Nuk besoj se ka njeri në këtë vend që të mos e ketë bërë pyetjen: Perse zgjedhim gjithnjë stacionin që mund të kapim vetëm trenin e fundit.
Secili prej nesh mundohet të gjejë një rrugë ose të skicojë një rrugë për të zgjidhur ekuacionin e vështirë që kemi me të kaluarën, të sotmen dhe të ardhmen. Rrugë që në të shumtën e rasteve jo vetëm nuk janë pjesë e të njëjtës autobandë por as edhe të një kahu. Mund të ligjërojmë pa fund duke i artikuluar dëshirat personale, ideologjike, klanore, krahinore dhe grupeve të caktuara të interesit por përsëri zhdërvjelltësimi i lëmshit duket larg. Vazhdojmë të mbetemi brenda një teatri absurd dhe viktimë e një agresioni modern të ashpër propagandistik të sofistikuar dhe të klonuar nga interesa të dyshimta. Pasojë kjo e kulturës së dobët demokratike, e një shoqërie civile të gjymtuar, grupi gjithllogësh të virusuar nga paraja dhe urrejtja dhe përgjegjësie qytetare flegmatike dhe pa nerv.
Për të mos hyrë në labirintin e vështirë të rrugëtimit historik, pavarësisht se ai ka përcjellë shumë nga problematikat që trazhgojmë, le të shohim periudhën e tranzicionit demokratik dhe gjendjen ku ndodhemi. Jemi në prag të vendimit të këshillit evropian për hapjen e negociatave. Nga çfarë shihet shanset për të kaluar këtë sfidë tejet të rëndësishme për vazhdimin e procesit të integrimit kanë zbritur në 50 me 50. Mënyra si po menaxhohet situata paraprake është përgjigja më banale ndaj detyrimit kombëtar për integrimin evropian. Mbajtja e pozicioneve të ngurtësuara me kërkesat e shteteve skeptike rrezikon që dështimin ta kemi më afër se fitoren.
Humbjes te krediteve po i shërben edhe ngritja e kurbës së konfliktit të brendshëm politik. Në thelbin e të cilit nuk është vetëm mosbesimi, urrejtja ideologjike, mungesa e komunikimit dhe bashkepergjegjesise për çështje madhore dhe mospajtimi i interesave, por hileja, hipokrizia dhe provokimi i vazhdueshëm ndaj kundërshtarit duke përdorur muskujt e pushtetit.
1. Sfida jonë kryesore të cilës nuk po i gjejmë ilaç është rrëmuja ideologjikë dhe politike.
Është e vërtetë se Shqiperia e braktisi sistemin socialist në rrëmujë të plotë ideologjike. Rrëmujë e cila edhe pse e dëmshme ishte e arsyetuar. E majta shqiptare edhe pse e konsoliduar në pikëpamje organizative, në rrafshin e ideologjik vërtitej rreth parimeve mbi të cilat kishte qeverisur për gati një gjysmë shekulli. E djathë historike si pasojë e shtypjes agresive dhe terrorit shtetëror ishte zhbi si koncept ideologjik por edhe organizim politik. Thjesht përpjekjet për krijimin e së djathtës kryheshin në një djerrinë të plotë. Pra problemi kyç në fillimet e demokracisë ishte:
Gjetja e rrugës nga e djathta dhe vendosja në shtratin e saj ideologjik, politik dhe organizativ si dhe braktisja nga e majta e konceptit politik monist mbi lirinë e mendimit dhe veprimit politik duke e pranuar sinqerisht pluripartizmin si ideologji e vendosur ne themelin e sistemit demokratik. Edhe pse të traumatizuar në rrugëtim e sipër të dy krahët e politikës filluan gradualisht të pozicionohen në korsitë përkatëse të autobandës të sistemit demokratik. Kështu blloqet politike kryesore u duk se i gjetën pasaportat e tyre politike brenda sistemit demokratik. Pavarësisht shmangieve ato mundën të profilizohen sipas ideologjive që mbronin. Mbi këtë bazë ndërtuan edhe strategjitë politike të zhvillimit kombëtar, pikat e përbashkëta dhe pikat e ndarjes.
