Receta e ditës/ Supë krem brokoli me karkaleca dhe bajame

Përbërësit:

400 gr brokoli
100 gr patate
100 gr selino
1 qepë, 1 thelpi hudhër
800 ml koncentrat perimesh
2 lgj vaj ulliri
2 lgj bajame feta
300 gr karkaleca
3 lgj krem kosi
3 lgj lëng limoni
gjethe borziloku
kripë, piper i zi

Përgatitja:

Fillimisht lajmë brokolin dhe e ndajmë në lule, më pas kërcellin e brokolit, pataten dhe selinonë e presim në copëza të vogla. Ndërsa qepën dhe hudhrën e presim sa më imët. Në një tenxhere me një lugë vaj ulliri kaurdisim në temperaturë mesatare qepën dhe hudhrën derisa të bëhet transparente. Më pas shtojmë kërcellin e brokolit, selinonë dhe patatet, i trazojmë për një minutë duke shtuar më pas lëngun e perimeve. Vendosim kapakun dhe e lemë supën të ziejë për 15 minuta. Pasi të kalojnë 8 minuta shtojmë lulet e brokolit dhe i lemë të ziejnë së bashku me përbërësit e tjerë.

Gjatë kësaj kohe kaurdisim bajamet në tigan pa yndyrë derisa bajamet të zverdhen dhe të nxjerrin aromën e tyre karakteristike. Ngrohim vajin e ullirit në tigan dhe skuqim karkalecat në temperaturë të lartë për 2-3 minuta. Më pas i rregullojmë karkalecat me kripë dhe piper të zi. Pasi të kenë kaluar 15 minuta nga zierja e supës e kalojmë atë në blender dore duke e kthyer në pure. Shtojmë më pas në të kremin e kosit, borzilokun, lëngun e limonit, kripë dhe piper të zi. E servirim supën krem brokoli duke shtuar në fund karkalecat dhe fetat e bajameve të pjekura.