Poezi nga Laureta Rexha

 

Në shtëpinë time

Mos më pyet si jam bërë kështu,

e ndjej më shumë se të tjerët,

si jeta rrjedh brenda pak orëve,

për shembull këtë pasdite kapërceva qiejt

dhe u ngjita lart në shtëpinë time,

ku trupit të shkojë i duhen vite,

atje me vite e kam shkruar poezinë time,

e fjala ime me degë qielli dhe rrënjë toke,

mbjellur mes lumenjësh e anash rrugëve,

lulëzuar kryqëzimeve, stacioneve të pritjeve…

 

Mos më pyet dhe me dëgjo shumë,

e di në çka thërret lindja e një dite,

lamtumira e një perëndimi,

ndarja e njerëzve dhe ato shkëndia malli të çuditshme,

që shkrihen në enigma të thjeshta.

 

Jeta është çast, udhëtim, kalim, kapërcim,

një mozaik dëshirash dhe zhgënjimesh,

ylberesh shumëngjyrësh,

kuptime që rriten nga gjëra të vogla,

hapësira të gjëra që mbushen me ditë para syve,

shpirti im që ngjitet shtëpisë sime të fundit,

qiellit tim, në përjetësi

 

Kam nevojë

Kam nevojë për diçka,

e ndjej, uni im si kërkon zgjidhje,

dua të flas dhe po mendoja…

si ta mbush gotën e zbrazur,

edhe ajri ikën, kërkon diçka më të madhe,

që të humb,

ma trego rrugën e përmbushjes miku im,

nëpër natë e kërkoj qetësinë dhe veten,

të dyja bashkë a shkojne diçka,

nuk fle në mua,

dua ta zgjas sa më shumë,

kjo është loja e vetme ku marr pjesë,

kur bota hesht dhe nuk kam frikë të harrohem,

nëse më thua mjaft,

të dëgjoj si të habitem,

nuk më duhet shumë për ta kuptuar vogëlsinë time,

kam nevoje, mbretereshe e vetes të bëhem

para se të ngritem,

pastaj …gjithçka tjetër është e arritshme!