Në bashkëpunim apo konflikt ato mundën të hedhin bazat e ekonomisë të tregut dhe u angazhua në kthimin e plotë të fytyrës politike të shtetit shqiptar nga perëndimi. U përcaktuan politikisht dhe praktikisht për zhvillimin e ekonomisë të lirë të tregut nëpërmjet privatizimit të ekonomisë. Pas vitit të mbrapshtë (1997) u kompletua sistemi politik me kushtetutë demokratike. U investuan në krijimin e një sistemi politik qeverisës me elementë social. E çliruan ngrehinën organizative politike nga dogmat dhe i dhanë frymëmarrje demokratike duke e derivuar edhe në qeverisje. Gjeten pika konvergjence me synimin strategjik të integrimeve euro atlantike duke i përcaktuar qartë objektivat kombëtare. Përcaktuan strategji funksionuese dhe realizuan vepra të mëdha në funksion të hedhjes të një shtrati të sigurte për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik por edhe avancimin e pozitës gjeopolitike të vendit. U investua në krijimin e një infrastrukturë moderne më objektiv ndërtimin e boshteve kryesore kombëtarë (rruga e kombit, boshti i jugut, veriut, juglindjes dhe verilindjes). I dhanë përparësi gjeoenergjisë si mjeti i dobishëm për të avancuar në krijimin e raporteve të reja politike favorizuese në rajon e më gjerë (TAPI, Kaskada e Devollit, qindar HEC-e me kapacitete te vegjël, linja të transmetimit të energjisë elektrike me Kosovën, Malin e Zi dhe Maqedoninë). Investuan ne portet kryesore të vendit. Zhvilluan dhe mbështeten me donacion prodhime bujqësore dhe blegtorale me të cilat Shqiperia ka mundësi reale të konkurrojë dhe sundojë tregun rajonal siç janë ulliri, harroret, të imtat, gjedhi dhe bletët. U hodhën hapa domethënës e të qëndrueshëm në fushën e sigurisë kombëtare. U përmbyll me sukses anëtarësimi në NATO, liberalizmi i vizave, u aplikua për statusin e vendit kandidat për në BE dhe u sigurua rekomandim pozitiv nga KE me kushtin për miratimin e tre ligjeve (2012). Hodhën hapa konkretë për modernizmin e FA duke përmbyllur projektin e sistemit të vëzhgimit të hapësirës detare, u zhvillua projekti i modernizmit të infrastrukturës të sistemit të komunikimit në standarde moderne, projekti i ndërtimit të anieve dhe helikopterëve të shpëtimit, u krye modernizmi dhe krijimi i kapaciteteve luftarake në nivel të standardëve të NATO-s për forcat speciale, tokësore, detare, ajrore, SHIU-n dhe PU. U shumëfishua me dhjetëra herë infrastruktura e sistemeve të transmetimit të informacionit (internetin) në shërbimet publike. U sigurua konvergjencë në ndërtimin e një politike të jashtme në favor të stabilitetit politik rajonal por edhe mbrojtjen e interesave kombëtare. Boshti i politikës së jashtme ishte gjëja më e konsoliduar në marrëdhëniet ndërmjet tyre. Pra pati zhvillime pozitive, pati programe, pati vizione dhe pati tregues ne shume fusha qe ishin pozitiv dhe garanci për ti shtyre proceset përpara. Por duhet pranuar se performanca e qeverisjeve pavarësisht vështirësive ishte larg mundësive reale dhe u shoqërua edhe me trauma të mëdha siç ishte bie fjala 1997-ta. Qeverisjet problematike duket se e konsuamuan shume shpejt sistemin politik por edhe krijuan institucione te brishta (sistemi i drejtësisë, administratë ineficente, korrupsioni i lartë, zgjedhje politike të kontenstura, konflikt i brendshëm politik i pandërprerë e të tjera). Mbi të gjitha edhe pse Shqiperia është demokratike nuk u bë e mundur krijimi i një sistem demokratik dhe demokraci funksionale. Ky është momenti politik kur e majta rilindëse mori pushtetin.
