Kazma ka, kërkohen kazmologë

Nga Besmir Lushaj

Kurba e vendeve të reja të punës fluturoi sërish. Mijëra vende të tjera pune ishin hapur. Kishin kohë që ishin hapur, por na u dëftuan pikërisht sot, me 1 maj. Retorika qeveritare prej kohësh lançon slloganin se puna aty është, por profesionistët nuk gjënden. Llojet e punëve nuk ceken, vetëm mungesa e profesionistëve evokohet.
Pra, shteti ofron punë, por dembelët kundrojnë. Çfarë vakie e padëgjuar! Shteti ofron kazmën, kazmologët potenciale bëjnë sehir!
Sa më shumë fluturon kurba e punësimit, aq më shumë çimentohet ajo e shifrave të papunësisë. Papunësia tek të rinjtë kap shifra alarmante. Të diplomuarit kërkojnë punë në disiplinat respektive, por disiplina e kazmës ka të sanksionuar normativën: Kërkohen vetëm kazmologë! Madje, qeveria ofron dhe trajnime. Brenda një jave, kazma përvetësohet, mjafton vullneti dhe ambicia kazmologjike.
Çdo aspiratë përtej kazmologjike kalon në stazhet e utopisë.
Secili jurist, kontabilist, infermier, mësues, rend si i papunë, jo nga impotenca rekrutuese e tregut, por sepse secili është i padenjë për profesionin e tij për sa kohë që retorikën e bumit kazmologjik e trajton thjesht si propagandë.
Aradha e kazmologëve të diplomuar me potenciale dhe vullnet për t’i shërbyer vendit të tyre qëndron gjithnjë në pritjen e ankthshme të lehtësirave të kazmës qeveritare. Mbeten gjithnjë me shpresë se kazma ekzekutive do u lejojë të lërojnë disiplinat respektive me kazmat e tyre. Të paduruarit kazmologë me diploma nuk pritën zgjerimin e radhës të kurbës kazmore qeveritare, por rrokën kazmat e kazmologjive disiplinore në vende të tjera. Ata emigruan në masë. Të tjerë pritet ta bëjnë. Muajt që vijnë parashikohen përvëlues dhe një kazmë fantazmë mbi kazmën e mundit disavjeçar, çon drejt kataklizmës sizifiane të shpresës.
Meditja kazmore, m’u faneps teksa shihja një kazmë në versionin e Kalit të Trojës, ngulur sot në sheshin “Skënderbej”. Qindra kazmologë ngjiteshin në të, por askush nuk gjente kazmën e tij. Largoheshin të gjithë kokëulur. Të padenjë, qoftë dhe për një kazmë! As Akili nuk gjente kazmën e tij!
Gëzuar 1 majin!