RRËFIM EPIK PËR BAJRAKTARËT E SHIPSHANIT

Nga Dëfrim CANI

Publicist

Dëshira për t’i njohur e shkruar dicka për Bajraktarët e Shipshanit, një gen integral kombëtar, them integral në lidhje me të gjithë çështjet nëpër të cilët ka kaluar historia dhe mbijetesa e kësaj dere të Malësisë së Gjakovës, ka nisur herët. Në historinë njerëzore ka një lidhje të fortë me fondamentin e fatit të kullës me historinë. Kalojnë kohët, ndodhin luftëra, rrënime, shfarosje, beteja, genocide, etnocide, zhduken njerëz dhe breza, por themelet e kullës, epi, kënga, gurët, mendimi i qëndresës dhe ideja e qëndresës ka mbetur. Simbolet nuk zhduken kurrë.

Në një kohë, gati dy shekullore, Bajraktarët e Shipshanit kanë qenë një kapilar i nxehtë gjaku, i mbijetesës dhe i mishërimit të sakrificës për çështjet e shenjta të kombit, lirisë dhe pavarësisë në kuptimin më të plotë të fjalës.

Në gati dy shekuj Bajraktarët e Shipshanit të Tropojës, e “ushqyen” me sakrificë, me burrëri, drejtësi, me patriotizëm, me atdhetari, me bujari dhe shembullin më të mirë, jo vetëm historinë dhe emrin e mirë të bajrakut të tyre, por dhe të Malësisë së Gjakovës, Kosovës, Plavë-Gucisë…, një histori e mirë, e cila valorizon gjatë gjithë zhvillimeve historike në të gjithë Veriun e Shqipërisë, deri në Prizren e Shkodër, në Shkup e Tiranë…

Që nga viti 1830, Bajraku i Shipshanit, krahas bajrakëve të tjerë të Malësive të Veriut, si të Malësisë së Madhe,  Mirditës, Pukës, Dukagjinit, Malësisë së Gjakovës, Hasit, Lumës, Rrafshit të Dukagjinit, ka qenë një “seli” burrërie, drejtësie, patriotizmi, atdhetarie dhe shembulli të mrekullueshëm, siç kërkohej në “kodin” jetik dhe popullor të bajrakut. Që nga kjo kohë, baticat dhe zbaticat e kësaj treve dhe më gjerë kanë valorizuar ngjarje dhe data të caktuara të historisë shqiptare me një kompleksitet të çuditshëm. Pikërisht Bajraktarët e Shipshanit e morën bajrakun për t’iu përgjigjur kodit të kohës, si shtëpi e mirë, pa vese, me burrëri dhe mençuri…

Din Bajram Bajraktari, një nga të parët e kësaj Dere, i njohur për burrëri, trimëri, hijeshi, muhabet dhe shkathtësi, mori t’i prijë  bajrakut të kësaj treve, e cila për shkak të ngjarjeve të caktuara që e shoqëruan Malësinë e Gjakovës, Kosovën dhe gjithë Veriun, deri në Lumë e në Dibër, i la emër dhe shenja të pashlyeshme vetes.

Duke qenë një raport i rëndësishëm i organizimit shoqërorë, ashtu si njihen të gjithë bajrakët e Veriut, Bajraku i Shipshanit ka një identifikim të vazhdueshëm me ngjarjet historike, të cilat në gjysmën e dytë të viteve 1800, kanë qenë të shumta dhe të rëndësishme.

