Homazh për një njeri që meriton vetëm mirënjohje

Nga Mentor KIKIA

Unë nuk e kam patur shok Tanin, kështu që nuk e njoha në aspektin njerëzor. Punova 8 vjet me të, nga dita e parë kur Top Channel mori udhë. Punova në televizionin që ai ngriti, edhe 8 vjet të tjera, pasi ai iku nga kjo jetë. Për Tanin janë thënë shumë fjalë të mira e të mëdha. Por unë mendoj se ai meriton edhe më shumë. Ai nuk ishte thjeshtë një njeri i sukseshëm në biznes. Ai ngriti një televizion, me pasionin e një njeriu që mezi pret ta shikojë krijesën e tij të rritet, duke i ndenjur natë e ditë tek koka. Një i “sëmurë” pas teknologjisë. Një njeri që ndiqte lajmet edhe në orën 1 pas mesnate. Një sipërmarrës që respektonte gjithkënd më te cilët punonte. Një sipërmarrës që dinte të vlerësonte profesionistët më shumë se çdo aparaturë.
Ishte një fat për mua që punova me Tanin. E kam thënë e do ta them përherë, e nuk do të ngurroj ti them “faleminderit” sa herë të mundem. Për mua dhe një gjeneratë gazetarësh, që punuam aty me dëshirë, përkushtim e pasion, Topi nuk ishte thjeshtë një vend pune. Ishte një shtëpi e dytë, ishte një laborator krijimi. Ishte fat për ne, për edhe për median shqiptare, pasi Tani krijoi standardet, profesionale, tenkologjike dhe administrative.
Tani nuk ngriti një biznes privat, por një pasuri publike, një institucion. Ai u nis nga pasioni i tij për të ndërtuar një media moderne e të lirë, dhe nuk e dinte se po i bënte një shërbim të madh vendit dhe shoqërisë. Ndaj, 10 vjet pas ikjes së tij, të gjithë kanë një arsye për ti bërë një homazh këtij njeriu.
Tani ecte shpejt, punonte shpejt, jetonte shpjet, arrinte synimet shpejt, dhe mesaduket e plotësoi edhe misionin e tij shpejt.
Ndaj dhe iku shpejt!