LAHUTË PSE KJAN N` KULLËN E MOTIT

Nga Fran Ukcama

Ajkuna, nana ime i ndrittë shpirti nalt n` Soishtë,
në Soishtë nën Kore t` Merturit, n` at muranë,
rrethue me lisa e aha, yjet n` krye përmbi,
në andrra sonte me ka nisë,
-Kqyr, më tha, në hatër të Zotit, ku mbet maje guri,
maje guri, n` shkrepë dielli,
Lahuta, knojtorja e shpirtit, merre njat kanga për mua..!!!

Jam ngjitë majash me vrull shqiponje,
para m` prin një dragua,
kam ndalue bash n` Djep të Eposit,
n` Curraj Epër te një mriz, te një një krua ..

Pse kjan lahutë kreshnike e kombit,
ndër Gegni t` epër ti ke pas kanë zanë,
ti ke pas kanë lavdruemja e trollit,
ti kullës moçme i ke ndejtë n` ball..

Ti thure eposin me shpirtin e rapsodit,
i torre bamat, trimnitë me famë,
këndove lavdinë e oxhaku, oborrit,
breznitë i ushqeve me tamël si nanë..

Tamli yt nuk doli prej gjini,
po ujëvarat lidhun me njëmijë gërsheta,
ti kronikale e paqës , luftimit,
ti bijë e diellit, shungullima mbi kreshta..

Djepit eposit, Curraj – Epër dhe Brisë,
n` Prebibaj ku dajtë e mi i nguli zoti,
mjeshtri i drunit, knojtari i lirisë,
epiku , homerik i madhi, Mirash Gjoni..

Vonë kuptova pse nana ime,
Ajkuna emnin e kishte, se n` ato grzime,
Mirash Gjoni, Homeri që eposin mblodhi,
mijra vargje i kendonte, nanën time e pat pagzue..

Thonë se kryevepra”Ajkuna kjan Omerin”
ky krijim brilant, kryeveper,
bash asht krijimi i shpirtit tij,
askund nuk u gjend mbi dhe veç aty në Curraj Epër!!,

Lavdi Mirash Gjoni , lavdi,
sa t` jetë jeta mbi dhe, rron lahuta dhe eposi,
rron dhe emni yt knojtar,
ul mbi gur, bash n` log të kishës meriton një monument..

Në Brisen e Gurit, Drinit përmbi,
ku lulëzon molla, gështenja dhe blini,
Daica oazi, kthyem në madhështi,
Votra ku këndoi kreshnik, Sokol Martini..

Kush i shungulloi, madhnishëm eposit,
kohës së re, me tinjuj magji,
oh, Zef Avdia, ky burrë derë sojit,
me zanin e tij, nderoj një Malsi..

E më vijnë në rend, burra me besë,
bujar, t` pashëm si lisa në kambë,
kush ma mirë se ai e ka ndezë,
si Mark Mitri, qebesa kush s` ka kanë..

Erdhen breznitë të rrokën burrneshë,
ty legjendarja, kohnave, trollit,
Djem bilbila që n` festivale shkëlqyen,
Syk Pepkola dhe Zef Markola..

E sot ti kalon dorë më dorë,
me dhimbë e brengë për shekujt kaluar,
një vashë në Nikaj, Djalë në Mertur
Gofile Papleka e Sokol Mula..

Grueja në viset tona pat emër,
dhe nder, besë po me kanun,
ti moj shqipe e mban mend Kade Ahmeten,
kaq bukur këndoi si zanë mbi lumë..

E di ke renë tash në pikëllim,
kullat nuk janë, si kenë ndër mote,
odat e burrave, dikur si shejterim,
nuk ka oxhak, prush edhe sofër..

Ti mund të gjendes, aty- këtu,
tek ndonjë gdhëndes i moçëm mjeshtër,
njeri prej tyre, e kam njohur unë,
Zef Mula, e kush si ai tjetër..

Mos kjaj moj loke, moj kenojtare moti,
mos u ligështo se breznitë kujtohen,
për vlerat e mëdha trashgue rod mbas rodi,
ti je princesha thinjur që nuk shuhesh..

Troje të mrekulluera prej Perendie,
i ktheni nderin, emnit të fisit,
ju burra e gra, djem e çika,
kapni lahuten në dorë vareni te Kulla e Diellit!!

Dijeni se fiset e njohuna, per bes\ burrni e trimni,
bujari konak më konak, sofër më sofër,
Kombit i dhanë bashkë me lahutën,
Eposin më të madhnishëm që nuk gjinet në tanë Botën..