DR. ELEZ BIBERAJ: ËSHTË PRIVILEGJ I MADH TË NDEROHESH NGA VATRA

Nga dr. Elez Biberaj

I nderuar zoti Mishto!

Ju falenderoj Ju personalisht, anëtarët e kryesisë, dhe anëtarët e VATRËS për këtë vlerësim për arritjet jetësore.

Të nderohesh nga VATRA, nga kjo organizatë historike që ka shërbyer si qendër e veprimtarisë patriotike të shqiptarëve të Amerikës dhe që ka dhenë një ndihmesë të madhe për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e kombit tonë, është nder dhe privilegj i madh.

Për mua ky është ndër vlerësimet më të çmuara. Unë kam patur lidhje te gjata dhe të ngushta me VATRËN. Veprimtarinë time publicistike e kam filluar pikërisht në VATRËN tonë të përbashkët dhe prandaj ju falenderoj përzemërsisht.

Më lejoni të shfrytëzoj këtë rast për t’i shprehur mirënjohjen më të thellë familjes, veçanërisht bashkëshortes sime, Kadires, fëmijëve të mi, vëllezërve e motrave. Një mirënjohje të veçantë prindërve të mij – Hysen dhe Ajshe Biberaj. Ishin ata që na ushqyen me dashurinë dhe krenarinë për kombin tonë, dhe me ndjenjën që e kemi për detyrë të përpiqemi, me aq mundësi që kemi, të ngrejmë lart vlerat e kombit dhe të atdheut tonë të dashur.

Falenderoj edhe kolegët dhe bashkëpunëtorët e shumët, të cilët me kanë ndihmuar gjatë karierës sime.

Ky vlerësim nga VATRA është edhe më domethënes për mua për arsye se përkon me një përvjetor të rëndësishëm për familjen tonë. Dje, me 31 maj, ne kemi shënuar 50 vjetorin e imigrimit në Amerikë – në këtë vend të lirisë dhe të mundësive të shumta. Familja jonë është shumë me fat që ka realizuar ëndrën amerikane dhe për këtë i jemi shumë mirënjohës këtij vendi të bekuar demokratik.

Shtetet e Bashkaura na kanë dhënë mundësinë të jemi shtetas besnikë amerikanë dhe, në të njëjtën kohë, të përpiqemi të japim një ndihmesë modeste në mbështetje të aspiratave te kombit tonë për liri, pavarësi dhe demokraci.

Edhe njëherë, Ju falenderoj përzemërsisht dhe me mirënjohje të thellë.

(Fjala në Ceremoninë e Vlerësimit për Arritjet Jetësore nga Federata Panshqiptare “Vatra” në new York – Amerikë)

Nju Jork/

1 qershor 2018/