HASAN MUZLI SELIMI, NJË PENË ALPINE NË LETRAT SHQIPE

1.
Pena e Hasan Muzli Selimit ka shkruar herët, qyshce në të ritë e tij, në moshë shkolle e pune, në mbajamendje, nëpër blloqe e fletore, me talentin e tij, për qejfin e vet, por pá i hyrë udhës së botimit të librave, pá e menduar udhëtimin e lartësimin e sotëm e të nesërm të emrit e mbiemrit të tij në Letrat Shqipe, në poezi, në tregime, në studime etno-historike, mistike-filozofike, diplomatike.
Librat, të dhjetë librat e tij, kanë moshën e Hasan Selimit. Përndryshe: Hasan Selimi mban moshën e librave të tij. Ai krijues që jeton sa librat e tij të mirë ka bá jetën e vet të vërtetë. Kjo po ngjet edhe me poetin, shkrimtarin, teologun e studiuesin Hasan Muzli Selimi i Kasajve të Malësisë së Gjakovës, një penë alpine në Letrat Shqipe.
Hasan Selimit ia ka dhanë Zoti talentin e, ai, me penën e tij alpine, na e ka dhanë Hasan Selimin në Letrat Shqipe.
Hasan Selimin po doket dritas se e ka rrok fati i ylltë letrar. Ai e ka kap për brirësh suksesin e vet. Pegason…me talentin e punën e vet, me korpusin e veprave të tij në rritje numerike e vlerash, për të cilat e për çka mirëflasin edhe në këtë përmbledhje shkrimore gjithata studiues të letërsisë, diplomatë të karierës, poetë e shkrimtarë, njerëz me tituj fetarë, që janë nga shtete, treva e diaspora shqiptare; të fushave, moshave e profesioneve të ndryshme; të njohur e të panjohur me autorin, por me qëndrime e vlerësime të mira e deri elitare për veprat e veprimtarinë e tij.
2.
Pena alpine e Hasan Selimit ka një të veçantë të tij: qyshce me ma të parin libër në secilen fushë krijimtarie, si në mistikë e filozofi, në diplomaci, në poezi, në publicistikë, në tregime, i ka hapë udhë për gjatë vetëvetes, ka qëlluar shpejt në shenjë, ka lanë gjurmë për mirë. Veprat e tij, të gjitha veprat e tij, i ka të vnuem si gurë kilometrikë në udhën e vet letrare, me emrin e mbiemrin e tij, me profilin e individualitetin e tij krijues.
Kështu, kësisoj, mirësisht e lartësisht, krijuesit, studiuesit e teologut Hasan Muzli Selimi me penën e tij alpine, në fillesa e vargni botuese iu hap në hapësira mendëtare, pendëtare e besimtare deri toka-qiell parajsa letrare, parajsa magnetike, magjike, engjëllore, jetësore e lartnore e Letrave Shqipe. Vet Letërsia është sa tokësore edhe qiellore, ujëvaron e rrezaton, të rrëmben në hapësirat e veta e të jep formatin tand letrar, të ban me vepra letrare, ta ruan emrin në kohëra letrare e jetësore.
Hasan Selimi nuk ishte nga ata që nuk iu dëgjohej trokitja në derë, zëri e hapi në udhë letrare… Hasan Selimi nuk është nga ata që hyjnë mysafir dhe dalin kalimtarë në letërsi… Përkundrazi. Sheh Hasan Selimi hyni në këtë parajsë të vështirë e të lumnueme letrare me mision letrar, me kanë e me mbetë misionar letrar, me i mbrri andrrat e tij me realitete të penës letrare e zemrës shqiptare, me kanë i mbrrimë për vete e për të tjerët me veprat e tij letrare, studimore, dokumentare, me veprat e tij të sotme e të nesërme tematike, të fushave e gjinive të ndryshme, seriale e deri antologjike.
Pena alpine e Hasan Selimit i ka botue shtatë libra. Për pesë prej tyre: “Antologjia e Ëndrrës”(Esse e përsiatje filozofike, 2013), “E Drejta Ndërkombëtare Publike dhe e Ardhmja Botërore” (Monografi për diplomacinë, 2014), “Hije dheu” (Poezi, 2015), “Kërkoj pjesën e shpirtit tim” (Vëll. I, analiza e portrete, 2016), “Shpirtit i betohem” (Poezi, 2017) flitet në këtë botim nga emra të njohur të letërsisë, të diplomacisë, të teologjisë, të publicistikës, etj. Ndonjëri prej tyre ka deri në dy-tre studime, analiza, artikuj, komente, ravijëzime, shënime për krijimtarinë shkencore, letrare e teologjike të Hasan Selimit, por ne kemi përzgjedhur vetëm një prej tyre nga secili autor për këtë botim, pasi nga një shkrim të dytë të tyre do ta botojmë edhe në të dytin apo të tretin vëllim të kësaj kolane udhënisur. Dy librat e tjerë: “Mite deri përtej” (Poezi, 2017), “Gurë në rrugë” (Tregime, 2017) dhe tre libra dorëshkrimorë në diplomaci, me poezi e me tregime, që presin dritën e botimit deri kah fillimviti tjetër, do të jenë pjesë e të dytit vëllim kolanor që do të dalin në qarkullim për lexuesit e bibliotekat përgjatë vitit 2018.3.
