Telefoni ju shpërqendron në punë, edhe nëse është i fikur

Mund ta nis këtë artikull se ndërkohë që jam duke shkruar për pasojat që sjell telefoni kur punoni, smartphone e kam mu përpara syve. Por kjo nuk do të ishte interesante.

Por, nëse do ta filloja artikullin duke thënë se telefoni im ishte diku tjetër – le të themi në çantë apo në një dhomë tjetër – kjo do të ishte vërtet e tmerrshme.

Në fakt, është një histori e tmerrshme që qindra njerëz e përjetuan kohët e fundit. Këta persona ishin pjesëmarrës në një studim të publikuar në “Journal of the Association for Consumer Research” dhe i analizuar nga The Harvard Business Review. Përfundimi është se kur keni telefonin pranë, edhe nëse ai është “silent”, madje edhe i fikur – ndikon negativisht në punën tuaj.

Cila është gjëja më e çuditshme në këtë studim? Ju mund të mos e kuptoni se sa mund t’ju shpërqendrojë telefoni.
Studiuesit u kërkuan qindra njerëzve të punonin në dy situata të ndryshme. Pjesëmarrësve në studim, ndonjëherë u kërkohej që ta linin telefonin mbi tavolinë, ndonjëherë në çantë, xhep e, nganjëherë, në një zyrë tjetër. Në të gjitha rastet, zilja e telefonit dhe dridhja ishin të çaktivizuara.

Rezultatet treguan se njerëzit ishin më të përqendruar kur telefonat ndodheshin në një dhomë tjetër. Edhe kur pjesëmarrësve në studim iu kërkua të fiknin telefonin e tyre, ata sërish patën përqendrim më të lartë kur nuk i kishin smartphone-t e tyre para syve.

Megjithatë, kur kërkuesit i pyetën pjesëmarrësit nëse vendndodhja e telefonit kishte ndikuar në përqendrimin e tyre, pjesa më e madhe thanë jo. Kjo tregon që telefonat tanë po ndikojnë sjelljen tonë në mënyra për të cilat mund të mos jemi të vetëdijshëm. Kërkuesit gjetën se disa persona ishin më shumë të ndjeshëm ndaj ndikimit negativ të telefonit. Pjesëmarrësit në studim, të cilët ishin dakord me deklarata si “do të kisha vështirësi të kaloja një ditë normale pa celularin tim”, ishin më shumë të prekur.

Merrni në konsideratë ta mbani telefonin tuaj në një dhomë tjetër, ndërkohë që punoni

Ky kërkim mbështetet në një studim të ngjashëm, të publikuar në vitin 2015, në “Journal of Experimental Psychology: Human Perception and Performance”. Hulumtimi gjeti se dëgjimi i tingullit të një njoftimi apo ziles të një telefonate hyrëse mund të dëmtojë performancën tuaj në funksionet njohëse.

Në bazë të gjetjeve, kërkuesit e studimit të ri thanë se njerëzit duhet të marrin në konsideratë ta mbajnë telefonin në një dhomë tjetër, në mënyrë që të mos ndikojë në punën e tyre. Studiuesit citojnë një studim të vitit 2014, të publikuar në gazetën “Computers in Human Behavior”, që gjeti se niveli i ankthit te njerëzit u rrit shumë kur papritur ata u ndanë nga telefonat e tyre dhe u detyruan që t’i dëgjonin kur binte zilja.

Si përfundim: edhe nëse mendoni se jeni duke punuar në mënyrë të përkryer, me telefonin para syve, nuk ndodh kështu. Merrni në konsideratë mundësinë të bllokoni disa njoftime për pak kohë për të përmirësuar përqendrimin tuaj.

*Shana Lebowitz
Burimi: World Economic Forum