NATYRSHMËRIA E RRËFIMIT NË TREGIMET E HASAN SELIMIT

Nga PETRIT PALUSHI

Tregimet e librit “Sallat e përhimta”, të prozatorit Hasan Selimi e ftojnë lexuesin të kundrojë ngjarje dramatike, herë – herë edhe lirike, të cilat shpalohen rend kryesisht në sallat e përhimta, siç rreket t’ia paraqesë autori lexuesit me një përmbajtje paksa metaforike.

Bash aty, tek sallat e përhimta shfaqet shpura e protagonistëve, të cilët i frymojnë ato mjedise të zymta. Por njëkohësisht aty edhe mjegulla sikur nuk shterret kurrë ose shterret vetëm kur largohen protagonistët e çuditshëm e tekanjozë. Dhe aty shfaqen: kryegjyqtari, anëtarët e trupit gjykues, prokurori, i pandehuni (apo të pandehunit), dëshmitarët, etj.

Aty lexohet edhe materiali i përgatitur paraprakisht prej hetuesit, por edhe të ndonjë dëshmitari, që për rrethana të ndryshme s’paraqitet me dëshmue vetë për atë çka di, çka dëgjue. Skena te sallat e përhimta janë gati. Sidoqoftë, aty ka lojë me ndjenjat njerëzore, ka dramacitet, ka pasiguri e mosbesim njëkohësisht. Ndeshje si në amfiteatrat e dikurshëm. Por te sallat e përhimta ka tepër zhurmë, bindje, në të shumtën e herëve – mosbindje, përpjekje e paimagjinueshme që faji me mbetë jetim.

Të ngjan se fajin s’e kanë kryer të pandehurit, por është i tjetërkujt, që ata e kanë pa me sytë e tyne, por absolutisht s’janë në gjendje me dëshmue të vërtetën. Dalngadalë mosbindja kthehet në bindje dhe në fund, të gjithë aktorët brenda asaj salle mbetën jo ligsht, por sikur lirohen prej të vërtetave që i mbanin të ndryme, shfryhen emocionalisht dhe marrin ma tepër frymë. Ndoshta këtu qendron edhe forca përshkruese e tregimeve të Hasan Selimit, ku në rrëfimet e tij përpiqet të shpuplojë edhe fije drite ku aty s’duket ose vështirësisht mund ta hetojë syri i njeriut.

Autori sjell para lexuesit shumë informacion jo vetëm letrar (edhe nga disiplina të tjera, si etnografi, histori, e drejta zakonore, gjeografi, etj, etj.), ku lexuesi mbetet i befasuar dhe mbas kësaj befasie të kandshme nis të ndryjë në mendjen e vet ato çka lexuar. Por leximi i parë i tregimeve do t’ish i paplotë, njëfarësoj i mangët, nëse nuk ndodh të mos u kthehesh së dyti. Pra, do me thanë se kërkohet vëmendje leximi, përqendrim maksimal që në leximin në tanësi, por edhe përqendrimi te imtësitë. Nëse kundrohet një punim i bukur pikture duhet pa deri në imtësi. Kështu ndodh edhe me tregimet e Hasan Selimit.

Duhen kqyrë me vëmendje, duhet pa forma e zhdërvjellët e rrëfimit. Dallohet fort mirë se autori e njeh lëndën për të cilën shkruan, di të sjellë të folmen e gjallë popullore me dritëzat ma të skajme, di të përshkruajë mjedise nga më të ndryshme. Kjo ndodh për shkak të natyrshmërisë së rrëfimit, pa shtesa apo teprime, ku gjithçka është brenda një atmosfere të menduar mjaft mirë. Kjo ndodh gjithashtu edhe për shkak se e papritura shndërrohet si element i qenësishëm në të gjitha tregimet. Duhet me lexue krejt tregimin me e marrë vesh fatin e personazheve, kapërcimin prej atmosfere në atmosferë.Po të kqyrim vetëm tregimin “Me dashje ose pa dashje”, vërejmë kapërcimin prej gjendjes reale në atë surreale. Njëjtë edhe në tregimin “Unë këtu, baba atje… ”. Lexuesi shpesh ndodhet në ndërdyshje: Kah do i çojë rryma personazhet? Në hon, në terr të pashpjegueshëm apo në dritë? Gradualisht lexuesi mësohet me këtë lloj lëvizje të personazheve mu për shkak të ngrohtësisë natyrale të rrëfimit. Personazhet lodrojnë nëpër skutat dhe hapësirat e tyre. Çdo gjë e futur bindshëm brenda rrëfimit.

Ndër personazhet më të spikatur të librit, natyrisht që është Nikolla i Ri, personazh – rrëfimtar i klasit të parë. I pajisur me ndjesinë e së vërtetës, autoritar dhe i pakontestueshëm në dëshmitë e tij, ai sikur lidh traditën me modernen, por njëkohësisht brenda modernes gjen elementë të traditës dhe brenda traditës shfaqen elementë të modernes. Pra, autori heton se ndërthurja e elementëve të tillë i jep dritë ma tepër gjykimit në sallat e përhimta, krijon besueshmëri te palët.

(Pjesë nga teksti: “Sa i bukur do të dilte një roman”, i tha vetes teksa po lexonte Nikolla. “Aty ka elementë të traditës nga nderi deri tek vdekja. Ka elementë të së drejtës që tani aplikohet pa kurrfarë arsye në një shtet. Ka elementë të çuditshëm të eposit, të dashurisë, të ndalesës me ba dashuri dhe deri tek kaçakët e Ali Pashës”). Tregimet e këtij libri nuk janë të shkurta dhe s’kish si t’ishin ndryshe.

Lënda letrare është e gjerë, e tejngopur. Afërmendsh se çdo tregim është pikënisje e bukur, është shtrat i një romani. Çdo gjë tashmë është e gatshme, lindjat e një proze më të gjatë janë të paracaktuara ndjeshëm.

Dhjetor 2017