38 vjet më parë. Sigurimi i Shtetit në kërkim të armiqve të popullit. Kush e dogji Ndërmarjen e Përpunim Drurit të Vlorës?

Nga Enver MEMISHAJ

Ish teknik mekanik në N.P.Drurit në Vlorë

Zakonisht në moshën e rinisë jetohet kryesisht me ndjenjat e së tashmes, por në moshën e shkuar ndodh ndryshe, jetohet orë e çast me peshën e kujtimeve të së kaluarës që e përkulin edhe më shumë trupin, dhe e lëndojnë shpirtin. Kështu ndodh edhe me mua që kam vite që jam thinjur…

Një brengë e së kaluarës së mundimshme s`më lë të qetë dhe e vetmja gjë që mund të bëj janë shkrimet….

Them brengë se ndërsa mendoja dhe punoja në Ndërmarjen e Përpunim Drurit në Vlorë, me gjith shpirt dhe me aftësi profesionale, Sigurimi i Shtetit më kishte rreshtuar në listën e armiqve të popullit dhe me ndiqte se mund të ishja unë ai që mendoja ditë e natë të sabotoja ekonominë socialiste!

Vitet e jetës ikin dhe bashkë me ta edhe mua më mblidhet lëmshi siç thotë populli dhe nuk dua që bashkë me mua të ikin edhe kujtimet dhe ngjarjet që jetova, prandaj po i publikoj këto kujtime mbi djegien e Ndërmarjes së Përpunim Drurit të Vlorës, 38 vjet më parë, por që kanë mbetur të pa shlyera në kujtesën time.

1.      Një ngjarje e jashtzakonëshme.

Ishte 21 prilli i vitit të largët 1977 dhe e shkreta nëna ime që kishte dalë me një orë natë për të blerë një litër qumësht, erdhi me nxitim në shtëpi  dhe më foli e shqetësuar: Enver, Enver…

U zgjova dhe po vështroja nga nëna ime e cila nxitoi të më thosh:

–        Ngreu të keqen nëna se është djegur Përpunim Druri.

Pa e kuptuar mirë se ç`më kish thënë nëna, u nisa ashtu përgjumësh në Ndërmarjen ku punoja si mekanik. Kur mbrita pashë me hidhërim se në vend të Ndërmarjes, tashmë kishte mbetur vetëm një zjarr gjigand që vazhdonte të digjej akoma. Edhe zjarrfiksit dukej se ishin mundur, e s`kishin se ç`të bënin më veçse të bënin seir bashkë me ne të tjerët…

*       *       *

Në këtë Ndërmarje ku prodhoheshin mobilje dhe arka  amballazhi, ishin punësuar afro 300 punëtorë, që punonin me një teknologji të prapambetur e kosto shumë të lartë.

Në atë Ndërmarje punova prej datës 17 tetor 1971 deri më 22 qershor 1980. Aty fitova kategorinë e shtatë, titullin “Mjeshtër në mekanik”, dhe arrita të kryej fakultetin e ekonomisë duke mbrojtur diplomën me një temë “Prerja e fibrës dhe kompesatos në industrinë e Përpunim Drurit”, me anë të metodës matematikore të Programimi Linear.

Tashmë më 21 prill 1977 në vend të asaj Ndërmarje kishja përpara një zjarr gjigand i cili në pak orë kishte bërë shkrumb e hi mundin dhe djersën e vlonjatëve të shumë viteve… Pas kalimit të çasteve të para të hutimit filluam punën, por pa ditur e pasur të qartë se nga ta fillonim dhe ç`duhet të bënim.

Kishim një avantazh. Në vazhdim të kësaj Ndërmarje sapo kishte përfunduar një ndërtesë e re tek e cila pritej të trasferoheshin makineritë nga ndërtesa e vjetër dhe puna të niste atje.

Brigatës elektro-mekanike në të cilën bëja pjesë edhe unë i binte barra më e rëndë e remontit dhe montimit të makinerive në ndërtesën e re.

