Komandanti i kampit të Maliqit

Nga Kastriot Dervishi

Në kujtimet e shumë të dënuarve politikë të regjimit komunist, gjendet edhe emri i drejtorit apo komandantit të burgjeve ose kampeve, Tasi Marko, lindur më 5.9.1912 në Bistrovë të Vlorës, vëllai i anëtarit të Byrosë Politike, Rita Marko. Kjo ka qenë shtysa që më ka nxitur në gjetjen e figurave të tilla për të parë se nga buronte gjithë ajo urrejtje dhe mungesë e çdo sjellje njerëzore. Të mos harrojmë se në këtë kohë elementi kriminal ishte në pushtet dhe ai intelektual në burgje, varre ose jashtë vendit. Analizimi i jetës së Tasit është një dritare për të parë se mbi çfarë kontingjentesh u mbështet pushteti i Partisë së Punës. Jetëshkrimi i Tasit është interesant. Ai paraqitet kështu në fillesat e veta sipas viteve:

1922-1929 bari delesh e dhish në vendlindje.

1924-1944 (përjashto vitet e ushtrisë në Tiranë) furrxhi në Korçë.

Zilia për pronën e tjetrin, inferioriteti intelektual, ishin dy parimet bazë prej nga ku buronte urrejtja e pashtershme për “armikun e klasës”. Tasi u bë një xhelat i mirë për regjimin, ndërsa i vëllai, një persekutor drejtues në Byronë Politike.

Tasi nuk kish mundur të kryente më shumë se 4 klasë fillore. Edhe ky ishte ndër partizanët e vitit të fundit të luftës, më 13.5.1944 në njësitin e Devollit. Shërbimi i tij ndaj regjimit ishte në fushën e burgjeve dhe kampeve. Më 1945 – 1947 drejtor i dy burgjeve të Korçës. Në maj – nëntor 1947 drejtori i kampit sezonal të Maliqit. Më 1949 – 1950 komandant i burgut nr.313 Tiranë. Në vitin 1950 komandant në kampet sezonale të Maliqit e Urës së Bonës. Në vitin 1951 komandant i kampit të të burgosurve në kombinatin e tekstileve “Stalin” në Tiranë. Në vitin 1955 komandant i kampit nr.4, një ndër më famëkeqët e kësaj kohe. Pikërisht këtu për shkurtim organike doli në lirim.

Eprorët e Tasit vlerësonin se ishte “adapt” për këtë punë. Treguesi kryesor i punës së këtyre drejtuesve ishte urrejtja ndaj elementit kundërshtar.