Nga Sulejman Dida
Romani “STUHIA E BORËS” e Vladimir SOROKINIT, Tiranë, 2015.
Personazhet kryesorë Perhusha-karrocieri, Pllaton Ilijç Garini-doktori, kuajt vogëlanë, stuhia me borë, nata, mullisja… Nji tekst surrealist, plot befasi fantazmagorike në përshkrimin e një misioni të destinuem me dështue. Doktori Pllaton Ilijç Garini asht nisë për me shpëtue nji komunitet prej sëmundje epidemike të murtajës. Flietet për virusin e nji lloj murtaje, e cilësueme si virusi bolivian, që i shndrron njerëzit në përbindsha, bante që edhe kufomat të shpërthenin prej s’thelli ku mund të ishin varrosë. Sidoqoftë Garini ka marrë porosi me e shpëtue komunitetin prej gjigantizmit fatal që e çon sigurisht në shfarosje, me shpëtue ata që ende nuk janë prekë nga virusi, ka marrë edhe sasinë e duhur të vaksinave. Çuditërisht rasti e sjell që, për nji udhë jo shumë të gjatë, të pajtojë njeriun e gabuem, ky i fundit mjetin e gabuem, e, në përfundim, me gjithë përpjekjet e mbitakatshme, me dështue. Pajton transportuesin e bukës Perhushkën, i cili ka në dispozicion vetëm karrocën me 50 minikuaj. Të vjen keq për Perhushkën që sakrifikohet pa rezultat, për kuajt vogëlanë që, kur tuten prej ujkut në fërfllizën e natës fshehen në mangët e të zotit. Asht groteske kambngulja dhe besmi i tij se do ta gjejnë rrugën ndërsa sillen nëpër fushë nën reshjet borës që mbulon gjurmën e udhës…
Ngjarja zhvillohet në nji zonë rurale ruse, ku dy nga tre stacionimet e përkohshme, sepse duhet me u ndalë sa me marrë fryë, janë banda të karteleve të drogës. Mbasi çdo mjet shkatërrohet dhe karrocieri përfundon tragjikisht i ngrimë, doktorin e gjejnë kinezët ende gjallë. Dikush urdhon me futë në thes kuajt e Perhushkës, e më pas, thesin me kuaj bashkë me doktorin i hypin në nji tren që tërhiqej nga disa kuaj gjigantë. Thuhet se në shumë vende të perëndimit Sorokini lexohet me interes, po unë gjej arsye me nënvizue se ne shqiptarët gjejmë deri diku nji krahasim për fatin tonë. Sepse ne drejtohemi nga njerëzit e gabuem, përdorim mjetet e gabueme, e çka asht ma dramatike, jemi në udhë të gabueme. Ndoshta edhe ne jemi të prekun nga virusi bolivian, por në ndryshim nga ngjarjet e romanit, ai virus na vendos nja dy zero përpara, dmth na ban mikroskopikë. Kam lexue diku se rusët nuk e duen shumë autorin Sorokin. Sepse ai siç duket ua ka tërhjekë veshin bashkëkombasve të vet, veçanërisht politikës, se gjigantomania do ti damtojë me pasoja pa kthim. E, kët pjesë të botës, ose edhe kët pjesë, do ta sundojnë kinezët të cilët epideminë, dmth, gjamën tejtërkujt e kthejnë në vafor. E çmoj letërsinë ruse e cila ç’prej dy shekujsh vazhdon me i dhanë lexuesit në mbarë botën libra të mrekullueshëm.
Nënvizoj se përkthimi mund të bahej ma me kujdes, kjo në aspektin sintaksor, gja që mund të anashkalohet. Ndërsa nji gabim tjetër që nuk mund të tolerohet asht qëndrimi ndaj variantit gegë të shqipes. Dialektin fshatar të personazheve jo shumë të edukuem, që në rusisht përban nji nëndialekt të një krahine të caktueme, përkthyesi e ka vu në gegnisht. E ka vu për paralelizëm, po varianti gegë nuk asht nji dialekt i ngushtë, ai asht varianti ma i madh i shqipes që, për shekuj ka qenë varianti i letërsisë dhe çdo literaturës tjetër. Gegnishten e folin dhe e shkruejnë ma shumë se 6 milionë shqiptarë dhe nuk asht nji dialekt fshati. Fshatarçen ka mundë me e dhanë me ndonjë variant rural të tosknishtes por kurrsesi me gegnishten, sepse nëse norma e shkrueme e gjuhës asht varianti toskë, dialektet e këtij varianti nuk ndodhen ndër gegë. Ky përban qëndrim, mjerisht denigrues, ashtu si filmat e realizmit socialist ku personazhet e mirë, pra komunstët folin toskënisht ndërsa të këqinjtë, pra armiqtë e partisë gengnisht. Për nji libër të bukur si Stuhia e Borës, ndoshta nuk ban me u ndalue te ky aspekt, por asht lëndues.