Letërsia thyen kufinj e barriera politike

Nga Skënder TEMALI – Shkodër

Në Tuz në Malin e Zi, në prani të krijuesve dhe dashamirësve të librit, por dhe të ambasadorit të Republikës së Kosovës në Podgoricë, Skender Durmishi, u organizua paraqitja e vëllimit tim në gjuhën malazeze “Këtë dimër nuk ra dëborë”, botuar nga CEKUM- QENDRA PËR RUAJTJEN E ZHVILLIMIN E KULTURËS SË PAKICAVE NË MAL TË ZI.
Moderimin e veprimtarisë e bëri Izedina Axhoviq, ndërsa mbi librin folën një nga aktivistët më të mëdhenj mes dy kulturave tona Dimitrov Popoviq, që është njëkohësisht dhe recensent i veprës, Pjetër Dreshaj-përkthyes i tregimeve, që bëri dhe një analizë ideoartistike të tregimit “Këpucët e turpit”, ndërsa shkrimtari i shquar Zuvdija Hoxhiq, edhe ky recensent, si foli për disa vlerat e librit, më akordoi çmimin e mirënjohjes në emër të PEN QENDRËS të Malit të Zi, ku ai është sekretar i përgjithshëm me këtë motivacion: “Për kontribut të veçantë në bashkëpunimin dhe afirmimin e kulturës shqiptare dhe malazeze”.

Në fund dhashë autografe për vëllimet që u dhuruan.

Po përcjell një pjesë nga ligjërata ime në mbyllje të veprimtarisë:

Kontakti im me letërsinë malazeze, për njëmijë e një arsye, edhe jashtëletrare, nuk është i hershëm, madje i vonë. Aty-këtu kam pas lexuar përkthime nga gjuha malazeze, por një përfytyrim të qartë të nivelit të saj e kam pasë në dekadën e fundit, kur u botuan dy vëllime voluminoze nën të njëjtin titull: “Një libër-dy gjuhë”,”Dva jezika jedna knjiga” në poezi e prozë, në shqip e gjuhën malazeze e ku kam pasë nderin të përfaqsohem edhe unë me dy tregime. Aty, të përkthyer në gjuhën shqipe, ruaj në kujtesë mjaft krijime dinjitoze të autorëve malazezë.
Më pas, përmes shkrimtarit e përkthyesit Dimitrov Popoviq kam rënë në kontakt me antologjinë e poezisë malazeze për 40 poetët më të zëshëm të Malit të Zi. Me këtë përkthimin ai ka arritur të përcjellë me finesë e frymëzim, me pastërti gjuhësore shqipe të admirueshme, individualitetin artistik të poetëve malazezë.
Pas krijimit të Shoqatës së Shkrimtarëve të Shkodrës, të cilën e kam kryesuar për disa vite, marrëdhëniet me letërsinë malazeze janë shpeshtuar, se dihet që letërsia thyen kufinj e barriera politike. Takimet e promovimet e librave të Pavle Goranoviqit, të Zuvdija Hoxhiqit (Berisha) e Dimitrov Popoviqit në bibliotekën publike “Marin Barleti”, të organizuara nga shoqata jonë e shkrimtarëve të Shkodrës, kanë qenë jo vetëm të suksesshme, por edhe kanë lënë gjurmë te krijuesit e kanë pasë jehonë tek lexuesit përmes të gjitha mediave të shkruara e vizive. Pos tyre, Dimitrovi ka përkthyer e botuar në gjuhën shqipe vëllimet e Zyvdija Hoxhiqit, por dhe “Tregime nga Montanari” me autor Vladimir Vojinoviq e me parathënien time. Të gjithë sëbashku kanë forcuar edhe më shumë kolonat e urave mes dy kulturave tona. Mbase e përmenda disa herë Dimitrovin, por ai, me këtë punë e kontribut është shndrruar në ambasador kulturor në mes të letërsisë shqipe dhe asaj malazeze e unë, edhe në emër të shkrimtarëve shkodranë, e falnderoj!

Një falnderim për të gjithë ju, me shpresën se bashkëpunime të tilla do të njohin zhvillime të reja!

Tuz, 31 maj 2018