Bek Dini Bajraktari, në kohën e ngjarjes së madhe të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, më 1879, si një ndër përfaqësuesit e denjë të Malësisë së Gjakovës, hyri në bisedime me Teodor Milanin e Malit të Zi, në Qafë të Cakorit, bisedime që lidheshin me çështjen e trojeve shqiptare, të cilat janë rrezikuar nga sllavët përjetësisht. Mos-dakordësia me përfaqësuesin sllav, çoi në luftërat e Plavës e Gucisë. Në këto ngjarje luftarake u përfshinë prijës dhe luftëtarë të njohur popullorë si Bekë Din Bajraktari, Ali Ibra Neza, Halil Brahim Bajraktari, Qerim Binak Mulosmanaj, Mic Sokoli, Hoxhë Dollapi dhe treva e Gashit, Krasniqja, Nikaj-Mërturi, Dukagjini, Malësia e Madhe, Kosova, Luma dhe Shqipëria e Epër. Është një nga luftërat më të njohura, e cila ka zgjatur 40 ditë, ndërsa bajrakut të Shipshanit, i kishte rënë që të mbante Urën e Limit, në të cilën vepronin ushtarakisht forcat e elitës ushtarake të Krajl Nikollës.

Shtëpia e Bajraktarëve të Shipshanit (kulla), që nga 150 vjet më parë është ngritur në Kasaj, në anë të rrugës, nëpër të cilën shkohet për në Gjakovë dhe për në Pejë… Nga 150 vjet, në atë kullë kanë bujtë miq, luftëtarë, kulltarë, njerëz të gjithë shtresave, të cilët janë pritë, janë ulë në konakun e muhabetit nga Din Bajram Bajraktari dhe Bekë Din Bajraktari, të cilët njiheshin si njerëz të unitetit, harmonisë dhe marrëveshjeve mes njerëzve atdhetarë dhe patriotë.

Bajraku i Shipshanit, e ka evidentuar veten gjatë gjithë ngjarjeve historike që kur ai u njoh si i tillë. Një një nga luftërat e njohura të Malësisë, kryesisht ajo e Junikut, për të cilën u kërkua ndihmë dhe nga Brekovci, Koronica, Sherametaj, Morina e Kosharja, Bekë Din Bajraktari ngriti në këmbë bajrakun e fisin e tij të Shipshanit, i cili vuri në radhën e parë të birin e tij 35 vjeçar, Tahir Bek Bajraktarin.

“Beteja e Junikut” njihet dhe si “Beteja e Shipshanit”.

I pari i Shipshanit, Bekë Din Bajraktari, u plagos në këtë betejë. Tregojnë se dha shpirt në të kthyer për në Shipshan, dhe në krahët e të të birit, në Morinë, jep amanetin e fundit, fjalën e fundit: – Juniku asht’ tanë Shqipnia!

Të shkruara me gjak dhe sakrificë, në Veri dhe në Shipshan, janë ngjarjet e viteve 1912-’13, ku në skenë dalin emra të njohur të sakrificës dhe të karakterit kombëtar, si Bajram Curri, Isa Boletini, të cilët kanë qëndruar në Malësi të Gjakovës. Trupat barbare serbe kishin shkatërruar Lumën dhe kishin djegur Hasin, Bytyçin, Gashin dhe Krasniqen, ndërsa para Shipshanit ishin drejtuar 12.600 ushtarë, bashkë me 32 armë artilerie armike. Ishte gjendje terrori dhe lufte. Malësia është betuar për të mos u nënshtruar. Tahir Bekë Bajraktari, që drejtonte bajrakun e Shipshanit, bashkë me Bajram Sulejman Lushajn dhe Brahë Ali Nezën gjendeshin brenda kësaj situate të rëndë. Në këtë situatë terrori, populli u detyrua të largohet për të shpëtuar fëmijët dhe jetën. Një masë njerëzish shkuan drejt Qafës së Morinit, Qafës së Kolcit, Dukagjinit e Shkodrës, e që për fatin e keq, kufiri mes shqiptarëve qëndroi deri në vitin 1999, i cili qe dhe një kufi mes Shipshanit dhe pjesës tjetër të vëllezërve të familjeve, të cilat kishin pasë miqësira, marrëdhënie dhe vëllazëri mes njëri- tjetrit.

