Magdeburg, Mynih, Mannheim: brenda pak muajsh, kriminelët kanë vrarë njerëz me automjete. Pse shumëfishohen aktet e këtij lloji?

I ashtuquajturi efekti Werther thotë se raportimet e detajuara të një vetëvrasjeje mund të çojnë në akte imituese, pavarësisht nëse janë fiktive, si në romanin e Johann Wolfgang von Goethe-s me të njëjtin emër (Vuajtjet e Wertherit të Ri), apo reale, siç është vetëvrasja e portierit të futbollit Robert Enke në vitin 2009, e cila u përhap gjerësisht në media.

Por a ekziston vërtet “efekti Werther” vetëm te vetëvrasjet? Apo ekziston edhe në akte të dhunshme të drejtuara kundër jetëve të njerëzve të tjerë, të tilla si goditjet dhe sulmet me automjete në Mannheim, Mynih apo Magdeburg?

Pas një akti të dhunshëm, rreziku rritet

“Ndoshta ka një efekt të tillë,” thotë Andreas Meyer-Lindenberg, drejtor i Institutit Qendror për Shëndetin Mendor në Mannheim. Edhe pse në Gjermani nuk ka të dhëna të mjaftueshme për të mbështetur këtë teori, “akte të tilla të dhunshme, në të cilat vdesin shumë njerëz, fatmirësisht janë jashtëzakonisht të rralla në Gjermani”.

Situata është e ndryshme në SHBA. “Ky lloj i vrasjeve masive është relativisht i zakonshëm atje,” thotë ai. “Shumicën e kohës ato kryhen me armë zjarri”. Kjo është arsyeja pse situata e të dhënave është më e mirë në SHBA. “Dhe studimet tregojnë se, veçanërisht në javët e para pasi media raporton për një vrasje të tillë masive, rreziku i vrasjeve të mëtejshme masive me një model të ngjashëm rritet ndjeshëm,” thotë Meyer-Lindenberg. “Kjo do të thotë: e njëjta armë, vend i ngjashëm.”

Sipas vlerësimeve, rreziku i një akti të tillë të dhunshëm rritet me rreth një të tretën: “Kjo mund të kontribuojë në zinxhirë ngjarjesh të tilla si ajo që po përjetojmë aktualisht”.

Stresi akut luan rol kyç

Sylvia Claus, drejtoreshë mjekësore e Klinikës Psikiatrike dhe Neurologjike në Pfalz, flet gjithashtu për një “efekt Werther” në lidhje me ngjarje të tilla si ajo në Mannheim. Kjo vlen edhe për “mjetet e krimit”, makinën. “Sigurisht, lehtësia e gjetjes së një arme gjithashtu luan një rol,” thotë Claus. Makinat nuk janë diçka për të cilën duhet të përpiqesh shumë për ta siguruar”.

Megjithatë, ka edhe faktorë të tjerë që janë edhe më të rëndësishëm në këtë lloj akti, sesa lehtësia e gjetjes së një arme dhe “shembulli” i akteve të ngjashme. Në mënyrë tipike, ka të paktën një “motiv akut” në jetën e një vrasësi masiv përpara se ai ose ajo të kryejë aktin, thotë Meyer-Lindenberg, duke dhënë shembuj: “ndarja, humbja e vendit të punës, mobbing, ngacmimi në punë ose në shkollë” – situata stresuese që shumë njerëz i përjetojnë, por vetëm disa prej tyre bëhen të dhunshëm. Megjithatë, vrasësit në masë janë shpesh “njerëz që ofendohen lehtësisht, ndihen lehtësisht të refuzuar dhe shpesh kanë vetëvlerësim të tepruar”.

Shumë prej tyre tërheqin që më parë vëmendjen përpara se të kryejnë një akt dhune, “për shembull, me akte dhune ose me mesazhe urrejtjeje në internet”. Të dy rastet vlejnë për Alexander S., vrasësin e Mannheimit: ndër të tjera, ai ka një precedent penal për lëndime trupore dhe për një koment të ekstremit të djathtë në Facebook,

Shumë nga dorasit kanë sëmundje të rënda mendore

Zyra Rajonale e Policisë Kriminale të Baden-Württemberg-ut supozon se Alexander S. “ka shumë vite që vuan nga një sëmundje mendore”. Sipas raportimeve të mediave, edhe autori i sulmit të Mynihut, i cili dyshohet se ka qenë i motivuar nga islamizmi, shfaq shenja të sëmundjes mendore. Ndërkohë ai është transferuar në pavionin psikiatrik të burgut. Një ekspert po shqyrton çrregullime të mundshme mendore te autori i sulmit në tregun e Krishtlindjeve në Magdeburg, i cili kishte shprehur islamofobi dhe kishte shfaqur shenja të iluzioneve të persekutimit para sulmit.

Andreas Meyer-Lindenberg thotë: “Te vrasësit masivë kemi të bëjmë me më shumë njerëz me psikoza dhe varësi sesa në popullatën e përgjithshme.” Megjithatë, për të dhe ekspertë të tjerë si Sylvia Claus, është e rëndësishme të theksohet se fakti që shumë vrasës masivë janë të sëmurë mendërisht nuk duhet të çojë në përfundimin e kundërt: se njerëzit me sëmundje mendore janë në parim të rrezikshëm. “Sëmundjet mendore është vërtet e zakonshme,” thotë Claus. Ato prekin afërsisht një të tretën e popullsisë së përgjithshme. “Shumica dërrmuese e këtyre njerëzve nuk do të bëhen kurrë të dhunshëm në jetën e tyre.”

Nuk ka rritje të rrezikut të dhunës nga sëmundjet më të zakonshme

Sëmundjet mendore më të zakonshme janë depresioni dhe çrregullimet e ankthit. “Ata nuk mbartin rrezik të shtuar për dhunë,” thotë Claus. Megjithatë, në rastin e çrregullimeve të rënda të personalitetit dhe psikozës, si dhe varësive, ekziston një rrezik më i lartë i akteve të dhunshme krahasuar me personat që nuk vuajnë nga këto sëmundje. Por edhe këtu vlen: “Shumica dërrmuese e njerëzve me këto sëmundje mendore nuk bëhen kurrë të dhunshëm”.

Prandaj, parashikimi i akteve të dhunshme të një ashpërsie të tillë është i vështirë ose i pamundur. Andreas Meyer-Lindenberg e ilustron këtë me një shembull: “Pothuajse të gjithë vrasësit serialë janë burra”. Statistikisht, kjo do të thotë se meshkujt paraqesin rrezik shumë më të lartë se femrat. “Por unë nuk do të konkludoja nga kjo se ne duhet të kemi frikë nga burrat në përgjithësi.”

(H.Wirtz-Walter dhe T. Kukral/ SWR)