Faik Nika u zgjodh kryetar i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi

Në mbledhjen konstitutive të përbërjes së tretë të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi, e cila u mbajt të shtunën, më 2 qershor 2018, në hotelin “Mediteran” në Ulqin, kryetar i ri i këtij institucioni që përfaqëson shqiptarët në Malin e Zi, u zgjodh Faik Nika, sekretar i deritashëm i KKSH-së.

Nika ishte kandidati i vetëm për kryetar të KKSH-së dhe për të votuan 18 nga 20 anëtarë të KKSH-së sa ishin të pranishëm, ndërsa dy anëtarë nuk morën pjesë në votim.
Faik Nika ka mbaruar Fakultetin për Gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës. Më herët ka qenë këshilltar i Forcës së Re Demokratike në Kuvendin e Komunës së Ulqinit, ndërsa aktualisht është nënkryetar i kësaj force politike.
Ai zëvendëson në postin e kryetarit të KKSH-së, Genci Nimanbegun, deputet dhe nënkryetar i Kuvendit të Malit të Zi, njëherazi nënkryetar i Forcës së Re Demokratike.
Zgjedhja e sekretarit të KKSH-së, që po ashtu ishte në rendin e ditës, nuk është bërë për shkak të ndërprerjes së mbledhjes, siç është thënë për shkaqe objektive dhe kërkesës së disa prej anëtarëve të KKSH-së. Prandaj, ai pritet të zgjidhet në vazhdim të mbledhjes konstitutive.
KKSH përbëhet nga 30 anëtarë, 15 prej të cilëve në bazë të funksionit dhe 15 anëtarë të tjerë të zgjedhur nga Kuvendi III i Elektorëve, i mbajtur më 13 maj të këtij viti në Ulqin.