Jam libër i hapur

Nga Namik SELMANI – Boston – SHBA

Jam libër i hapur
Me shkronja që hyjnë e dalin si delet në stanin me gjerdhe.
Me një ballinë
Ku nuk ka emër botuesi a ndonjë çmim
Më bëhet
Si një fole zogu e fshehur mes manit me gjethe
Herë si kitarë
Që tringëllin me mall në muzg e në agim..

Jam libër i hapur
Si ca letra të padërguara nga duar postjerësh.
Me gugatje pëllumbash
Që kërkojnë grurë nga duart e bardha të fëmijëve.
Gëzoj pranë tij
Si pranë të qarës së foshnjës të sapolindur mes pelenash.
Pa e ditur
Se sa udhëkryqe do të ketë në vrapërimin e viteve.

Jam libër i hapur
Me fletë si pergamen i një papirusi të lashtë
Me kapakë
Si petale trëndafilësh që i ka mbjellë dikur gjyshja.
Me shkronja
Që rrinë si gurët e skalitur në bedenat e kalasë.
Me cicërimat-simfoni
Që më sjell në çdo prag pranvere dallandyshja..

Jam libër i hapur
Që më ngjan si puthje dashurie a tjegulla çatie
Si bukët e furrave
Që shumë herë nuk e kanë aromën e ëmbël.
Lumturohem
Nëse një ditë do ta lexojnë djemtë e vajzat me hire.
E mos më thoni
Aherë se nuk jam në Liqenin e Luleve a në ëndërr.

Ashtu jam
Me urimin që kurrë të mos bëhem hi zjarri.
Të mos bëhem
Pjesë e mallkimit që marrin shpesh shkronjëtarët
Një lis
Mund të digjet nga rrufeja a nga një sëpatë druvari.
Po libri
mos u bëftë si farat që kalben pa mbirë te arat.

Jam libër i hapur
Me shkronja malli, gërvishje në gjunjë e në duar
Me sy
Që herë qiellëzohen e herë mbyten me lotë.
Me mollëza
Të dridhura nga prekja e përkëdhelja e vonuar.
Me çarçafë
Që hidhen supeve të zbuluar ku djersa pikon.

Jam libri me fletë kaherë të hapura
Si këmbanë me tinguj të zgjatura…

Boston, 20 qershor 2018