BIJË E SHQIPES-ANTIGONA

Nga poetja Zyra AHMETAJ

Bijë e shqipes Antigonë,
bijë e truallit të lashtë,
Hije të ka flamuri në dorë
luftëtare-zemërzjarrtë!

Me dhimbje e ndave shkollën,
librat dhe ëndrrat rinore.
Në sup të njomë hodhe grykëhollën,
për liri të Kosovës arbërore.

Sokoleshë që fluturon
nga llogorja në llogore
bijë dragoi që flakë lëshon
mbi armiqtë-dorë mizore.

Na nderon femrat shqiptare
krah për krah me vëllezërit tanë;
në mbrojtje të trojeve amtare,
nëpër shekuj pa u ndarë.

Luaneshë përkrah luanëve,
përkrah trimit Ilaz Kodra;
e ndal vdekjen, mjekon plagët,
motërmira Antigona!

Dhe Gradica po qëndron,
madhështor, ballë lartë; krenar.
Antigona-bija jonë,
nder i gjithë kombit shqiptar!

Në Vërboc, prilli u ndal.
E përskuqët me gjak tokën
që të mbijnë zambakë të bardhë;
ranë shumë trima me Ilaz Kodrën.

Prindërit, vëllezër edhe motra,
nga dhimbja zemër copëtuar
u betuan motërvogla:
-Ëndrrën tënde për të vazhduar.

U përkulëm me nderim
para veprës tuaj, komb i tërë,
bashkë me miq lëshuam kushtrim
gjersa të çlirojmë Kosovën-nënë.

Ndizet flaka e flamurit,
përskuqur, pa ndarë me gjak
dhe Shqiponja në majë të gurit
shpalos krahët bashkë me bajrak.

Dhe bajraku prin në ballë,
Antigonë, u bëre nuse,
krushq të vijnë heronjtë me radhë,
nuse lirie; o lulkuqe!..

Dy pëllumba, qëndisur bukur
me ëndrrat-rreze prej vashe,
u dhe frymën tënde të fundit,
përjetësisht të fluturojnë në paqe.

Nuse-ëngjëll mbi këto troje,
vigjëlon prapë si shqiponjë.
Çamërinë e merr për dore;
në besë mbani Ilirinë tonë.

Yje drite të pashuar,
ju dëshmorët e lirisë,
qiellin tonë mbani ndriçuar;
të përjetshëm bij të Shqipërisë!

_________

Shënim:
Këtë poezi timen e thashë në aktivitetin e përkujtimit të rënjes së Dëshmorëve të Drenasit, më 30. prill si dhe gjatë promovimine librit të mikut tonë, Jajha Fida, të titulluar:”Jeton Gona në palë të Flamurit”.