Nga Hamit Aliaj
Im atë, Ati im që ish në tokë,
E pat shenjue lisin e moçëm
I cili do të pritej ditën e vdekjes së tij
Për dërrasat e arkëmortit
Verë për verë hijonte në hijen e tij
E kuvendonte me të
Si me udhëtarin që do ta shoqëronte përgjithnjë
Në përtejbotë
Vjeshtën e mbrame,në rënien e gjethit,
Kur lisit iu rrëzua hija,
Degëve u panë çerdhe zogjsh
Që i kish fshehur vera që shkoi
Ish vjeshta e fundit
Që im atë,Ati im i dheut,
Do të lëshonte hije mbi dhe
E paskan marrë zogjtë në besë atë lis,tha,
Zgjidhni një tjetër,çfarëdo,
Që kthimet e zogjve të mos mbesin pa shtëpi !…
Dhe u bë dimër…