Pata fatin të punoja me të paharruarin Xhelal Veizi, kryemekanik, një burrë fisnik e bujar, i shkëlqyer në të gjitha drejtimet, si familjar e burrë i ndershëm, nga qytetaria e humanizmi, nga  profesioni e sjellja e tij e butë.

Po kështu kujtoj me respekt edhe shokët e tjerë me të cilët shkova afro dhjetë vjet të jetës sime:

Xhevdet Sheraj, prototipi i labit të mirë dhe të zgjuar, njeriu që i hidhte ujë zjarrit sa herë ne më të rinjtë merrnim zjarr me njeri tjetrin apo me usta Xhelalin.

Janaq Mandi, tipi njeriut masovik.

Perlat Rexhepi, një djalë i shkëlqyer si njeri dhe profesionist. Ai ishte elektriçist por dinte të bënte po me atë zotësi të gjitha profesionet.Aftësitë e tij intelektuale dhe profesionale u provuan pas viteve 1990, kur ai ngriti një zduktari moderne.

Vangjel Dako ishte një elektriçist i shkëlqyer dhe një punëtor i pa lodhur.

Llazar Ceko ishte shoferi i Ndërmarjes.

Në këtë brigadë bënin pjesë edhe dy kaldaist Avdul Robi dhe Stefan Sheshi. Për pakë kohë punoi me ne edhe Asimi dhe Kujtim Strati.

Për të eleminuar pasojat e djegies erdhën ndihma materiale dhe specialist nga disa ndërmarje të Vlorës dhe qytete të vendit. Por barrë e rëndë na binte ne të zotëve të shtëpisë që veç punës vetmohuese duhet të planifikonim nevojat tona për bazë materiale, duhet të organizonim dhe drejtonim specialistët elektro-mekanik që kishin ardhur për ndihmë. Në krye të kësaj pune të madhe ishin tre inxhinjerë të talentuar Nikolla Bej, Filip Angjeli dhe Agron Ruka, pa mohuar rolin dhe punën e shumë specialistëve të tjerë, të cilët punonin me vetmohim shtatë ditë në javë pa bërë pushim mbi 12, apo 16 orë në ditë dhe pasi linim punën thirreshim në mbledhje të kolektivit ku na zinte gjumi nga lodhja.

Pas një pune skllavi të pa paguar, për afro tre muaj ne skllevërit e Enver Hoxhës dhe Kadri Hazbiut, nën një presion çnjerzor, arritëm ta vinim në punë zduktarinë e re. Pas kësaj pune e asnjë fjalë e mirë, asnjë shpërblim moral, asnjë shpërblim të punës dhe djersës së derdhur. Vetëm heshtje dhe përgjim e poshtërim nga oficerët e Sigurimit të cilët nuk na u ndanë gjatë tre muajve që ne punonim, ata na përgjoninin.

2.      Sigurmi i Shtetit në kërkim të armiqve të popullit

Në vitin 1995, pas përmbyesjes së diktaturës komuniste, në detyrën e Shefit të Shërbimit Sekret të Vlorës, m`u dha mundësia të njihesha me dokumentat sekrete të Sigurmit për djegien e N.P. Drurit.

Mbi bazën e kësaj dosje, po përshkruaj aktivitetin e Sigurmit të shtetit “Mbi ndjekjen dhe zbulimin e e autorëve të mundëshëm të djegies së Ndërmarjes së Përpunim Drurit”.[1]

Djegia e kësaj Ndërmarje, për vetë rëndësinë që kishte, pasi solli një dëm ekonomik prej 1.400.000 lekë, u ndoq që në fillim me grup operativ, nën drejtimin e Zëvendës Kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme. Analizoheshin në vazhdimësi të gjitha të dhënat dhe denoncimet dhe merreshin masat e nevojëshme. Për punën e kryer informohej vazhdimisht Drejtoria e Parë e Sigurmit të Shtetit si dhe Dega e VII –të.  

Fill pas ngjarjes u organizuan dy mbledhje njera pas tjetrës me të gjith efektivin e agjenturës dhe u kërkua që problemi të shihej me syrin politik. Shefat e seksioneve bënë plane dhe u morën masa të gjithëanëshme për aktivizimin e forcës zbuluese në drejtim të përpunimit të kontigjenteve armike duke u dhënë prioritet atyre që punojnë në në këtë Ndërmarje.

