Lazim Destani: Kapitali më i fuqishëm social për kombin tonë sot është Diaspora

Nën organizimin e Organizatës joqeveritare ‘Germin’ këto ditë në Prishtinë po mbahet konferenca katër-ditore “Diaspora Flet” që i nisi punimet  më 17 maj. Në këtë konferencë marrin pjesë më se 170 profesionistë të ndryshëm nga diaspora shqiptare, Ministrat e Diasporës së Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë, si dhe figura të tjera nga institucionet e Republikës së Kosovës. Ndër të ftuarit në këtë konferencë është biznesmeni Lazim Destani si kryetar nderi i Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare, Kingsley Aikins nga Irlanda, themelues dhe drejtor ekzekutiv i ‘Diaspora Matter’ si dhe pjesëtarë të organizatave të ndryshme të diasporës shqiptare nëpër botë. Aikins me rolin e tij të jashtëzakonshëm njihet në botë për aplikimin e praktikave më të mira se si mund të japë kontribut diaspora për zhvillimin e vendit të vet. Ai tregoi shembuj konkret të shteteve që kanë arritur suksese të mëdha në fusha të ndryshme, pikërisht duke shfrytëzuar potencialin e diasporës.
Në ditën e parë të konferencës ku ishte i ftuar Lazim Destani, u mbajt paneli i ministrave të diasporës, Dardan Gashi nga qeveria e Kosovës, Pandeli Majko nga qeveria e Shqipërisë dhe Edmond Ademi nga qeveria e Maqedonisë. Këtu u zhvilluan diskutime konstruktive për çështje të shumta që kanë të bëjnë me diasporën tonë, me synim nxitjen e dialogut të strukturuar për ndërtimin institucional të raporteve mes diasporës me trojet nga vijnë ata.
Punimet e konferencës kanë vazhduar sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Në këtë seancë pune morën pjesë deputetë të shumtë të Kuvendit të cilët dhanë mendimet e tyre për çështje të ndryshme që kanë të bëjnë me diasporën. Duke iu drejtuar diasporës, në fjalën e tij kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli tha, “Ju jeni kontribues të mëdhenj jo vetëm të së kaluarës por edhe tani aktualisht kur po kontribuoni duke qenë pjesëmarrës edhe në jetën tonë drejtpërdrejt, po flas veçanërisht në dimensionin social duke ndihmuar familjet tona”.

Ndërsa në vijim po e sjellim fjalën e Lazim Destanit para të pranishmëve në Kuvendin e Kosovës:
Në përgjithësi, diaspora e çdo vendi ka luajtur rol të veçantë për zhvillimin e vendit të origjinës. Në rastin tonë, diaspora shqiptare në të kaluarën, në momente të caktuara historike, ka qenë zëri më i fuqishëm për çështjen tonë kombëtar, ndërsa sot ajo mund të luajë rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik dhe përparimin e trojeve tona.
Emërtimi i kësaj Konference, ‘Dispora Flet’, vetvetiu flet shumë… unë këtë emërtim e kuptoj si një formë veprimi dhe të rëndësishëm nga shumë aspekte. Andaj, edhe vet si pjesëtar i diasporës sonë, them se diaspora ka ‘folur’ sa herë që kombi ynë ka patur nevojë dhe vazhdon të flasë përditë e më shumë.

Unë si afarist, që tashmë mbi 35 vite veproj në diasporë, si shumë bashkëkombës të tjerë, i kam përjetuar zhvillimet tona gjithandej. Sot diaspora jonë me arritjet e veta paraqet faktor të rëndësishëm kombëtar, dhe me këtë ne të gjithë jemi krenar. Jo vetëm që u mësuam të bëhemi afaristë duke i bërë ballë konkurrencës së egër kapitaliste por nga kjo diasporë dolën shumë profile nga bota e shkencës, kulturës, artit e sportit. Përmes këtyre sot na njeh bota!
Kapitali më i fuqishëm social për kombin tonë sot është diaspora. Ne, në rafsh kombëtar, nuk kemi ndonjë produkt tjetër eksporti që të realizojë të ardhura devizore për shtetet tona më shumë se diaspora. Madje sot ne nuk eksportojmë vetëm fuqi punëtore por edhe kapacitet intelektual si dhe krijimtari shpirtërore. Mjafton të shikohen bilancet tregtare të shteteve tona për të kuptuar se nga financohet gjithë ai hendek midis importeve dhe eksporteve.
Si afaristë nga diaspora, ne vazhdimisht po flasim dhe shpresojmë që qeveritë tona ta degjojnë këtë zë, dhe jo për përfitimet tona personale por për impaktin ekonomik që mund ta japim. Le t’i bëjmë trojet tona ashtu siç e shohim Perëndimin, ku edhe ne vetë, kemi dhënë mund e djersë. Të kaluarën ne nuk e ndryshojmë dot, por le të veprojmë për ta ndryshuar këtë që është në duart tona, të sotmen. Nga të gjitha trojet tona po largohen shumë të rinj, të shkolluar apo mjeshtër të zanateve të ndryshme. Ata po largohen në kërkim të një pune, ndërsa ne, diaspora shqiptare, rrugën e largimit të tyre mund ta ndalim duke krijuar vende pune për ta, këtu në trojet tona.
Investimet në trojet tona duhet t’i shikojmë edhe nga prizmi i filantropisë. Afarizmi gjithsesi mbetet gjenerator i rëndësishëm për zhvillimin e një vendi ndërsa filantropia është vegël kyç për adresimin e sfidave të një shoqërie dhe është shumë më shumë se sa bamirësia.
Duke qenë edhe në strukturat e Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare, me mbi 2000 kompani me potencial të lartë nga më se 25 shtete, ne po përpiqemi ta vëmë këtë në shërbim të trojeve tona sa më mirë.
Dhe për ta përfunduar, me rastin e punimeve të kësaj Konference, në emër të këtij Rrjeti, ju percjell përshëndetjet dhe urimet më të mira për punë të mbarë dhe suksese.

Pas kësaj seance pune, Lazim Destanin në një takim të veçantë e priti kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Në fjalën e tij, Ministri Pandeli Majko, vlerësoi iniciativën për organizimin e një aktivitetit të tillë dhe e vuri theksin tek përshtatja e shtetit, përballë asaj që e quajti, “një sfidë administrative dhe politike”.
“Si fenomen, diaspora është një sfidë administrative dhe politike. Brenda një shoqërie ajo kërkon përshtatjen e “të larguarës” me “të qëndrueshmen”. Diaspora kërkon një ekulibër midis psikologjisë së parimit të “evolutives” me “statuskuonë” brenda një shoqërie. Ndërkaq, kjo përshtatje nuk ka si të jetë veç një “leksion” nëpër konferenca apo seminare, të shoqëruara me miratime ligjesh. Në thelb ajo do të kërkojë përshtatjen e kombit me rregullat e reja të globalizmit dhe vetëfunksionimin e tij në kushte të reja, të ndryshme nga ato që janë mësuar nga librat që nga koha e revolucionit francez”, ishin fjalët e Ministrit.
Ministri i Diasporës në Kosovë, Dardan Gashi foli për rëndësinë e trajtimit të diasporës si një të tërë, ndërsa homologu nga Maqedonia Edmond Ademi, u ndal tek sfidat e krijimit të marrëdhënieve me diasporën në një vend ku për 27 vite bashkëpunimi nuk ekzistonte.
Drejtoresha e programeve në ‘Germin’, Liza Gashi, foli për synimin e kësaj organizate që të bashkojë diasporën shqiptare, duke e bërë atë pjesë të krijimit të politikave në vendet e tyre të origjinës.