Kosova paguan çmim çdo ditë, çdo muaj, çdo vit për faktin thellësisht zhgënjyes se Sovraniteti dhe Pavarësia juaj ende nuk pranohen nga të gjithë

Fjala e ambasadorit Greg  Delawie me rastin e Ditës së Pavarësisë së SHBA-së, 29 qershor 2018

Mirëmbrëma! Dobro veče! Good evening!

President Thaçi, Kryeministër Haradinaj, nënadmiral Kilrain, Gjeneral-major Orr, Gjeneral-major Cuoci, miq, partnerë dhe pjesëtarë të bendit të hatashëm muzikor të Forcave detare amerikane, mirë se vini në festimin tonë të Ditës së Pavarësisë së Amerikës!

Tema e festës këtë vit është tradita e mrekullueshme amerikane e panairit shtetëror dhe në veçanti, Panairi i famshëm shtetëror i Ajovës për nder të partneritetit të Kosovës me shtetin simotër të Ajovës dhe me Gardën Kombëtare të Ajovës. Panairi shtetëror i Ajovës për herë të parë është mbajtur në tetor të vitit 1854. Panairet shtetërore kremtojnë si ekonominë bujqësore bashkëkohore të teknologjisë së lartë të Amerikës, po ashtu edhe nostalgjinë për traditat tona të vjetra, si dhe garat shoqërore, muzikën dhe zbavitjen. Panairet shtetërore janë vende ku çdo segment i shoqërisë qëndron krah për krah si i barabartë. Ato janë vende ku qytetarët dhe politikanët takohen ballë për ballë dhe flasin sinqerisht për çështjet me rëndësi. Shpresojmë që atë ndjenjë ta përcjellim deri në një masë edhe sonte këtu.

E në atë frymë, dëshiroj t’i falënderoj gjithë ata njerëz që na kanë ndihmuar për ta organizuar festimin e Ditës së Pavarësisë, veçanërisht sponzorët tanë. Me të vërtetë shpresoj se do të kënaqeni sonte!

Përderisa shënojmë vitin e 242-të të pavarësisë sonë, po ashtu festojmë edhe partneritetin tonë të veçantë me Kosovën, i cili po thellohet vit pas viti. Festa e përvjetorit të dhjetë të pavarësisë së Kosovës më herët gjatë këtij viti ishte rast për të përsiatur rreth përparimit mbresëlënës që e keni arritur në dhjetëvjeçarin e parë të shtetësisë suaj, duke punuar përkrah partnerëve dhe miqve, shumë prej të cilëve janë këtu sonte.

Hap pas hapi, Kosova po ndërton një shoqëri përparimtare e shumetnike dhe ekonomi më të fortë. Si në çdo demokraci, puna duhet të vazhdojë. Nelson Mandela ka thënë: “Kur ngjitet në maje të një kodre të lartë, njeriu e sheh se janë shumë më shumë kodra për tu ngjitur”. Kjo është sfida dhe privilegji i çdo vendi të ri. E pikërisht në këtë çast, në Kosovë janë disa kodra të larta për tu ngjitur.

Më lejoni t’i shtjelloj dy prej tyre: dialogun dhe besimin e publikut. Festimi ynë sonte po bëhet në një çast urgjent. Ky është viti kur Kosova duhet t’i tejkalojë dallimet me Serbinë dhe të negociojë marrëveshjen përfundimtare në dialog.

E dimë se kjo kodër është e thepisur, por nuk ka mënyrë tjetër për Kosovën për ta çelur shtegun për anëtarësi të plotë në komunitetin perëndimor. Më lejoni të jem shumë i sinqertë se pse kjo është e rëndësishme. Republika e Kosovës shumë kohë të gjatë e ka bartur barrën e fusnotës.

Kosova paguan çmim çdo ditë, çdo muaj, çdo vit për faktin thellësisht zhgënjyes se sovraniteti dhe pavarësia juaj ende nuk pranohen nga të gjithë. Ky çmim është ekonomik, komercial, politik dhe shoqëror. Edhe unë jam po aq i pakënaqur sa ju nga ky realitet i hidhur, por fakti qëndron se ju po e paguani këtë çmim.

Ju e paguani këtë çmim sa herë që ndërmarrjet e huaja anashkalojnë investimin në një vend, ligjshmëria e të cilit vihet në dyshim. Ju e bartni barrën e asaj që bizneset ndërkombëtare e quajnë “rrezik politik”. Ju paguani çmimin pse Kosova nuk ka zë në shumë organe dhe agjenci ndërkombëtare që e rregullojnë sistemin botëror ose në shumë institucione kyçe evropiane. Shumë vende, ndërmarrje e institucione ndërkombëtare kqyrin kah Kosova dhe krejt çka shohin janë pyetjet rreth ndarjes suaj nga Serbia dhe rreziqet politike, ekonomike dhe të sigurisë që vijnë me të.