Nga të dhënat e oficerëve operativ Sigurimi nxorri dhe evidentoi dhjetë punëtorë të kësaj Ndërmarje me prejardhje të keqe politike, të cilët nuk ishin evidentuar më parë në listat e kontigjenteve të armiqve të popullit. Për këtë mungesë, pra që nuk ishin evidentuar dhjetë armiq të popullit që punonin në N.P.Drurit iu tërhoq vëmëndja oficerëve operativ.

Njëkohësisht Sigurimi i Shtetit hartoi vërtetimet biografike të të gjith punëtorëve të turnit të dytë të datës 21 prill 1977, si dhe për dhjetë punëtorët e tjerë të cilët u evidentuan si element armik. Një pjesë e këtyre punëtorëve u muarën në përpunim, çka do të thotë se ata ndiqeshin me anët të bashkëpuntorëve natë e ditë.

Nga ana tjetër Sigurmi studjoi banorët që janë rreth e qark kësaj Ndërmarje dhe rezultoi se pranë kësaj Ndërmarje banojnë dy qytetarë që ndiqeshin si armiq me 2/A si agjent të mundëshëm Grekë dhe Jugosllavë si dhe tre qytetarë të regjistruar në evidencën e armiqve të popullit. Në drejtim të këtyre elementëve u aktivizuan agjentët ekzistues që i ndiqnin ata dhe më parë. Po kështu në drejtim të tyre u tërhoq urgjent edhe nje bashkëpuntor i kategorisë informtator.

I pashë me kujdes dy qytetarët që ndiqeshin kontigjente të armikut, Greqisë e Jugosllavisë. Ata ishin patriot të mirë dhe as që u kishte shkuar në mëndje të punonin kundër vendist të tyre dhe aq më tepër t`i shërbenin Greqisë apo Jugosllavisë, kundër të cilave të parët e tyre kishin luftuar për interesa të vendit të tyre. Por kjo ishte llogjika kriminale dhe injorante e oficerëve komunist të Sigurmit të Shtetit të Vlorës.

Sigurimi evdentoi gjithashtu se jashtë orarit të punës kishin hyrë në Ndërmarje për të lënë makinat e tyre shoferët Kozma Pjero dhe Dashnor Sina tek të cilët Sigurmi nuk kishte dyshime sepse ata kishin qëndrim të mirë politik.   

Në përfundim të këtyre veprimeve Sigurimi i Shtetit hartoi një listë prej 17 punonjësve të kësaj Ndërmarje, të dyshuar se veçmas apo në bashkëpunim kishin djegur Ndërmarjen! Arsyeja e dyshimit ishte qëndrimi i keq politik.

Është e nevojshmë të sqarojmë se Partia Komuniste quante shtetas me qëndrim të keq politik fiset apo familjet që para vitit 1939, apo gjatë luftës 1939 – 1944, kishin qënë të pasur, apo nëpunës apo paraardhësit e tyre kishin bërë pjesë apo ishin simpatizant në lëvizje apo organizata antikomuniste apo gjatë regjimit komunist kishin të afërm të burgosur apo internuar për idetë e tyre.

Pra të gjith ata që nga origjina nuk kishin pasur fatin të ishin fshatar të varfës apo punëtor krahu mbaheshin në lista të veçanta, shiheshin me dyshim dhe ndiqeshin me anë të agjentëve vullnetar të Sigurimit të Shtetit si kontigjente të armikut, sepse sipas tyre kishin qënë dhe mbeteshin çfardo që të bënin armiq të popullit, që nuk e donin Partinë dhe pushtetin popullor!

Në listën e të dyshuarve prej 17 vetëve hartuar nga Sigurimi në bashkëpunim me Organizatën Bazë të Partisë së Punës së kësaj Ndërmarje ishte rreshtuar edhe emri autorit të këtij artikulli dhe bri tij arsyeja pse dyshohej: me të kaluar të keqe politike!?