Tahir Bekë Bajraktari ka pasur Bajrakun e Shipshanit pas Bekë Din Bajraktarit. E mbajnë mend si një burrë të shëndetshëm, të mbushur, të bardhë dhe të hypur mbi kalë. Ishte një burrë i rreptë dhe mjaft mikpritës. Kishte lidhje miqësie me Vuthajt, një familje që sllavët e kanë sulmuar dhe përgjakur sistematikisht, brez pas brezi.

Tahir Bekë Bajraktarit vijoi traditën e të parëve, ai e mbajti të lidhur fort bajrakun me ngjarjet historike të vendit, duke marrë pjesë në kuvende të rëndësishme të viteve 1913 tek Verrat e Llukës, në Junik,… në Vlorë dhe gjatë gjithë qëndresës së njohur të kësaj kohe, ku luheshin fate të rëndësishme të vendit. Qe miku i Sulejman Batushës, Hasan Prishtinës dhe Bajram Currit… Bashkë me 80 burra të Malësisë provoi burgjet e rrepta të Austrisë, i cili, bashkë me burrat e Malsisë së Gjakovës u kthyen përsëri në Malësi.

Tahir Bek Bajraktari e mbajti Bajrakun deri në vitin 1936.

Në këtë kohë, e ngarkuar me ngjarje jo vetëm të karakterit kombëtar, por dhe ndërkombëtar, në skenën botërore ishte shfaqur nazi-fashizmi,

Bajrakun e Shipshanit e merr ta drejtojë Rrustem Tahir Bajraktari. Prijës i mbi dyqind shtëpive të Shipshanit nuk ishte e lehtë në këtë kohë, kur në vend ishin shfaqur lëvizje politike që i kundërviheshin njëra-tjetrës për çështje fondamentale të aktualitetit dhe të perspektivës.

Rrustem Tahir Bajraktari ishte i shkolluar në Internatin e Krumës, një shkollë e njohur për kohën, ku mësuan nxënës nga Veriu dhe Kosova.

Rrustem Tahir Bajraktari mori pjesë në luftërat e Plavë- Gucisë (1943), në krye të luftëtarëve, për mbrojtjen e kësaj treve historike nga pushtimi e aneksimi i Malit të Zi, i Jugosllavisë së Parë të Krajlëve.

Familja e bajraktarëve të Shipshanit kishte marrë emër në të gjithë vendin, falë një ekuilibri, aktiviteti kombëtarë dhe bashkëpunues për gjithë çështjet e tjera të komunitetit dhe më gjerë në Malësitë.

Është interesant një fakt i kohës: familja Bajraktari ka qenë e ftuar në dasmën e Mbretit të Shqiptarëve, Ahmet Zogu I, një ngjarje jo e zakontë për kohën. Sali dhe Xhevahire Tahiri, kanë qenë në këtë dasëm, ndër më të njohurat dhe më të rëndësishmet të kohës, në të cilën kishte një pjesëmarrje të madhe dhe me një kolorit kombëtarë të trevave të dëgjuara shqiptare nga Veriu deri në Jug. Mbreti i Shqiptarëve, Ahmet Zogu I, familjen e Bajraktarëve të Shipshanit e quante “krenari kombëtare”.

Sali Tahir Bajraktari ishte nxënës në njërën nga shkollat më të mira të kohës, në Tiranë, në shkollën teknike “Hari Fulc”. Vëlla e motër, dy yje të bukur të familjes Bajraktari dhe dy përfaqësues të Malësisë, shkëlqenin në këtë dasmë, veshur me kostumin kombëtarë të Malësisë së Gjakovës, kostum që Sali Tahir Bajraktari e mbajti gjatë gjithë kohës së studimeve në shkollën kryeqytetase në Tiranë. Biles tregojnë se çështja e rrobës kombëtare në shkollë e Sali Tahir Bajraktarit, ka shkuar deri në zyrën e ministrit të Arsimit të kohës, i cili e lejoi një veprim të tillë.

