E DRITË PASTË JETË E MOTE SHPIRTI E EMRI I PRENG LLESH DOÇIT TË LURËS!

-Fjalë përcjelljeje mortore për Preng Llesh Doçin e Lurës, më 7 shkurt 2017

Të nderuar pjesmarrës,
Sot, me pikëllim në zemër dhe me lotë në sy jemi këtu për t’i dhënë Lamtumirën e fundit një njeriu të mirë në çdo kohë, inxhinier Prengë Llesh Doçit.
Preng Llesh Doçi u lind 67 vjet më herët, më 5 dhjetor 1949, në Lurë. Shkollën fillore e kreu në vendlindjen e tij, kurse shtatëvjeçaren në shkollën “Demir Gashi” në Peshkopi, ndërsa të mesmen në Prrenjas të Librazhdit për gjeologji-miniera me rezultate të shkëlqyera. Pastaj, përfundoi Universitetin Shtetëror të Tiranës, Fakultetin e Gjeologjisë. Gjatë jetës së tij aktive e produktive punoi në ndërmarrjen gjeologjike të Tiranës – në sektorin e mineraleve të rralla, në Gjazuj të Mirditës e në vende të tjera, ku tregoi lartësisht e mirësisht aftësitë e tij shkencore, organizative, njerëzore.
Në vitet ’90 Prenga kaloi në aktivitetin privat, ku i ndjeu e rrezatoi efektet e arritjet e Lirisë e të Demokracisë, për të cilat luftoi me të gjithë shpirtin e dijenitë e tij, duke ngritur sëbashku me vëllezërit e tij kompaninë “Lura”, të njohur për mirë në botën e biznesit e kohën shqiptare. Emri i tij, kontributet e tij në firmën “Lura” ishin e mbeten të çmueshme, të pazëvendsueshme.
Preng Llesh Doçi ishte i lidhur me vendlindjen e tij, Lurë, e cila ishte dashuria, dhimbja, krenaria e përkushtimi i tij, të cilën donte ta bënte edhe më të mirë, më të bukur, më të lumtur, ndaj bashkë me vëllezërit e tij ndërtoi me konçesion tre hidrocentrale: “Lura 1, 2, 3”, të cilët janë vënë në punë. E dritë pastë jetë e mote shpirti e emri i Preng Llesh Doçit të Lurës!
Gjatë kohës së proçeseve demokratike në Shqipëri ishte ndër të parët, nga më të mirët, si kryetar i parë i Partisë Demokratike dhe kryetar i Sindikatave të Pavarura në Ndërmarrjen Gjeologjike të Tiranës, duke dhënë shembullin e tij si demokrat i vendosur, i palodhur, i përgaditur, me qëndrimet e veprimet e tij progresive për reformat e zhvillimet ekonomike të ditës e të perspektivës. Ai, gjatë gjithë jetës së vet, luftoi i motivuar e pandaluar për Liritë e të Drejtat e Njeriut, pasi ky ishte ideali e principi i tij.
Preng Llesh Doçi ishte një besimtar katolik i mirë, i ditur, i jashtëzakonshëm, i aftë e i hapur në debate edhe të nivelit të lartë me klerikë të njohur për Të Drejtat e Liritë Fetare të Njeriut, duke mbajt lidhje të veçanta shoqërore me gjithato dioqeza shqiptare dhe e kishte për simbol e mik të afërt At Zef Pllumbin, françeskanin e përjetshëm.
Padyshim, Prenga, duke ruajt e mbajt lart traditë e vlera të babës së tij, Llesh Doçit, e të familjes së tij të njohur të Doçit të Lurës, ai ishte njeri vlerësues e nderues edhe i fesë islame, duke pasë respekt të lartë të kultivuar për emrin e figurën e Sheh Muratit dhe Sheh Muharremin, të cilin e pati mik të afërt derisa ai ndrroi jetë në Lurën e shembullit të shquar kombëtar të bashkëjetesës fetare ndër shekuj.