E kqyra me kujdes listën emrore prej 17 vetëve, në të cilën kishte edhe femra. I njihja të gjith ata të dyshuar për djegien e Ndërmarjes, si Rasim Bejkosalën, Mehmet Shabanin, Tefta Ismailin etj. Të gjithë ishin qytetarë, njerës të ndershëm dhe punëtor të pa lodhur për të mbajtur familjet e tyre.

I lexova përsëri dhe përsëri dhe tek çdo emër ndalesha dhe pyesja veten: A mund t`i vinte zjarrin ky njeri Ndërmarjes ku punonte? Nuk dyshova te askush dhe ashtu si edhe mua edhe atyre as që u vinte mëndja të bënin një veprim të tillë. Ata nuk e donin sistemin komunist e ndofta e urrenin atë, por askujt nuk i vinte mëndja të bënte një veprim të tillë dhe asnjeri s`mund të gëzohej për atë që kishte ndodhur, përkundrazi të gjith e shikonin atë ngjarje të jashtzakonëshme me hidhërim që s`duhet të kishte ndodhur.

Në vazhdim të ndjekjes së të dyshuarve Sigurimi mori në kontroll operativ 2/B, dy persona të tjerë dhe u ngritën në përpunim paraprak P/P, katër të tjerë si autorë të mundshëm të ngjarjes ose që kishin dijeni për këtë veprim.

3.      Dhunë dhe terror psikologjik mbi punonjësit e Ndërmarjes

Në mbledhjet e përditshme të kolektivit, pra gjatë hetimit kolektiv, oficerët e Sigurmit shpërndaheshin në sallë dhe sejcili prej tyre ulej pranë punëtorit që dyshohej se ishte zjarrvënës, për të ushtruar presion apo për të qënë të gatshëm për të neutralizuar çdo veprim të armikut apo armikes së popullit!!! Në këto mbjedhje që në fakt ishin dhunë kolektive asistonin edhe specialist nga prokuroria dhe Gjykata.

Mbledhjet e dhunëshme dhe të frikshme drejtoheshin nga sekretaria e Komitetit të Partisë së Punës shoqia Jorgjie Premti – Peçini, bashkshortja e Llambi Peçinit, Kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme dhe një nga njerëzit më besnik të kriminelit Enver Hoxha. Të dy këta burrë e grua e paguan me lëkurën e tyre besnikërinë ndaj tij: Llambi u pushkatua si armik i Partisë, ndërsa Jorgjia vrau veten.

Ishin mbledhje tmerri dhe frike. Njerëzit vuanin nga mania e persekucionit: Po sikur t`i shkrepte ndonjerit dhe të ngrihej e të thosh se Ndërmarjen e dogji filani apo fistëku?

Jorgjia ishte një grua e shëndosh, plot energji dhe kërcënime përpara punëtorëve. Ajo nuk lodhej duke u bërë thirrje punëtorëve të tregonin dhe të informonin Partinë për çdo gjë të dyshimtë. Pas disa mbledhjeve ajo arriti në përfundimin se Ndërmarjen e kishin djegur armiqtë e Partisë që janë midis jush dhe së shpejti do t`u hidhen hekurat. Kështu vazhdoi dhuna mbi këtë kolektiv për dy  muaj rresht çdo ditë…

                                                              *     *     *

Që ditën e parë, më 22 prill 1977, u arrestuan dy rojet e Ndërmarjes, Petro Dardha dhe Hysen Shameti si dhe dezhurni Llazar Boçi. Nga hetuesia dhe masat operativo hetimore që u përdorën kundër tyre, nuk doli ndonjë person i dyshimtë.

 Pas rojeve, Sigurimi bëri presion dhe mori në pyetje punëtorët që kishin punuar në turnin e dytë me qëllim që të merrte informacion për ndonjë lëvizje të dyshimtë, apo ndonjë dyshim për ndonjë shkëndijë elektrike, por pa asnjë rezultat konkret.

