RUSIA – SHTETI ME INFLUENCËN MË TË MADHE EKONOMIKE NË MAL TË ZI !

Nga Xheladin Zeneli

Para një viti, përkatësisht me 5 Qershor të vitit 2017 në faqet e para të gazetave dominoi lajmi i antarësimit të Mali të Zi në NATO, anëtarësim ky i cili u realizu si pjesë e planit të SHBA-ve me qëllim që të ndalohet apo pengohet influenca e Rusisë në këtë pjesë të Ballkanit .

Mirpo, derisa Mali i Zi me anëtarësimin në NATO hyri nën influencën gjeo-strategjike të SHBA-ve dhe Përendimit, megjithate me një pjesë të konsiderueshme të resurseve ekonomike brenda territorit të Mali të Zi, zotëron dhe dominon gjithënjë Rusia. Edhe pse kohë pas kohe ndigjohen retorikat anti-ruse nga zyrtarët e Podgoricës, megjithate kjo s’ka pasur aspak efekt në marrëdhëniet e tyre ekonomike. Në fakt, statistikat dëshmojnë se një pjesë e madhe e ekonomisë së Mali i Zi mvaret nga investimet ruse.

Sipas të dhënave të Institutit të Statistikës së Malit të Zi (Monstat),të vitit 2016,prej 4.200 kompanive të jashtme që janë të regjistruara dhe operojnë në Mal të Zi, 1.722( apo 41%) e tyre janë të regjistruara me pronarë të shtetasve të Rusisë. Statistikat poashtu tregojnë se që nga viti 2008 rusët janë investuesit më të mëdhenj në këtë shtet,ku brenda 10 viteve të fundit më shumë se 2 miliardë euro kanë hyrë në Mal të Zi nga investuesit rus të cilët kryesisht kanë blerë pasuri të patundshme në bregdetin malazez, por edhe komplekse industriale siç janë Kombinati i Aluminijumit në Podgoricë (KAP) si dhe Hekuranën e Nikshiqit.

Sipas gazetës së njohur ” Financial Times”, së paku 80.000 qytetarë rus posedojnë pasuri në Mal të Zi.Kursesipas disa të dhënave të tjera, numri konstant i turistëve rus ka arritur shifrën prej 316.000(baraz me gjysmën e popullsisë së Malit të Zi) të cilët shpenzojnë rreth 240 milion eura në vit.Rusët jo vetëm që investojnë, por njëkohësisht një numër i konsiderueshëm i tyre e zgjedhin Malin e Zi si vend i qëndrimit të përhershëm të tyre. Supozohet se rreth 30.000 shtetas të Rusisë janë vendosur me banin të përhershëm në Mal të Zi . Megjithëse ky numër kohëve të fundit ka pësuar rënie,megjthate vlerësohet që sot në Mal të Zi jetojnë rreth 10.000 banorë të cilët rusishten e kanë gjuhë amtare. Në disa qytete të Malit të Zi janë të koncentruar aq shumë me numër sa që disa lagje apo vendbanime të vogla i quajnë “fshatra ruse”. Në fakt, kohë më parë ishte raportuar në media se për shkak të numrit të konsiderueshëm të shtetasve rus ,në qytetin Budva është hapur edhe një shkollë private në gjuhën ruse.

Vendosja e qyetarëve rus me banim të përhershëm në Mal të Zi ( me popullsi prej 620.000 banorë), bartë në vehte implikime që mund të kenë pasoja në aspektin demografik dhe politik në këtë shtet multietnik. Sipas statistikave zyrtare, serbët përbëjnë rreth 28% të popullsisë dhe pas malazezëve, për nga numri renditën si popullsia e dytë në Malit të Zi. Pjesa dërmuese e tyre politikisht kanë qendrime pro ruse, (anti-NATO dhe anti- BE) dhe plotësimi me banorë të përhershëm rus të cilët gradualisht mund të bëhen edhe nënshtetas të Malit të Zi me të drejtë vote dhe si rezulltat një dukuri e tillë mund të ndikojë në proceset politike të këtij vendi eventualisht duke ndryshuar ekulibrin egzistues dhe kursin orientues pro përendimor të tij.

Mali i Zi historikisht dhe tradicionalisht ka pasur marrëdhënie dhe lidhje të fuqishme miqësore me Rusinë dhe ky sentiment kultivohet edhe sot te një pjesë të konsiderueshme të popullit malazez, posaçërisht të pakicës serbe që jetojnë në Mal të Zi.

SHBA dhe Përendimi duhen të jenë të shqetësuar për një prezencë kaq të madhe investuese të Rusisë në Mal të Zi,duke pasur parasysh faktin se Rusia nuk do të heq dorë edhe aq lehtë nga qëllimet e saja strategjike.Pra derisa në njërën anë Rusia e humbi betejën e influencës gjeo-politike dhe ushtarake mbi Malin e Zi,mirpo në anën tjetër,përmes ndikimit ekonomik ajo vazhdon të bëjë “pushtimin” e qetë të tij.

Xheladin Zeneli

5 Qershor 2018