për personat e përmendur, dhe është shkëmbyer informacion me autoritetet Italiane përderisa rasti ka qenë në fazën e hetimeve policore, nën dyshimin e përfshirjes në krim të organizuar. Të gjitha veprimet policore janë ndërmarrë dhe do të ndërmerren sipas procedurave të parapara ligjore”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim në Departamentin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës.

Duke pasur marrëdhënie të mira me grupin mafioz Cosa Nostra, në tetor të 2016’s, u nisën hetimet ndaj këtij grupi të përfshirë me kosovarë.

Në Palermo, ky grup thuhet se kishte krijuar një shoqëri që kërkoi ardhjen e punëtorëve nga Maqedonia dhe Kosova.

Një kompani fantazme që do të përdorej për të marrë leje qëndrimi të përhershme për emigrantet. Çdo emigrant i paguante shtatë mijë euro grupit kriminal.

Të arrestuarit e tjerë janë, Franco Mapelli, Titian Moreno Mapelli, Jlenia Fele Arena, Giuseppe Giangrossio, Francesco Tinnirello, Salvatore Morello, Gabriel Torres, Dario Vitellaro.(BotaSOT)