Nga mbledhja e kolektivit doli se Orfe Dhamo, punëtor, kishte goditur përgjegjësin e repartit inxhinjer Bashkim Lelin, pas një grindje me të. Sigurimi e shfrytëzoi këtë rast dhe e arrestoi Orfe Dhamon me akuzën e goditjes së personit zyrtar. Por në fakt Sigurimi i Shtetit kishte tjetër qëllim, ushtroi dhunë mbi këtë punëtor të pa fajshëm si dhe mbi familjen dhe të afërmit e tij: Thoma Çaçin, Koço Dhanilin, dhe bashkshorten Vangjeli Dhamo, për të nxjerrë zjarrvënësin. I ndodhur nën tortura çnjerzore, Orfe Dhamo nuk duroi dot më dhe u solli hetursve kriminel kënaqësi duke deklaruar se ishte pikërisht ai që i kishte vënë zjarrin Ndërmarjes, për inat të Bashkim Lelit!!!

Por, a ishte në fakt fajtor Orfe Dhamo?

Ai nuk u pyet asnjëherë për goditjen e Bashkim Leleit, por që ditën e parë të arrestimit iu kërkua që të shpegonte për djegien e N.P.Drurit. U përpunua në dhomat e izolimit, pra u shtrua në dru. U morën në pyetje me dhunë dhe terror gruaja e tij, kunati, kunata të cilët u izoluan në qeli dhe u dëgjuan e rregjistruan bisedat e tyre me anë të Teknikës Operative.

Nga ky hetim çnjerzor hetuesia arriti në përfundim se: gruaja dhe të afërmit e Orfe Dhamos nuk kanë dijeni që ai të jetë autori i këtij zjarri. Gruaja e tij shpegoi qartë se bashkshorti sajë Orfe Dhamo në mbrëmjen e datës 21 prill 1977, kur ka rënë zjarri, deri në mëngjezin e datës 22 prill 1977, kur ai është nisur për në punë, Orfeu nuk është larguar nga shtëpia.

Pavarësisht nga kjo pamje e pafajsisë së Orfe Dhamos, ai u mbajt në presion dhe izolim të plotë, duke vazhduar të përpunohet me anë të spiunëve të Sigurimit të Shtetit të cilët i dërgoheshin atij në qeli.

Një javë pasi Orfe Dhamo ishte arrestuar dhe ndaj tij ushtroheshin tortura çnjerzore, ai iu shpreh bashkëpuntorit të Sigurmit në qeli se, nuk mund të duronte torturat që i bëheshin  dhe “do të bëj të pa bërën të bërë, do të pranoj se jam unë autori zjarr vënies së Ndërmarjes!”

Të nesërmen ai u muar në pyetje dhe pohoi në hetuesi se ishte ai autori i zjarr vënies  dhe se këtë e kishte bërë për inat të inxhinjer Bashkim Lelit me të cilin ishte rrahur dhe për këtë ishte pushuar nga puna.

Pas këtij pohimi atij iu ndërprenë tortuarat por vazhdoi të pyetej çdo ditë. Gjatë tre ditëve që ai qëndroi në pozita pohimi, i ndryshoi deponimet në lidhje me mënyrën e vënies së zjarrit, mjeteve të përdorura dhe vendin ku e kishte vënë zjarrin dhe pas tre ditëve i hodhi poshtë deponimet dhe deklaroi se nuk ishte fajtor dhe se kishte pranuar fajn nga tortura dhe frika.

Edhe nga përpunimi i dy qytetarve si lidhje të afërta të Orfe Dhamos, nga suverjimi i bërë u vërtetuan kontakte dhe biseda të shkurtëra midis tyre si dhe u realizua përpunimi agjenturor, por nuk doli asgjë me interes.

Në kushtet e këtij presioni Orfe Dhamo, paraqiste përpara hetuesve sjellje anormale, pranonte çdo gjë që i thoshin ata dhe qeshte. Shkurt hetuesit gjakpirës e kishin çmëndur Orfe Dhamon dhe hetuesia e tij nuk provonte asgjë serioze. Për këtë, atë, e transferuan në spitalin neuro-psiqiatrik në Tiranë, ku ndenji i shtruar një muaj. Hetuesit shkruajnë se “Me gjithse në drejtim të tij u bë një hetuesi e fortë nuk rezultoi që zjarrin ta kishte vënë Orfe Dhamo dhe si rezultat i kësaj ai u dënua me 6 muaj burg për goditjen e personit zyrtar”.