Preng Llesh Doçi ishte i shquar jo vetëm në profesionin e tij dhe në bizneset e tij, por edhe si një studiues i madh, pasi gjatë gjithë jetës e pati mik të çmuar librin shkencor, historik, fetar e filozofik. Ai kishte njohuri të thella shkencore për historinë e lashtë e të re botërore e shqiptare. Ai ishte studjues i thelluar i Biblës e literaturës kishtare saqë përballej në debate edhe me më të njohurit e më të diturit, sidomos për Liritë Fetare dhe Njerëzore. Kur Prenga demonstronte njohuritë e tij fetare, filozofike e historike, kujtoje se ishe në një katedër universitare.
Libri qe miku më i mirë dhe gjatë gjithë jetës së tij nuk e hoqi nga dora.
Liria qe dashuria dhe pasuria më e madhe e tij; për Lirinë ishte gati të jepte jetën.
Prenga, që në fëmijëri e në vazhdimësi kishte studjuar me pasion të lartë e inteligjiencë të themeltë veprat e veprimtarinë e të madhit Gjergj Fishta, aqsa e dinte përmendësh kryeveprën “Lahuta e Malësisë” dhe veprat e tjera të tij , aq sa njëherë akademik Gjovalin Shkurtaj, profesor i letërsisë e i gjuhësisë shqiptare, duke çmuar lart njohuritë e tij fishtjane, e ftoi të jepte një leksion për Fishtën në auditorin e Universitetit Publik të Tiranës.
Preng Llesh Doçi ishte një familjar i mrekullueshëm, baba i dy djemëve: Ervinit e Davidit dhe i një vajze: Teutës, ishte bashkëshorti i të nderuares Leze Doçi. Ai, duke ecë në traditën e Derës së tij dhe të jetës së tij për arsimimin, iu dha shkollim fëmijëve të tij dhe, njëkohësisht, me fisnikërinë e tij u përkushtue shumanshmërit për fëmijët e të gjithë vëllezërve, e veçanërisht e në maksimum për fëmijët e vllait të tij, Gjetës, që mbetën jetimë në moshë të re. Gjatë gjithë kohës së vet, së bashku me vëllezërit e tij, u përkujdesën mirësisht edhe për djemtë e vajzat e Markut, axhës së tyre, për jetesë, për shkollim e kulturë dinjitare të tyre.
Preng Llesh Doçi i Lurës do të kujtohet gjithnjë e nga të gjithë edhe si njeri me shpirt të madh, human, fisnik, me përkushtime e dashamirësi për shokë, për vllazni, për bashkëpatriotët e tij, për shoqërinë e kohën tonë në të djeshmen, të sotmen e të nesërmen. Ai sot “u transferua” siç thoshte vetë për amëshimin, duke na lënë emrin e punën e tij të mirë, ai po ikën duke ardhur përherë në kujtesën tonë, në nderimin tonë, në vlerësimin tonë, si e thonë vargjet:

Dhe pas vdekjes Ti, o Prengë, do të kesh emër,
Të gjithë t’afërmit Ty të kanë në zemër…

Për të nderuar emrin, jetën e kujtimin e Tij, ju propozoj të mbajmë një minutë heshtje:
– I përjetshëm qoftë kujtimi i Tij!

Tiranë, 7 shkurt 2017

Përgaditi: Ing. Bardhok RAJTA i Lurës dhe e lexoi Osman VLADI i Lurës

Në foto 1: Preng Llesh Doçi i Lurës

Foto 2: Preng LLesh Doçi i Lurës me vllaznit e tij në perurimin e librit monografik për babën e tyre në një veprimtari solemne e festive në Kompleksin “Lura” në Gjinin e Lalzit në Durrës.

Foto 3: Preng LLesh Doçi i Lurës në vendlindjen e tij në Lurë të Dibrës.