Mediat franceze flasin për kampe refugjatësh të tipit “hot spot” në Shqipëri, ndërsa Kryeministri shqiptar ende heshtë…!

Nga Andi Mustafaj – Francë

Edi Rama sot të gjithë mediat franceze (të majta e të djathta, të shkruara dhe vizive) kanë folur për bisedime që po mbahen në nivelet më të larta politike të Bashkimit Europian për të krijuar kampe refugjatësh të tipit “hot spot” në hyrje të territorit të Bashkimit Europian, të cilët për zonën e Europës qëndrore dhe Ballkanit do të vendosen në Shqipëri.

Ky lajm hap dy mundësi:

E para, këto bisedime bëhen pa dijenin tuaj, duke e kthyer Shqipërinë në një zonë të papërfillshme për partnerët tanë të cilët, për arsye të ndryshme kanë arritur në përfundimin se nuk kanë nevojë t’ju pyesin për të marrë dhe propozuar vendime që prekin gjithë popullin shqiptar.

E dyta, këto bisedime bëhen me dijenin tuaj, duke treguar se vendime thellësisht transformuese për shoqërin tonë merren në fshehtësi totale, pa konsultime dhe pa diskutime më minimale, gjë që e dëmton akoma më shumë demokracinë e brishtë shqiptare.

Zoti Kryeministër, ju lutem të sqaroni këto pika, pa tentuar të diskreditoni mediat e huaja të cilat në këtë rast, për nga gjithëpërfshirja e tyre në pasqyrimin e lajmit i japin një legjitimitet te fortë vërtetësisë së tij.

Kjo çështje është tepër shqetësuese. Kriza e emigracionit që po prek europën ka shkundur shtete disa herë më të fortë se ne nga pikëpamja ekonomike dhe të stabilitetit shoqëror e politik.