Lexuesi mund ta kuptojë lehtë se çdo të thotë “hetuesi e fortë”, po ashtu kuptohet lehtë se për të justifikuar arrestimin dhe izolimin e tij  për 2 muaj ata i dhanë 6 muaj burg!

Kjo ishte drejtësia komuniste!

Pas dy – tre ditëve të arrestimit të Orfe Dhamos u arrestua Divid Dëma, punëtor, shoku i afërt i Orfe Dhamos. Dividi u mbajt i izoluar 14 ditë, nën presion, dhumë dhe tortura çnjerzore, ai vetë bashkshortaja dhe familja e tij. Dividi merrej në pyetje çdo ditë që të pohonte bashkëpunimin e tij me Orfe Dhamon për djegien e N.P.Drurit. Pas Dividit u muarën në pyetje u dëgjuan dhe regjistruan me teknikë Operative familjarët e tij.

Dividi e duroi dhunën dhe terrorin dhe deponoi në hetuesi: “Unë nuk di asgjë për djegien e Përpunim Drurit dhe Orfe Dhamua nuk e ka vënë zjarrin”. Përfundimisht u provua që Divid Dëma nuk kishte bashkëpunuar me Orfe Dhamon dhe të dy ata nuk ishin fajtor.

Krahas veprimeve të sipërme u organizuan katër kombinacione me teknikë operative si për familjarët dhe të afërmit e Orfes dhe Dividit, elementët e ndaluar ashtu edhe për lidhjet e tyre të afërta që thirreshin në Degë për verifikimin e dyshimeve të dala.

Me hir apo me pahir Sigurimi Shtetit, brenda disa ditëve, tërhoqi në bashkpunim katër bashkpunëtorë të rinj të kategorisë informator dhe i drejtori ata që të përpunonin pra të zbulonin, armiqtë e listës prej 17 vetëve si dhe në drejtim të lidhjeve të dyshimta të ngjarjes së ndodhur.

Shefat e seksioneve studjuan dosjet e punës, pra informacionet e raportimet qe kishin dhënë bashkpuntorët e tyre dhe materiale të tjera ekzistuese të arkivit, për të gjetur të dhëna dhe dyshime për zjarrvënësit e N.P.Drurit, por nuk u gjetën të dhëna me interes.

*      *      *

Pas kësaj ngjarje punonin me zell të madh bashkëpuntorët e Sigurimit, ose qentë e tij: “Besniku”, “Ora”, “Stilografi etj., dhe arritën të zbulonin armiqtë e popullit.

I pari ishte Llazar Ceko, njeri i urtë e punëtor si gjithë Narqotët. Më 1.6.1976 së bashku me Thanas Cekon, Janaq Zarkën, Sotiraq Xhanin dhe Kleanth Vidon u arratisën në Greqi, duke kaluar kufirin në Kapshticë, kufirin e njihnin sepse kishin shërbyer atje ushtar.

Në fillim të vitit 1977, Llazari i penduar kërkoi në ambasadën shqiptare në Athinë të kthehej në Shqipëri. Më 1.4.1977, autoritetet greke ia dorëzuan organeve të kufirit shqiptar.

Një muaj para se të arratiseshin Llazar Mano ka denoncuar Llazar Cekon, por për çudi nuk u muarën masa.

Gjykata e Vlorës e dënoi me vdekje. Gjykata e Larte me kryetare Eleni Selenicen, me vendim nr. 864 datë 30.9.1977, la në fuqi vendimin e Gjykatës së Vlorës dhe Llazar Cekua ne moshën 35 vjeçare, u pushkatua. [2]

Më 8.5.1978 u arrestua Ilias Kelo, i cili ishte shef finance në këtë ndërmarje. Ai u mbajt në hetuesi deri më datën 9.10.1978. Me anë të dëshmitarëve Fiqiri Veliu, Fatosh Çobo, Hysen Bani, Festim Gjyshi, Luto Mahili, Liljana Ramo, Tefta Ramo, Vladimit Çeçi, Nuri Maze, u dënua me 10 vjet burg për agjitacion dhe propogandë.