Sali Tahir Bajraktari pas studimeve në Hari Fulc u shkollua dhe në Itali (1942) dhe punoi në Veriun e Shqipërisë.

Historia po prekej nga një lloj revizionimi politik i dhimbshëm dhe i dhunshëm, siç do të ndodhë pas vitit 1945.

Sali Tahir Bajraktari isht nacionalist, urrente sllavët, prandaj që nga viti 1946, me instalimin e regjimit totalitarë fillon dhe armiqësia e shtetit me të. Ai e dinte mjaft mirë, se duke qenë nxënës i Fulcit, totalitarizmi do të sulej kundër këtyre njerëzve të shkolluar të kohës, e për më tepër, kur lufta ideologjike e partisë në pushtet, kishte referenë SHBA-të. Në vitin 1946, në rrethana të befasishme, Sali Tahir Bajraktari arrestohet. Pasi iu ikën forcave të sigurimit (ishte djalë i ri, i fuqishëm dhe i shkathët), ai arratiset dhe rikthehet në Shqipëri, por nuk e deshi dhe as e mbështeti sistemin totalitarë. Syri i Sigurimit të shtetit e gjurmonte nga pas, qoftë kur ishte në Tropojë, qoftë kur ishte në Itali në një kamp të arratisurish, qoftë kur kthen nga Italia në Shqipëri, pasi e dinte mirë se familja e tij ishte në gojën e ujkut. Ai e kuptonte fare mirë demagogjinë e shtetit ideologjik-totalitarë, kur dëgjonte propogandën politike kundër shoqërisë perëndimore dhe Perëndimit, por nuk mund të fliste mirë për Perëdimin në këto kushte, pasi familjen e kishte të internuar në Fier dhe Tepelenë, në kampet më famëkeqe të kohës. Tregojnë se në shtëpinë e tij, familja e ka ruajtur një mandolinë, të cilës i binte shumë bukur dhe që e kishte kujtim nga koha kur ishte nxënës i Fulcit, të cilën ia kishte dhuruar Perlat Rexhepi, një bashkëshok shkolle i tij.

Pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, mbijetesën e derës së njohur të Bajraktarëve të Shipshanit iu desh ta mbante Mustaf Sali Bajraktari. Diktatura në Shqipëri u “ndërtua” me idenë më të tmerrshme të dhunimit dhe të shkatërrimit barbarë të të gjithë trashëgimisë historike, qoftë përmes familjeve të mëdha dhe të pasura, qoftë bajraqeve, siç ishin në Veriun e vendit, familjeve me lidhje të sistemeve politike të kaluara. Pjesës më fondamentale të vendit i rá mallkimi i projektit politiko-ideologjik dhe praktikë së Sigurimit të Shtetit dhe Diktaturës së Proletariatit, për t’u degdisur, shkatërruar apo detyruar të lënë vendin.

Mustaf Sali Bajraktari është djali i Sali Bajraktarit. Në moshën 10 vjeçare Mustaf Sali Bajraktari, i lindur në vitin 1948, provoi internimin pa afat në Levan të Fierit. Ishte një djalë me intelekt të rrallë, i dhënë pas librave, tregimeve të moçme, pas muzikës dhe veçmas filozofisë. Kishte pasion udhëtimet në natyrë dhe pyje, ishte i dashuruar pas bjeshkëve, të cilat e mbushnin me krenari dhe i zgjonin motive këngësh dhe melodish. Dukej se natyra, geni familjarë dhe karakteri i tij ishin pleksur mjaft mirë tek Mustaf Sali Bajraktari, i cili mbahet mend si djalë i bukur, flokëzi, i matur dhe elegant në formimin e tij, për shkak dhe të leximeve që nga Gëte, Balzaku, Tolstoi e gjithë klasikëve, por fati i kohës, dhe për shkak të trashëgimisë, bëri që Mustaf Sali Bajraktari të ishte preha e dhunshme dhe barbare e sistemit diktatorial.