Poeti Hasan Muzli Selimi ka ba emër në rrugëtimin e tij lartësive të poezisë edhe përtej kufijëve të Shqipërisë Londineze.
Ai ka marrë tre çmime të para në tre shtete në harkun e mbi një viti kohor.
Çmimin e parë në herën e parë e mori në vendlindje, në qytetin e Bajramcurrit, në Malësi të Gjakovës, më 21 maj 2016, në “Ora e Poezisë”, në një konkurim panshqiptar me pjesmarrje të poetëve nga shtete e treva shqiptare në Ballkan e në Diaspora Shqiptare në Botë. U vlerësue për poezinë “Qyteti mbi gjoks gruaje”. Çdo vlerësim në vendlindje ka peshë deri “nobelike” për secilin autor në rrugëtimin e tij, pasi ka një thanie të këtillë: “as profetët nuk vlerësohen në vendlindjen e tyre”, ndaj çdo çertifikim në vendlindje ka shenjtërinë e vet, madhështinë e vet, t ëjep fuqi, të ban të fortë.
Aq ma tepër e ma mirë në rastin e poetit të njohur Hasan Muzli Selimi, që me këtë poezi “Qyteti mbi gjoks gruaje” të përkthyeme në italisht konkuroi edhe përtej Adriatikut, në Italinë fqinjë. Konkuroi pas një viti, në Festivalin e Librit, Filmit e Letërsisë në maj 2017 në Cirò Marina, në këtë veprimtari ndërkombëtare me pjesmarrje nga 17 shtete të botës, ku mori ma të lartin vlerësim: “Çertifikatën e Meritës”. Kjo “Dëshmi Merite” për poetin shqiptar Hasan Muzli Selimi është shumëfish meritore, pasi dëshmon se Vendlindja ia ka dhënë me meritë çmimin e parë para një viti, sepse në dhanien e këtij vlerësimi të lartë ishte kryetar i Jurisë të Letërsisë poeti i madh italian Dante Maffia, kandidat për Çmimin Nobel.
Sivjet, para disa ditësh, në Prishtinë- kryeqytetin e Republikës së Kosovës, në Festivalin Poetik “Promenadë Mërgimtare, 2017”, me pjesmarrje konkuruese poetë nga shtete e treva shqiptare në Ballkan e Diasporat Shqiptare në Botë, poetit të njohur Hasan Muzli Selimi iu dha çmimi i parë ndër poetët e trojeve etnike shqiptare, me poezinë “Ora e Gurit”.
Hasan Selimi ka krye detyra të ndryshme shtetërore në Tropojë e në një çerek shekulli është gjyqtar në qytetin e Shkodrës, familja i jetnon në Tiranë, metropolin shqiptar. I diplomuar për jurist në Universitetin Shtetëror të Tiranës, në Fakultetin e Drejtësisë. Me studime pasuniversitare në Universitetin Ndërkombëtar të Strugës në Maqedoni. Ai ka botue një vepër për diplomacinë, monografinë ““E Drejta Ndërkombëtare Publike dhe e Ardhmja Botërore” (2014) që për nga pesha e saj shkencore e ka për hak e shtat titullin “doktor i shkencave”. Të njëjtën gjë mund të themi edhe për vepren e tij të dytë (dorëshkrimore) në fushën e diplomacisë. Po ai nuk rend pas titujve, pasi çdo gjë në vetëdijen e veprimtarinë e tij të shumanshme ia lenë kohës, gjykatëses ma të mirë të vlerave e meritave.
Hasan Muzli Selimi edhe në teologji ka graden meritore “Sheh”, po ai ndërmerr nisma e jep kontribute duke ngritë kulte të besimit fetar në fshatin e tij të lindjes, në Kasaj të Tropojës; duke botue veprën “Antologjia e Ëndrrës” (Esse e përsiatje filozofike, Shkodër, 2013). Në biseda të shpeshta me Sheh Hasan Selimin kam mësue se ka dhe disa studime e shkrime të tjera në këtë fushë, ndaj presim prej tij vepra të reja në të ardhmen e shpejtë. Qënia e tij besimtar me shpirt e tituj i ka dhanë një frymë të veçantë krijimtarisë së tij poetike, e ka ba atë shumëdimensional, të veçantë.

4.
