SADRI MEHAJ I HOTIT KAPËRCEN ATLANTIKUN

Nga Ilir Buçpapaj – gazetar i ekranit e shtypit të shkruar, “Qytetar Nderi” i Kelmendit.

Sadri Mehaj, po të drejtohem me fjalë zemre! Jemi njohur e të kam parë shpatinave të Majës së Karafilit, te Kershi i Gjon Balës, te Vorri i Çek Hasanit në ditët e qershorit, korrikut e gushtit të viteve ’70 duke ruajtur dhentë bardhoka e duke mbledhur boronica. Sa e sa herë ke thanë në vijën kufitare: “O pash Zotin, kthemi qato dhenë!”

Ke kënduar bukur, o Sadri Mehaj. Jehona e këngës sate përshkonte Terkuzin, Balçinën e Koshoticën. Jemi parë sy më sy, por kurrë nuk të kam kthyer përgjigje as ty, as çobanëve e djemve e vajzave prej Hoti, prej Zabeli. Bashkëbisedimi ishte mollë e ndalueme. Po kena folë me mend e me shpirt, pasi ishim të një gjuhe e të një gjaku.

Vite më vonë, kur unë dilja në bjeshkë në Terkuz, në Balçinë e Kosheticë, nuk dëgjohej as zari, as kënga jote. Regjimi titist të kishte ngujue në hapsanet e saj vetëm e vetëm se doje lirinë, e doje diturinë, pasi regjimi i Jugosllavisë ua privonte.

Rrodhën motet. Ishte maji i vitit 1999. Në lartësitë e Pashtrikut ishin përqendruar forcat çlirimtare të UÇK-së në njërën anë, ndërsa në anën tjetër ishte makina ushtarake e kasapit të Ballkanit, Millosheviçit.
Në atë situatë të rëndë për mbarë kombin tonë, unë isha gazetar dhe kam realizuar shumë dokumentarë dhe kronika drejtpërdrejt nga vija e frontit në Padesh, në Qafë Morinë, në Pashtrik, në Qafën e Mullarit, në Pogaj.
Befas, në në mesin e atyre luftëtarëve të lirisë dëgjova një zë të njohur. Iu afrova një luftëtri dhe e pashë me vëmendje.
– “Më fal, nga cila krahinë je?” – e pyeta.
Ai m’u përgjigj:
– “Nga krahina e Plavë-Gucisë, nga Hoti, i lagjes Mehaj”. “Jemi parë bashkë te Kershi i
Gjon Balës, kur ti ishe krejt i njomë. Të kujtohet ai djali i gjatë e biond që recitonte vjersha të Naim Frashërit, Asdrenit, Pashko Vasës sa herë i afroheshit kufirit te piramida B 25?”
E njoha menjëherë. Ishte Sadri Mehaj. Ai më përqafoi dhe, përmes emocioneve, më tha:
– “Më fal! Tani gjithçka po më vjen në kujtesë”.

Njëri nga drejtuesit e operacionit “Shigjeta” të Pashtrikut, Hysni Syla, më tha: “Ilir, Sadri Mehaj është bërë shembull frymëzimi, jo vetëm për luftëtarët e batalionit “Atlantiku”, por për të gjithë formacionet luftarake. Atje lart, te Maja e Mullarit, në luftim e sipër një shok i llogores iu plagos. Si vetëtima, nën breshërinë e plumbave, Sadriu i shkoi në ndihmë dhe e nxori nga fusha e zjarrit shokun e tij. Atij iu besua edhe arma më e mirë, snajper, pasi Sadria është edhe qitës i shkëlqyer”.

“Shembuj heroizmi dhe guximi në këto luftime treguan edhe Bajram Uka, Haxhi Balidemaj, Nexhat Imeri, Gani Nikçi”, – shprehet komandanti i batalionit “Atlantiku”, Uran Rexhepi. – “Një fakt që duhet të evidentosh është se formacionin e luftimeve të zhvilluara në operacionin “Shigjeta” në territorin e Hasit nga batalioni “Atlantiku”, 40 për qind e luftëtarëve ishin nga krahina e Plavës e Gucisë”.

Kam qenë shumë herë i pranishëm në pasqyrimin e luftimeve që bëheshin në kufirin shqiptaro-shqiptar, pra në Koshare, Qafë Morinë, Pashtrik, Pogaj, në periudhën korrik ’98 – qershor ’99 dhe kam transmetuar shumë dokumentar si “Në flakët e luftës”, “Brigada 138 Agim Ramadani”, “Zëri i tokës mëmë na thërret”, “Luftëtari i lirisë Mark Avdyli”, “Në Koshare” etj. Jam njohur me luftëtarë të ardhur nga të gjitha trevat shqiptare, por edhe nga Europa, Amerika dhe Australia e largët. Qëllimi ishte çlirimi i Kosovës martire nga makina ushtarake e Jugosllavisë së mbetur me Millosheviçin në krye. Kjo periudhë ka lënë mbresa të pashlyera në kujtesën e punën time si gazetar prej më shumë se tri dekada.