Lidhjet e forta që natyra ka krijuar me njerëzit, marrëdhëniet që historia ka krijuar me mbijetesën dhe dakordësitë sociale, djemtë dhe burrat e Malësisë së Gjakovës dhe Tropojës kanë një tipar të shquar mashkulloriteti. Ata janë të shëndetshëm, kurajoz para vështirësive, të paepur, sa që gjithmonë të kujtohet thelbi burrërorë dhe epik i Ciklit të Kreshnikëve. Mbijetesa e mrekullueshme e këngës kreshnike është e kondicionuar të ruhet pikërisht në këtë epizëm natyrorë, në psikologjinë dhe shpirtin triumfues të këtyre njerëzve. U përpoqa të ndërtoj një lloje sintetizmi, mes natyrës, njerëzve dhe psikologjisë së tyre për një arsye të thjeshtë; tropojasit janë të lidhur shumë me natyrën e vendit të tyre, po ashtu dhe me historinë e tyre.

Mustaf Sali Bajraktari duket se ka qenë pasqyrë e mrekullueshme e këtij realiteti. Këtë mishërim, gati hyjnorë, deri në psikologjinë e thellë të njerëzve e gjej tek e motra e tij, Bedrie Bajraktari, e cila përveçse e kujton dhe e përshkruan të vëllanë e saj me një lloj “sinkretizmi” poetik, duket se ajo ka një ndikim jashtëzakonisht të thellë lidhur me psikologjinë epike të trevës në përfytyrimin dhe një llj profetizmi, si ajo e përshkruan të vëllanë e saj, se ai ishte “…aq i ri, aq i mirë, donte me fluturue, me flatrat që donin me i dalë…”. Është një përcaktim idealisht poetik, pasi motra ka idenë e një dragoi për të vëllanë e saj, ajo thotë se ai donte me fluturue me flatrat që donin me i dalë. Një përfytyrim bjeshkërorë i motrës për vëllanë, afër psikologjisë dhe përfytyrimit legjendarë epi.

Mustaf Sali Bajraktari qe internuar në Fier. E ndiqte pas mallkimi i përgjimit nga Sigurimi i Shtetit. Ishte viti 1967. Në majin e këtij viti, ai vjen në Tropojë. Në familjen e tij, në Kasaj, kishte një trishtim të thellë. Nënën e kishte në spital, babai i tij ishte i internuar, ndërsa tre motrat e tij duhej të mbanin jetën dhe lidhjen e fortë me historinë në kullën e Bajrakut të Bajraktarëve të Shipshanit. Shteti i kohës, familjes Bajraktari ia kishte marrë gjithë pasurinë që kishte pasur historikisht. Ardhjen e vëllait në Kasaj te motrat e Mustaf Sali Bajraktarit, e mbajnë mend mjaft mirë. Ato tregojnë se ai ishte shumë i mërzitur. Është një mërzi, që në shpirtin e një djaloshi të ri, në rrethanat që gjendej ai, motrat, nëna, babai, e ardhmja kërkonte një shteg, një arsye, një sakrificë. Thellësisht ai kishte krijuar urrejtjen e pazhbëshme për sistemin diktatorial, i cili qe mishëruar në jetën dhe në familjen e tij, të cilin e shihte si burimin e gjithë fatkeqësive të familjes, atij dhe shumë të tjerëve si ai. Një gjimnazist i ditur, i lexuar, i talentuar si ai, e kuptonte fare mirë këtë. Mustaf Sali Bajraktari ishte një djalë inteligjent. Prirja për të studiuar filozofinë në gjuhë të huaj është një tendencë për të njohur shoqërinë njerëzore, marrëdhëniet dhe rrethanat socio-psikologjike.