Iliazi kishte kryer studimet në Bashkimin Sovjetik dhe ishte pilot. Atje ishte dashuruar dhe ishte martuar me rusen e bukur Vali. Në fillim të vitit 1962 ai ishte thirrur në Drejtorinë Politike të Ministrisë së Mbrojtjes dhe i kishin kërkuar të ndante gruan, gjë që ai nuk e bëri, prandaj u nxuarr në lirim dhe shihej me dyshim.

Pas dënimit të Iliazit, gruaja e tij me dy djemtë u internua në Petë të Vlorës dhe pas ca muajsh u dënua edhe kjo me dhjetë vjet burg po për agjitacion dhe propogandë.  Djali madh i saj Viktori mundi ti hipte fshatras një anije bullgare në Ujë të Ftohte dhe u arratis. Mendohet se u dërgua nga Sigurimi i Shtetit. Fatos Lubonja në librin e tij “Ridënimi”, thotë se Iliazi i shërbeu me zell Sigurimit të Shtetit dhe shpuri në pushkatim vangjel lezhon me shokë. Pas vitit 1990, familjarisht emigruan në Kanada ku ishte djali madhe Viktori. [3]

Po kështu me 10 vjet për agjitaciin dhe propogandë u dënua edhe i miri dhe i pa fajshmi Sefer Dauti, ish anëtar i Partisë së Punës së Shqipërisë.

4.      Kush e dogji Ndërmarjen e Përpunim drurit?

Sipas dëshmitarëve vatra e zjarrit ishte parë në krye të repartit të arkave të amballazhit ndërmjet tavanit dhe çatisë. Nga eksperët elektrik u përjashtu mundësia që zjarri të kishte ardhur nga rrjeti elektrik. Athere përse u dogj Ndërmarja e Përpunim drurit?

Ajo ndërmarje ishte një karakatinë e vjetër, kapanon pas kapanoni çatia dhe tavanet të ngarkuara me pluhur druri, ose barot siç thoshin në praktikë, kështu që mjaftone vetëm një shkëndi zjarri që ajo të bëhej shkrumb e hi sikundër edhe u bë.

Është vërtetur nga disa dëshmitarë se nga oxhaku i kaldajës herë pas here dilnin shkëndija, bile edhe disa orë pas shuarjes së kaldajës. Shkëndijat shkonin në distanca të ndryshme, në raste të veçanta deri në çatinë e objekteve të afërta dhe arrinin të ndezura deri në tokë, gjë e cila vërtetohet si nga thëniet e dëshmitarëve ashtu edhe nga shënimet e lëna në fletoren e marrjes dhe dorëzimit të turnit nga rojet dhe dezhurni i Ndërmarjes.

Është vërtetuar gjithashtu se disa vjet më parë ka rënë zjarr në kapriatën e dytë të repartit makineri mobiljeve që është ngjitur me repartin e montimit të arkave dhe shumë afër kaldajës, ku është parë për herë të parë zjarri.

Botuar në gazetën “ 55 “, Tiranë, dt. 13.7.2015


[1] Dega e Punëve të Brëndshme, Sigurimi i Shtetit, Relacioni “Sekret”, Vlorë, dt. 15.7.1977 dhe 5. 9. 1977

[2] Arkivi M.P.B., F. 1, Dosja 3363 

[3] Arkivi M.P.B., F. 1 Dosja 11.430    

Sefer Dauti dënuar me  10 vjet burg      

      Llazar Ceko, nga Narta, pushkatuar nga komunistët e Vlorës për kalim të pa ligjshëm të kufirit.

Nga e majta: ulur: Vero Lloi, Xhevdet Sheraj,

Xhelal Veizi Enver Memishaj.

Në këmbë: Kujtim Strati, Janaq Mandi,

Perlat Rexhepi, Avdul Robi

Relacion i Sigurimit të Shtetit Vlorë për djegien e N. Përpunim Drurit