Për shumë syresh pritjet ishin të mëdha. Po çfarë ndodhi.? Projekti politik dhe socio – ekonomik i kësaj mazhorance që në nisje startoi duke reflektuar huqet dhe tabiatet e një sistemi autokratik, mospërfillës dhe mohues për çfarë ishte arritur duke vënë në spikamë dhe hiperbolizuar gabimet edhe fajet e kundërshtarit politik. Që në fillim ngriti kantierin e propagandës në boshtin e secilës vuri kryqëzimin dhe shkatërrimin e plotë të kundërshtarit politik dhe jo punën për funksionalizmin e sistemit demokratik dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit. Kësisoj e ktheu qeverisjen në film dokumentar bardh e zi me regji të përgatitur nën efektet e delirit të madhështisë. Ne bojme shtet thërriste pa pushim kryeqeverisesi. U kthye në rregull që sa herë qeverisja e vendit binte në konflikt me sistemin demokratik dhe qeverisjen e mirë, të ndërtojë skema dhe artifica për rritjen e kurbës së konfliktit me opozitën. Lufta për kapjen dhe kontrollin e të gjitha pushteteve u kthye në qëllimin kryesor të saj. Zhvillimin e vendit e nxori jashtë programit politik të paraqitur publikisht. Programeve politike, ekonomike dhe te sigurise me synime strategjike për avancimin e pozitës gjeopolitike në rajon e zëvendësoi më të ashtuquajturën rilindje urbane. E cila siç thotë një miku im i ngjan grimit të fytyrës të një plake duke i lënë në mëshirë të fatit dhe të pakuruara enët e gjakut dhe funksionimit të organeve kryesore të saj. Me filozofinë përtej së majtës dhe së djathtës ky kryeministër ndërtoi një forcë politike të përngjashme me aradhat ushtarake të imbarkuar në një tren hibrid. Lokomotivën e secilës e drejton vetë së bashku me një grup interesi hibrid që e rrethon. Është fakt se ne jetojmë në një botë multipolare në të cilën njerëzit kanë identitete hibride. E keqe kjo e prodhuar nga informacioni i shumëllojshëm dhe shumë dimensional.
Eh, kjo e keqe në vende me traditë të dobët demokratike dhe demokraci jofunksionale është humusi i cili rrit dhe frymëzon krijimin dhe promovimin e suksesshëm të autokracisë. Pra çështjet bazike të demokracisë me pak kujdes dhe stërhollim të propagandës, pushteti mund ti manipulojnë sipas nevojës për sundim të popullit së bashku me popullin. Kjo në fakt është teknologjia e adoptuar aktualisht në kontrollin e opinionit publik por edhe shfryrjen e stresit duke injektuar ndjenjën e disfatizmit por edhe relativizmit të së keqes. Në mes të kësaj mjegullnajë të krijuar nga keqqeverisjet, dukshëm ka ndihmuar edhe mungesa e përgjegjshmërisë kolektive kombëtare.
Ne sot qeverisemi nga një lidership i një force politike me pasaportë të falsifikuar. E falsifikuar sepse pasaporta e çdo subjekti politik është programi politik. Nukli i PS-së është tërësisht hibrid dhe i rrethuar me spirale të krimit, korrupsionit, interesave të oligarkëve politikë e financiarë. Shihni, janë me mijëra majtistë (socialistë, social demokratë, komunistë të reformuar bile edhe komunistë radikalë) që kanë hipur në vagonët e trenit te një shtabi politik hibrid me program neoliberal duke rrahur gjoksin e mburrur si majtistë. Por kjo nuk është e vetmja e keqe. Jo. E keqja e madhe është se situata hibride e krijuar në qeverisjen e vendit e ka nxjerrë jashtë loje edhe opozitën duke i detyruar të largohen nga shtrati i vet ideologjik dhe organizativ drejt krijimit të një fronti pa përmbajtje dhe program ideologjik. Ky është shkaku kryesor i cili e ka shtyrë opozitën të organizohet si front opozitar. Front i cili edhe pse duket të jetë më i ftilluar vazhdon jo në pak raste të bjerë në kurthën e konfliktit dhe propagandës qeveritare. Thjesht ky front vazhdon të jetë dispropocional në gjetjen e mjeteve të efektshme për të përballuar ofensivën propagandistike të qeverisë.
