Edhe në spital, në…”krye të detyrës”! O zoti polic! Unë jam kryeplak i katundit tem, bre, dhe jo i ujkut dhe i arushës në majë të lakroshit!…

Nga Kujtim Dashi – Tiranë

– Si i the? Si i the? – e ripyes Ndrecë Ndojn, me të cilin jam në një dhomë në spitalin, mbase, sipas mendimit tim, nga më të mirët e vendit, aktualisht “Dr.Shefqet Ndroqi”. Unë për rikontroll e për analiza mjekësore dhe ai, pothuajse për të njëjtën gjë, paçka se problemet i ka më të hershme nga unë. Ka qenë minator e, tashti është kryeplak në Srriqe të Pukësne mandatin e dyte. Ka nis “provat me ngarkesë” për qeverisje që në moshën 23-vjeçare, qyshse i ati ia besoi atij drejtimin e familjes së madhe patriarkale e më vonë. Vëllai i tij, Ndoi, të bijtë dhe nipërit, që i njoha aty e quajnë me nderim “komandant”. Më vuri dhe mua nën komandë!…I kujtoj Ndrecës, që një shoku im i ngushtë, Mësuesi i Merituar, Ali Brahimi më ka pasë prezantuar me një tjetër “kryetar më të ri” të familjes nga Ungreji i Kashnjetit, madje fare i ri, 20 vjeç dhe “rekordin” mos ia mbaj mendjen se e ke të fituar ti.
– Pse a s’e ke parë në televizor?
– Jo, – i them me keqardhje sikur në Shqipëri të kishte vetëm një kanal televiziv.
– Më morën në polici, se në “fshatin tonë” gjetën kanabis sativa. Mirë e thashë apo jo? Merr e jep, jo ke përgjegjësi, jo ligji kështu e ashtu, ore qenë tuj më mbajtë brenda mua, burrë 74 vjeç, mos t’isha drejtuar një polici, i cili m’u duk si shefi i atyre, që më kishin futur në mes e, më bërtit njëri e më bërtit tjetri:
– O zoti polic! Unë jam kryeplak i katundit tem bre dhe jo i Ujkut dhe Arushës në Majë të Lakroshit, ku keni gjetur kanabis sativën!…E, me çfarë kam me dalë deri atje nalt, kur kam 15 vjet pa u ngjitur lart? A, mee helikopter?