Ky çmim është barrë e rëndë që ngadalëson zhvillimin ekonomik të Kosovës. E kjo madje para se ta përmendim faktin se Kosova nuk do të mund të anëtarësohet në BE dhe NATO pa arritur normalizimin me Serbinë. Çmimi afatgjatë i kësaj pengese njëmend është i pallogaritshëm. Kjo është barra e rëndë e fusnotës, që Kosova ende e bart.

Pra, ku ju lë kjo juve? Për mua, kjo do të thotë se nuk keni zgjidhje tjetër të vërtetë përveç negociimit të zgjidhjes përfundimtare të marrëdhënies suaj me Serbinë dhe sa më herët ta bëni këtë, aq më mirë. Pikërisht tani, në 2018-tën. Diskutimi duhet të ecë përtej a duhet të ketë marrëveshje dhe përtej arsyeve “përse të mos” negociohet. Udhëheqja e njëmendtë nënkupton të përqendroheni se si të gjendet mënyra për t’i përmbushur qëllimet tuaja. Ekziston momentum në rritje dhe seriozitet i njëmendtë që më në fund të arrihet normalizimi Kosovë-Serbi. BE-ja e ka theksuar se për të hyrë në Bashkimin Evropian, të dyja vendet duhet të arrijnë një ujdi. Kjo është karta më e fuqishme negociuese që Kosova do ta ketë ndonjëherë. Por, Bashkimi Evropian ka zgjedhje në vitin 2019 dhe askush nuk mund të thotë se çka do të bëjë gjenerata e ardhshme e prijësve të BE-së. Ka ardhur koha që Kosova të bashkohet nën ndjenjën e unitetit dhe qëllimit kombëtar për shtytje të fundit në dialog.

Njëkohësisht, Kosova e ka edhe një kodër tjetër për tu ngjitur. Luftimi i korrupsionit dhe përmirësimi i besimit të opinionit publik. Zyrtarët publikë në një demokraci e kanë detyrim që t’i japin llogari popullit, i cili ua paguan pagat dhe që ta vënë shtetin në vend të parë, mbi interesat personalë ose politikë. Kjo vlen për të gjithë zyrtarët publikë, komunalë e shtetërorë, nga zyrtarët e policisë e te prokurorët, gjyqtarët, zyrtarët qeveritarë e deputetët. Një kulturë që vë interesat e vendit mbi përfitimin personal dhe lufta sistematike e e vazhdueshme kundër korrupsionit janë thelbësore për gjithçka që Kosova shpreson të përmbushë. Në çështjet jetike si papunësia, edukimi, siguria energjetike dhe shumë çështje të tjera, Kosova duhet të jetë shtet ku meritat vlejnë më së shumti, ku një mjedis transparent dhe stabil afarist tërheq dhe shpërblen investimet dhe ku të rinjtë besojnë se kanë gjasa të barabarta për të arritur diçka dhe edukimin për të pasur sukses.

Unë besoj që kjo gjë është e mundshme sepse pas tri viteve këtu, e di që Kosova është vend i qëndrueshmërisë, kreativitetit dhe guximit. E shoh këtë çdo ditë, në takimet me studentë, bujq e ndërmarrës të ri, duke qenë dëshmitar i talentit dhe potencialit të hatashëm të një kombi të ri, i gatshëm për të shpërthyer.

Përballuni me sfidat para jush dhe Kosova mund t’i arrijë qëllimet për të ndërtuar një ekonomi të larmishme dhe dinamike; për të zhvilluar marrëdhënie produktive e paqësore me fqinjtë e saj; dhe siç thuhet në Kushtetutën e saj “për të ndërtuar të ardhmen e Kosovës si vend i lirë, demokratik e paqedashës që do të jetë atdheu i të gjithë qytetarëve të vet”.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’ju qëndrojnë përkrah derisa përballeni me këto sfida. Sonte, përderisa festojmë Ditën tonë të pavarësisë, e festojmë edhe miqësinë tonë me Kosovën dhe përkushtimin tonë të përbashkët për të ndërtuar një botë ku demokracitë mund të lulëzojnë.

Urime! Čestitke svima! Urime Dita e Pavarësisë së Amerikës!