PARTIA DEMOKRATIKE NUK MUND TË JETË PARTI ELEKTORALE

Nga Zef Zefi- Itali

1 Parti elektorale?

Partia Demokratike është mësuar ” keq” në opozitarizmin e vet, thuajse historikisht.
Kjo për arsyen e vetme, sepse qysh në fillimet e saja më 1991 më pas më 1992, 2005, është përballuar me pushtete të majta që kanë “degjeneruar” kryesisht vetëvetiu, sa nga “tektonikat” e tyre të brendshme, ashtu dhe nga mizerja ekonomike, korruptive e kriminale që kanë prodhuar pushtetet e tyre për Shqipërinë.

Praktikisht PD ka qeverisur vendin vetëm 10 vjet (teorikisht 12 vjet), ndersa PS 16 nga tashmë 28 vjet tashmë, postdiktaturë.
Leximi më i thjeshtë politik, është se Partia Demokratike, nuk ka mundur të jetë joshëse me ofertat e saja, ndersa kundërshtarja, ajo që i nënshtroi rreth 3,5 milion shqiptarë për 50 vjet, ka qënë e preferuara e shqiptarve, qoftë në shumicë të votuar, ashtu dhe në njësi kohore, gati sa dyfishi i PD.
Leximi tjetër më pak politik i kësaj diagrame të trishtë, është se qytetari shqiptar, në liri të “kondicionuar”, ka zgjedhur sofizmat e liderëve historikë të së majtës: “PPSH beri luftën e klasave, mund të bëjë dhe demokracinë dhe lumturinë e shqiptarve…” të cilën e ilustron deklarata e Nanos për Millosheviçin, “…ky që po bën luftën, di të bëjë edhe paqen…” Gjë që nuk ka rezultuar, as politikisht, as historikisht.
E megjithatë populli këtë filozofi, ka preferuar, dmth të majtën.

Komportamenti politik i PD, të pakten deri më 2013,mund të perkufizohet sipas teorisë weberiane, si lëvizje në kufijt e një partie elektorale.
PD është mjaftuar me konferencimin agresiv dhe aksionin “rrymë…”i pa strukuturuar, e formatuar lakmueshëm institucionalisht, deri tek konturet e një partie të mirëorganizuar moderne, duke bërë kauza kryesisht anomalitë e pushtetit, problematikat e brendëshme që prodhonte politika e kundërshtarit. Ka mjaftuar ligjërimi energjizues i lidershipit nga njëra anë, deshtimi i kundërshtarit nga ana tjetër dhe shumicat modeste të zgjedhësve, perfshirë dhe simpatizantë të së majtës, ndonëse të palumtur, janë drejtuar nga PD për ti dhënë votën. Thjesht si një nevojë emergjente për të dalur rrënimin e mëtejshëm.

Me marrjen e pushtetit partia(eksponentët) e PD, spostoheshin nga partia tek pushteti. Duke u identifikuar keshtu partia me pushtetin ose anasjelltas. Njëkohësisht, për arsyet e sipërpëmendura, ka çuar në pushtet potenciale të pa promovuar nga struktuat përkatëse të partisë funksionalisht, madje as formalisht. I rekomanduari, grua/burrë i mirë, me ndonjë diplomë, mjaft ti pëlqente rekomanduesit dhe ky i fundit të bindëte epërsinë e vet, dhe bëhej emërimi. Për pasojë dukuria e oportunizmit, pragmatizmit dhe arrivizmit, vijonte me nepotizmin, klientelizëm, dhe sidomos korrupsionin duke e shtrirë këtë formë demontuese në parti.
Këta elementë, individë, personalitete, madje dhe kuadro, në shumicë mbas humbjes së pushtetit ose janë larguar në shumicë, si “tradhëtarë” duke u joshur nga ofertat diversive të kundershtarit, ose kanë mbetur në periferi. Dhe kjo për dy arsye; E para se nuk kanë pasur asnjë lidhje qoftë vokacionale, ideologjike, e sidomos shpirtërore me partinë që i ka promovuar. E dyta është se duke parë keqfunksionimin organizativ të partisë, për të mos thënë mosfunksionimin, kanë perferuar jetën e tyre jashtë politikës.
Partia e lënë në renie të lirë organizativisht, merrte “pushimet opozitare” 8-10 vjeçare, duke pritur përsëritjen e ciklit. Dmth pushtetin trofe.

2-Të përndjekurit politikë nuk mund të trajtohen më si grup interesi.

Mirëpo Partitë Politike janë diçka më tepër sesa partitë elektorale,-nënvizon sociologu e politikologu A. Pizzorno në veprën e tij (Rrenjët e politikës absolute 1993)- “….Partitë politike janë diçka më tepër sesa një organizim i mbrojtjes e tutelimit të intersave legjitime, që i japin frymë dhe mbështetje lidershipit i cili i udhëheq përkohësisht.
Ato (partitë) kanë dy zgjatime të domosdoshme; nga njëra anë rrënjët që shtrijnë në historinë e vendit, klasës a subjekteve sociale që kërkojnë të përfaqësohen, shprehen e identifikohen në përgjegjësitë politike për fatin e komunitetit, nga ana tjetër, horizontin ardhmënor që projektojnë, përtej përditëshmërisë…”

Anomalia qëndron pikërisht këtu. Partia Demokratike me diletanizmin e saj menefregist, (nuk do e konsideroja qëllimor) ka neglizhuar, deri tëhuajtëzuar, pikërisht bazën e saj ideologjike. Se pari qytetarët iniciatorë, ketu studentët e “lëvizjes” e së dyti të përndjekurit politikë, te cilet kane lidhjen e tyre shpirterore, sociale dhe politike me partinë e tyre.
Ndersa të parët pra studentët mund dhe vetëseleksionoheshin rrugës krejt natyrshëm deri përgjysëm a më shumë për shkak se rrëzimi i komunizmit, nuk është arsye e mjaftueshme për tu percaktuar politikisht, të burgosurit politikë, të perskutuarit në shumicë dërmuese, kanë lidhje shpirtërore me PD jo thjesht sepse kjo u dha lirinë dhe barazinë politike, por sepse keta, sipas perkufizimit të politologut Pizzorno, kanë rrënjët e tyre të pa zhbëra në historinë e vendit, njëkohësisht kanë e do të kenë çfarë ti ofrojnë Shqipërisë në ardhmëri.

Për çdo parti politike Perëndimore, ku mjedisi, pushteti dhe vetë politika i ka konsumuar pothuajse plotësisht të gjitha ideologjitë, do konsiderohej me fat ajo parti që do të kishte luksin e Partisë Demokratike te Shqipërisë me një aset të tillë si të përndjekurit politikë, akoma në gjirin e saj, asnjëherë i konsumuar.