Bashkia Kukës nisi sot rindërtimin e shtëpisë së poetit disident Havzi Nela

Ceremonia e fillimit të punimeve u zhvillua në Kollovoz, në rrënojat e shtëpisë ku lindi dhe u rrit martiri Havzi Nela.

I pranishëm në këtë ceremoni, Kryetari i Bashkisë Z.Bashkim Shehu, duke vlerësuar kontributin e Havzi Nelës në shërbim të vlerave më të larta të demokracisë tha se :-“Rindërtimi i shtëpisë së Havzi Nelës është një vlerë e shtuar për Kukësin. Shtëpia muze do të jetë e hapur për të gjithë banorët e Kukësit dhe jo vetëm, edhe për vizitorët e huaj dhe të gjithë ata që kanë dëshirë të njihen me jetën dhe veprën e Havzi Nelës. Kjo është një ditë e mirë për Kukësin”.

Rindërtimi i shtëpisë, të cilën Bashkia Kukës do e kthejë në shtëpi muze, do të përfundojë në datën 10 Gusht, datë e cila përkon me 30 vjetorin e ekzekutimit me varje të Havzi Nelës.

Bashkia Kukës në kuadër të 30 vjetorit, pak ditë më parë inaguroi bustin e poetit në bulevardin Dituria pranë gjimnazit të Kukësit që mban emrin e poetit. Në praninë e shumë shkrimtarëve të njohur të penës e artit u organizua dhe një ceremoni solemne dhe simpozium shkencor për Havzi Nelën, ndërsa në datën 10 Gusht, është parashikuar peligrinazhi i shkrimtarëve dhe artistëve, jo vetëm nga Shqipëria por edhe më gjërë, pranë varrit dhe shtëpisë muze të Havzi Nelës.