Kërkohet rikthimi i Ermira Mehmetit në politikën e Maqedonisë

Shoqata e Gruas Shqiptare në Diasporë (SHGSHD) përmes një komunikate vlerëson se nevojitet rikthim të ish deputetes Ermira Mehmeti në politikë. Sipas kësaj shoqate, që nga largimi i ish deputetes Mehmeti, është dobësuar pozita e femrës shqiptare në skenën politike në Maqedoni.

“Tanii është e qartë se zonja Mehmeti ishte viktimë e një skenari mjaft intrigant për eliminim nga skena politike, i iniciuar para së gjithash nga rivalët brenda partisë së saj. Skenaristët arritën përkohësisht ta eliminojnë nga politika, mirëpo mendojmë se ajo duhet të rikthehet.

Që nga largimi i saj është dobësuar pesha e femrës shqiptare jo vetëm brenda subjektit që i takonte, por në politikbërjen shqiptare në përgjithësi në Maqedoni”, thuhet në komunikatën e SHGSHD-së.

Pas largimit nga politika, Ermira Mehemti ka hapur zyrë notariati në Shkup dhe deri tani nuk ka folur lidhur me mundësinë për ndonjë kthim politik.

“Është e drejtë e zonjës Mehmeti nëse do të vendosë të rikthehet dhe në cilin subjekt do të kthehet, mirëpo ajo përfundimisht i nevojitet skenës politike shqiptare, si politikane që i kishte dyert e hapura në kryeqendrat shqiptare Tiranë e Prishtinë, por edhe në kryeqendrat e vendimmarrjes ndërkombëtare.

Sado që pasardhësit e saj po mundohen ta kopjojnë mënyrën e politikbërjes së Ermira Mehmetit, nuk po ia dalin të arrijnë suksesin e saj, kurse këtë e kanë treguar edhe rezultatet zgjedhore në Shkup pas tërheqjes së Ermira Mehmetit nga skena politike”, thuhet në komunikatën e SHGSHD-së.