2. E drejta e te padrejtës.
E drejta e të së padrejtës apo ndryshe e drejta e të fortit është fati ynë që nuk po na shqitet. Ne një farë mënyrë ne kemi gjetur komfort më të drejtën e të padrejtë. Pavarësisht se modeli i të drejtës të padrejtë nga ka goditur vazhdimisht që në krijimin e shtetit shqiptar. Tashmë është kthyer në njëlloj sjellje tradicionale veçmas nga komuniteti me bindje të majta. Sipas kësaj filozofie qeverisja e keqe na imponohet gjithnjë nga jashtë. E fajtoret gjenden o në opozitë, o tek aleatët e fuqishëm. Shihni si u përhap mendimi në mjediset shoqërore se kanabizmi i vendit ishte kryer nën regjinë e SHBA&BE. Apo akuzat inflacioniste sipas të cilave opozita është penguesja kryesore e integrimit (hapjes të negociatave). Qeveria jonë është e perfeksionuar deri në infit për të shfrytëzuar interesat e të drejtës së padrejtë të fuqive të mëdha në funksion të pushtetit. Një nga shembujt e shumtë është i ashtuquajturi zgjidhje e konfliktit serbo – shqiptar nga Tirana zyrtare ne bashkëpunim me Beogradin zyrtar duke përjashtuar udhëheqjen politike e shtetërore të Kosovës. Ky projekt edhe pse u mbështet fuqishëm nga shtete lider të BE-së dështoi, për meritën e aleatit tone strategjik kryesor por edhe vendosmerise te lidershipit politik kosovar. Ai në njëfarë mënyre nga bonus ne funksion të pushtetit u kthye në fuqi zero dhe zbehje e rolit të Shqipërisë në rajon.
Andaj edhe sot nëse përkrahësit e integrimit të Ballkanit Perëndimor (pra edhe Shqipërisë) do te arrijnë ti bindin skeptikët duke përdorur frikën e destabilizimit të rajonit dhe shmangies të ndikimit rus, kjo do të ishte humbja e radhës që do të na ndiqte nga pas deri në lodhje duke na shtyrë në kalendat greke pranimin në BE, nëpërmjet artificave dhe kushteve të kushteve të pafund. Ky do të ishte projekti më i gjatë dhe torturues gjatë procesit të negociatave. Funksionalizmi i demokracisë dhe sistemit demokratik do zhagitej për dekada të tëra dhe zvarritja në oborrin e pasmë të bashkimit evropian do të kthehej një ritual i mërzitshëm. Në llojin e vet ky do të ishte absurdi i të drejtës të padrejtë që do të thotë: Negociatat nuk i marrim mbi meritën e cila sjell progres e zhvillim por mbi të drejtën e të fortit për interesa gjeopolitike duke paguar me çmimin e ripërsëritjes te kushteve dhe ngadalësimit te procesit.
Nga kjo perspektivë shumë më mirë do të jetë nëse na jepet një PO me kushte. Që do të thotë të pranohet e tashmja e kushtëzuar nga e shkuara. E thënë shkurt dhe shqip të marrin të drejtën e të drejtës dhe jo të drejtën e te padrejtës.
Pra, të marrim “PO” me kushtet e funksionalizmit të sistemit të drejtësisë jashtë ndikimit politik, krijimin e një qeverie me profil antimafia qoftë edhe nga mazhoranca aktuale, përdorimin e të famshmit veting në politikë, qeverisje dhe administratë shtetërore si dhe departizmin e administratës shtetërore. Plotësimi i këtyre kushteve duhet ta bëjë aktive hapjen e negociatave në mënyrë automatike pa kushte shtesë, pavarësisht ngjarjeve politike ne kampin e BE-së. Çfarë do të ndodhë ta shohim, por bathët në fund të vorbës nuk janë dhe aq për mbarë.