Shpirti protestues i djaloshit Mustaf Sali Bajraktari kishte arritur kulmin. Në rastin e parë që iu krijua mundësia për të iu “vjedhur” syrit përgjues e vrastarë të Sigurimit të Shtetit, ai arratiset në Jugosllavi, por ai nuk mendonte, se shteti komunist (Sigurimi i Shtetit) kishte akoma një komunikim ”okult” me sllavët dhe të famshmen UDB-në, të Jugosllavisë (një nga institucionet e shërbimit më famëkeq të kohës), që sipas një marrëveshje mes tyre, të arratisurit nga Shqipëria duhej të ktheheshin në Shqipëri. Kështu ndodhi dhe me Mustaf Sali Bajraktarin.

Gjyqi për të dënuar Mustaf Sali Bajraktarin u propogandua shumë në Tropojë. Ai ishte një 17 vjeçarë, gati një fëmijë në këtë kohë, siç tregojnë bashkëkohësit e tij. I gjendur përballë një regjimi diktatorial, kontrasti mes tij dhe atyre, njerëzve të diktaturës, ishte i thellë dhe lëndues. Ka një detaj dhe moment interesant për ta kuptuar këtë. Tregohet se: ”Kur familja e Mustaf Sali Bajraktarit (në gjyq), i kërkon policit t’i jepnin një gotë ujë Mustafës, ai (polici) iu përgjigj: -Çfarë uji, ne do t’i japim plumb!” A kishte më tmerr për një nanë në këtë situate !?

Në gjyqin e Mustaf Sali Bajraktarit, nanë Xhevahirja kishte marrë dhe tre motrat e tij, Bedrien (13 vjeç), Makbulen (10 vjeç) dhe Bahrien (7 vjeç).

Ditën e gjyqit, Mustaf Sali Bajraktarin e “shetitën” të lidhur gati 6 km, nga qendra e qytetit të Tropojës e deri te “Kodrat e Mejdanit”, në një ditë aksioni. Ai u dënua 10 vite burg.

Në librin monografik, shkruar nga publicist i njohur Ndue Ukcama, titulluar “Bajraku i Lirisë”, ka një fakt interesant, kur flitet për dosjen e Mustaf  Sali Bajraktarit. Ai shkruan: ”Kur hapa ato dosje, m’u duk se po hap kapakun e një grumbulli gjarpërinjsh që kanë lidhë deri në grykë e po marrin shpirtin e një djali të ri me emrin Mustaf Sali Bajraktari. Këto katër (4) dosje, sjellin material rrënqethëse për egërsinë e njerëzve të diktaturës, operativëve të sigurimit, hetues, dëshmitarë të detyruar e gjykatës me shpirt të zi, e përballë tyre, qëndrimi i vendosur i një djaloshi fare të ri, në vitin e tretë të shkollës së mesme.”

Mustaf Sali Bajraktari ishte një djalë me karakter të fortë e të paepur. Odiseja e tmerrshme që ai kaloi nëpër hetuesitë e kohës është e tmerrshme, por karakteri i tij është i formuar para kohe si një kundërshtarë i vetëdijshëm i sistemit. Këtë ai e demonstroi praktikisht, në qelitë e errëta të policisë dhe burgjeve, si në Spaçin e famshëm, ku vdekja të përpinte ngadalë, por ai arrin të arratiset përmes një tuneli që hap vetë me një durim klasik për një kohë të gjatë, e që fatkeqësisht pas gati 12 ditësh kapet në pyjet e Pukës. Tregojnë se u spiunua nga një bari bagëtish në këto Bjeshkë.

