Nobelisti Dr. Ferid Murad nderohet nga Universiteti “Nënë Tereza”, në Shkup

Në ceremoninë e zhvilluar sot në Universitetin “Nënë Tereza”, në Shkup, iu nda çmimi Doctor Honoris Causa, nobelistit me prejardhje shqiptare, Dr. Ferid Murad. Motivacioni i ndarjes së këtij titulli ishte: “Për t’i nderuar dhe veçuar ato personalitete të jashtëzakonshme që i kanë dhënë dhe po japin një kontribut të veçantë në shkencë, në arsimin e lartë, dhe që me ekspertizën e tyre kanë bërë ndikim fundamental në progresin shoqëror.”

Në fjalimin e tij përshëndetës, rektori Pollozhani në mes tjerash theksoi: “Dua të shtoj se, nisur nga fakti që Universiteti Nënë Tereza është universitet i ri, me studentë që ashtu si edhe ju para shumë viteve, do të jenë të parët në familjet e tyre me diplomë fakulteti, vizita juaj këtu ka më shumë rëndësi pikërisht sepse ka fuqinë për të motivuar. Na lejoni, që përtej kontributeve tuaj tani më të njohura, këtë kontribut ta konsiderojmë edhe si kontribut themelues të këtij institucioni për çka gjeneratat që vijnë do të jenë mirënjohës.”

Ndërsa laudatori, prof. Dr. Murtezan Ismaili, në fjalimin e tij prezantues për laureatin theksoi: “Ju si studiues i talentuar dhe i gjithanshëm, me origjinë shqiptare, me prejardhje nga fsh. Llakavicë rrethina e Gostivarit, në sajë të rezultateve të mëdha të arritura në shkencë, pa dyshim keni kontribuar edhe në afirmimin dhe ngritjen e autoritetit të kombit dhe të qenies shqiptare së bashku me humanitetin dhe sakrificën e Nënës Terezës, në hapësira akoma më të gjera botërore, kontribut të cilit në këso raste duhet t’i përkulemi”
Vlen të theksohet së ky ishte titulli parë Doctor Honoris Causa i ndarë nga Universiteti Nënë Tereza në Shkup. (Fotografitë nga gazeta “Illyria”)