3. Politikë mahallash me llogje kavaje.
Sot gjeja më e shitur në këtë vend është politika e mahalles me llogje kavaje. Them mëhalle, sepse siç duket turkoshakët edhe pse modern e kanë për qejf që gjithçka të shohin nga mahalla e vet. E, kjo politika e mahallës dallohet për dy tipare kryesore. E para, është tallavaja politike e cila çliron energji negative të shumë njerëz të kultivuar me urrejtjen ideologjike, krahinore dhe klanore. A ka tallave politike më banale që në emër të bashkëqeverisjes me popullin të marrësh mikrofonin në dorë dhe të marshosh nga qyteti në qytet, nga fshati në fshat duke “bashkëbiseduar” për zgjidhjen e sfidave të mëdha të këtij vendi hallemadh. A e keni vënë re se në këtë teatër bajat të mbuluar me mjete informimi on line kryeministri pasi e kryqëzon paraardhësin apo kundërshtaret politik edhe pse kanë pesë vjet që kanë shkuar në opozitë e vazhdon monologun me premtime elektorale, me statistika qe nuk i beson as vet dhe pastaj e kalon mikrofonin në publik duke përrallisur batuta me qytetarë në vështirësi dhe si zgjidhjen u jep togfjalëshat: Ulu, e mora vesh ose më shkruaj në portal dhe me sqaro më tepër. Për të krijuar bindjen si qëmoti se uji në burim është i pastër por e turbullojnë këta poshtë i lan duart me ndonjë zyrtar lokal apo qendror te nivelit të tretë.
E dyta, është vendosja e pushteteve jashtë ekzekutivit dhe institucioneve shtetërore në kushte të pamundësisë të funksionimit në emër të reformave demokratike ekstra shqiptare. Ndoshta jemi i rast unikal ku kryhen reforma dhe marrëveshje te mëdha ndërkombëtare pa garanci kushtetuese dhe në konflikt me opozitën. Gjykata kushtetuese tashmë ka kohë që ka dalë jashtë funksionit dhe së shpejti po të njëjtin fat do të ketë edhe gjykata e lartë. Kjo do te thotë se cilindo vendim që e merr kjo mazhorancë e mahalles se kryeministrit e vetmja rruge që ka mbetur për tu kundërshtuar është konflikti dhe violenca. Rasti demonstrata ne rrugën e Kukesit. E përkthyer në shqip, ne kemi kushtetutë, por nuk kemi institucion garantues të saj. Pra sistemi demokratik është lënë në mëshirë të korporatës oligarkike hibride dhe jo ligjit e kushtetutës.
E kjo ndodh kur Shqipërisë po i digjet mjekra duke rriskuar objektivin strategjik – Integrimin. Kryeministri në vend të gjejë rrugë e të ulet me opozitën dhe tu japë zgjidhje problemeve të brendshme merret me llogje kavaje e batuta bulevardeske. Apo merr rrugët e botës duke u kthyer nga trimosh, në lypës. Këto ditë miku i tij Aleksandër (Vuciç) i thoshte gazetës “Lë Monde” se: “Qasja ime është e ndryshme nga ajo e Edi Rama. Nuk dua të lyp për çdo lloj arsyeje. Ne duhet ta bëjmë pjesën tonë të punës, duhet të ecim përpara për veten tonë”. Në epilog kjo qeverisje i kishte të gjitha mundësitë të bënte një hap para në procesin e integrimit duke hapur negociatat. Pra të bënte, aq sa bënë paraardhëset e tij. Kujdesi dhe stilimi i propagandës mediatike qeverisëse për ta trafikuar ngecjen në hapjen e negociatave në prehrin e opozitës por edhe zbutja e masës të sigurisë ndaj Tahirit të bën të mendosh se dështimi edhe këtë radhe ka të ngjarë te mos jete vetëm opsion. Prandaj ne mund të ndodhemi përsëri para faktit të padëshiruar duke pyetur: Perse gjithmonë në stacionin e fundit?.
3 qershor 2018.