Por le të kthehemi te Sadri Mehaj, i cili është shquar e ka spikatur në luftime. Fati e solli që në përvjetorin e 5-të të batalionit “Atlantiku” në Nju York të Amerikës të realizoj një dokumentar për këtë formacion të UÇK-së.
Rruga “Arturo Avenue” e Bronxit është një nga qendrat e Nju Jorkut që me gjak shqiptar në të janë mbi 700 mijë. Aty ishte vendosur edhe qendra operative dhe koordinuese e vullnetarëve për t’u bashkuar me formacionin luftarak të UÇK-së në Kosovë.
Në morinë e shumë miqve dhe të njohurve u takova me birin e Hotit, djalin e dashur e mikun tim të vjetër, Sadri Mehaj. Biseduam gjerë e gjatë për ato ditë të lavdishme të pranverës së vitit ’99, për hyrjen triumfale të forcave të UÇK-së në Prishtinë, ku një vend të veçantë zinte batalioni “Atlantiku”; kujtuam edhe shumë episode të tjera, por me atë zërin bas të Sadriut dolën fjalët: “Kosovën e çliruam, por kemi edhe do punë të tjera për Shqiptarinë. Tokat shqiptare janë copëtuar në shekuj. Koha moderne këtë gjë e kërkon sot”.
Por, krejt në mënyrë të natyrshme biseda u përqendrua në Plavë e Guci. Unë thosha se: “Hoti është kreu i fiseve shqiptare në Veri, prandaj ulu edhe ti në krye të vendit”. Sadriu më përgjigjej: “Jam Hotjan, e dua vendin tim, Shqipninë Etnike”.
Shqiptarët që jetojnë në këto treva kanë histori të dhimbshme, sidomos në 150 vitet e fundit. Shumë prej tyre kanë humbur gjuhën shqipe, të tjerë janë larguar për në vise të tjera”.
Sadriu ka një kujtesë e kulturë të gjerë për historinë e ngjarjet që kanë ndodhur. Ai mban mend përmendësh këngë që kanë pasqyruar këto histori e ngjarje si:

Krejt Shqipnia fjalë ka çue
Nuk e la, tha, pa luftue.
Pa luftue, për pa u shkri,
Pa shkue gjaku deri n’zinxhi.
Mos me e lshue Plavë e Guci.

Tropoja, Malësia e Mirë, siç i pëlqen Sadrisë ta emërtojë, ka qenë bazë e fuqishme dhe aleate e vendosur edhe për shqiptarët e Plavës e të Gucisë. Përkrah Jakup Ferrit ishin edhe luftëtarët e Mic Sokolit me luftëtarë të tjerë të ardhur nga Malësia.

Qaj bimbashi mirë pëveti:
Ku i ke kullat Jakup Ferri.
N’at Kershllajë, n’at krye shehri
Me nizam i ka qitë rrethin,
Top e pushkë ja u ka lëshue …

E Sadria nuk ka të ndalur së treguari për këto vite tronditëse, por të lavdishme:
Përkrah tyre janë bijtë e Rugovës,
Zhuj Selmani me kapakli,
Flakë të kuqe e tim të zi.
Kah len dielli, kah merr hana
Zhuj Selman nuk ban ma nana.

“Eh, mor Ilir, na çove në ato vite sa të vështira aq edhe heroike. Ndigjo ç’ka po të them sot. Sa herë ka pasë trazira në Ballkan e Europë, fqinjët tanë shekullorë iu turrën tokave shqiptare e duke ba masakra të papara.

Po pëvet qaj Krajl i ri
Zo, çfarë kajlash kanë hi n’Guci,
Cernagorja me Serbi.
Brigadier kush rrin aty?
Avro Cemi faqezi,
Ka mbledhë Plavë, ka mbledhë Guci,
Ka mbledhë Vuthaj 200 shpi,
Martinoviqin 70 shpi.
I ka mbledhë i ka bashkue
Në nji kishë i ka ngujue.
A po doni fenë me ndrrue?
Apo te- tanë kini marue.
Hasan Bajri n’kam u çue.
Largohu shkja, gëjat je afrue.
500 vjet t’kena sundue
Asnjiherë n’xhami s’t’kem çue…

Për vuajtjet e hallet e krahinës së Plavës e të Gucisë duhen shumë net dimri, siç thonë pleqtë tanë, me i tregue.
Sot duhet me punue, me shkollue fëmijët tanë, duke mos harruar asnjëherë tokën e bekuar shqiptare, kudo që të ndodhemi në Europë, Australi apo Amerikë. Zani i tokës sonë, kur të na thërrasë ushtarë të saj, jemi ne”, – tha me plot bindje biri i Hotit dhe i gjithë Shqiptarisë, Sadri Mehaj.

Foto 1: Sadri Xhema Mehaj i Hotit të Vendit.

Foto 2: Sadri Mehaj në kohën e Luftës së Kosovës me Batalionin “Atlantiku” të Amerikës.

Foto 3: Sadri Xhema Mehaj i Hotit të Vendit me vllaznit e tij: Shaban Mehaj, Naser Mehaj e Nezir Mehaj.