Kur ia vnuem këtij botimi titullin “Pena Alpine e Hasan Muzli Selimit” kisha parasysh faktin e çmuar të autorit, që vjen nga treva e Malësisë së Gjakovës, një nga trevat ma të pasura të Eposit të Kreshnikëve, ku janë mbledhë pjesa ma e madhe e këtyre kangëve në botimet shqiptare të dy shekujve të fundit.
Muzli Ramë Balia i barkut genetik të Selimajve të Kasajve, baba i poetit të sotëm Hasan Selimi, ishte një kangtar e lahutar i njohur i Eposit të Kreshnikëve. Ai dinte mijëra vargje nga Cikli i Kreshnikëve. Ai dinte të krijonte edhe vet kangë, sepse kishte një talent të lindur, një mbajemendje natyralisht të fortë. Edhe daja i tij, Ram Dauti i Çakrajve në Llugaj të Tropojës, ishte lahutar e kangtar i njohur i Eposit të Kreshnikëve.
Këto lidhje me Eposin e Kreshnikëve kanë ndikue shumë në jetën e krijimtarinë e Hasan Muzli Selimit. Kjo duket edhe tek emrat e fëmijëve të tij: Tanusha, Kreshnik, Kushtrim. Ai edhe në ecjen, në të foluren, në të qeshuren, në shumçka të tij, i gjallon, i ujëvaron, i gurgullon Eposi i Kreshnikëve. Pra, Hasan Selimi, kryehere, qyshce në fëmijërinë e tij e ka ngjye penën e tij alpine në Eposin e Kreshnikëve. Një fat i tij i mirë që ka mirësinë me na e përcjellë si frymë e vizion të ri modern edhe në krijimtarinë e tij letrare.
Hasan Selimi është i lidhur me vendlindjen e tij, veçmas me Kasajt e tij, si pema me tokën, si toka me qiellin, si germa me librin, si katet e kullës me gurët. Atje e ka “thembren e Akilit”. Atje është Ante. Aty është vet Hasan Selimi, ky Hasan Selimi Ynë, që vjen drejt nesh si poet, si studiues, si teolog, si prozator, si publicist, si malësor alpin e qytetar modern i shek. XXI.
Natyra e mrekullueshme e fshatit të Tij, e Tropojës dhe Rrafshit të Dukagjinit; Alpet Shqiptare; historia e kësaj treve me luftëra nga kohërat iliro-dardane e deri tek Lidhja Shqiptare e Prizrenit, nga Shpallja e Pavarësisë, Lufta Nacionalçlirimtare e deri tek Lufta e fundit e Kosovës; pasuria e pazakontë e kangëve legjendare, historike e lirike të Tropojës me rrethina; ndeja në oda malësore, në kulla alpine, në vrri e në bjeshkë; puna në veprën e dritës në Fierzë, në Qytetin e Alpeve në Bajramcurri; qënia pranë brezit kufitar e thyemja e kufinit Shqipëri-Kosovë, e gjithçka tjetër që ka të bajnë me Vendlindjen e tij Alpine, i ka dhanë frymëzim e tema, peshë e lartësi penës së tij alpine.
Lexuesit e vlerësuesit e veprave të tij janë në rritje horizontale e vertikale, çka shprehet thuktë edhe në këtë botim për krijimtarinë e Hasan Muzli Selimit. Shkruajnë për poezinë e tij e flasin rreth saj poeti Hamit Aliaj, Mjeshtër i Madh- bashkëvendas i tij; doktore e shkencave Manjola Brahaj; poeti e botuesi Mark Simoni; poeti e studiuesi i Letrave Shqipe Dëfrim Cani; poeti Agim Bajrami nga Çamëria; poeti Sejdi Berisha nga Peja e Kosovës; poetët Zenun Hysenukaj e Haki Zllami nga Tropoja, poeti e prozatori Tahir Bezhani nga Gjakova, etj. Shkruajnë për mistikën e tij, për përsiatjet e tij filozofike: dr. Sadik Bejko, pastor Harilla Mane, poeti e studiuesi Lulzim Logu etj. Shkruajnë për veprën e tij studimore për diplomacinë ambasadorët: dr. Islam Lauka–president i Qëndres Shqiptare të Studimeve Amerikane e Britanike dhe i Institutit Shqiptar të Studimeve Politike, prof. dr. Lisen Bashkurti – president i Akademisë Diplomatike Shqiptare, etj.
Çdo vepër e penës alpine të Hasan Muzli Selimit është një digë e talentit të tij, një lartësi e tij. Secila ka liqenin e vet krijues. Veprat e lumit krijues të Hasan Muzli Selimit burojnë nga vendlindja e tij, nga mendja, zemra e shpirti i tij. Ato formojnë një kaskadë letrare të tij, që mbushet e shprazet përditë, që ka ritmikë krijimi e vitalitet krijues, që ka të djeshme, të sotme e të nesërme, që ka emrin e mbiemrin e Hasan Selimit, që ka penën e tij alpine.

Ramiz LUSHAJ