Pas dënimit me 20 vite burg politik nga gjykata e Rrëshenit, Mustaf Sali Bajraktari e dinte mirë se po “udhëtonte” me shpejtësi drejt vdekjes, ai “shpaloset” burrërisht në burgun politik të Burrelit. Burgu i Burrelit ka qenë një “gijotinë”, ndër më mizoret të ndonjë vendi diktatorial. Përditësia e vdekjeve, tmerrit, dhunimit psikologjik, barbarisë, është e njohur për një kamp të tillë. Njëzetë vite burg për Mustaf Sali Bajraktarin, zogun e bjeshkës, shqiponjën e maleve, ishin një tmerr për karakterin e tij. Një trim i natyrës së tij nuk e pranonte këtë, ashtu siç nuk pranonte praktikën torturuese të sistemit mbi këta njerëz. Ai qe një djalë me trashëgimi krenarie dhe dinjiteti, kështu që më 10 maj 1976, ai ua përbuzi cenzorëve të tij zellin dhe barbarinë e ushtruar mbi të dhe të tjerët. Në një ditë tillë maji, ditë pranvere, me qiej të pastër, kur mund të fluturojnë nëpër hapësirë shqiponjat, ai vetëflijohet, si një hero. Bashkëkohësit e tij, tregojnë se Mustaf Sali Bajraktari ishte një djalë i mençur, i ditur dhe inteligjent. Ishte gati një profet, si ai e shihte zhvillimin e shoqërisë.

Aktin e tij nuk mund ta ndalonte askush, jo njerëzit e sistemit, por as dhe miqtë e tij në burgun e Burrelit. Mjafton të risjellim në vëmendje të këtij shkrimi analitik, jo monografik e biografik, një fragment të shënimeve të mbetura të Mustaf Sali Bajraktarit, para aktit të flijimit të tij: ”Mos kujtoni se vdes si njeri i dobët apo frikacak, por po vdes se nuk ju duroj dot ju, vdes si antikomunit. Poshtë komunizmi!”

Ai ishte i vetëdijshëm dhe realist për kohën, prandaj bashkëkohësit e tij, të cilët e njohën jetën e tij, rezistencën e tij, por dhe vdekjen e tij e kanë konsideruar një vepër martire. Jeta e një heroi të kësaj natyre është e nevojshme të shkruhet në të gjithë detajet e saj, pasi ajo përcjell një metaforë të rëndësishme universale për shoqërinë njerëzore, e cila ka nisur të shkruhet që nga kohët e lashta si ideali i lirisë. Ai e kapërceu kujtesën e familjes dhe njerëzve të tij. Mustaf Sali Bajraktari qe trashëgimi i rëndësishëm dhe ekzistencial i derës së Bajraktarëve, të cilët e trashëguan thelbin e tyre që nga vitet 1800 e deri sot, kur u identifikuan sit ë tillë.

Pas viteve “90-të, ku gjërat në kullën dhe Bajrakun e Shipshanit nuk janë si më parë, as kulla në Kasaj, as reliktet, as oda e muhabetit, as armët e burrave, rrënoja e tmerrshme e 50 vjetëve që goditi Bajraktarët e Shipshanit duhej mbushur. Djemë, nipër, mbesa, rrënja e tyre ”vrapoi” ta zërë kohën e humbur. Kishin humbur 50 vite kohë. Ata u shkolluan me sakrifica dhe stërmundim në kohën e diktaturës, kështu që në demokraci, këtë mundësi e benë një realitet të bukur. Si vazhdues të traditës dhe genit të derës së njohur, që ka prodhuar dije, mençuri, drejtësi, burrëri dhe trimëri, Bajraktarët e Shipshanit, kudo janë, mbeten të respektuar dhe qytetarë shembullorë, me vyrtyte të njerëzve qytetarë.

Shënimet për Bajraktarët e Shipshanit, në këtë rast, i dedikohen një opinion social, si një nevojë qytetare për të njohur të kaluarën, si një vlerë universale të lirisë njerëzore.

Tiranë, shkurt- mars 2018                          

Ftesa e Bashkisë së Tropojës për veprimtarinë solemne e festive të 26 majit 2016 për dhënien e emrit “Mustafë Bajraktari” sheshit kryesor në qendër të komunës së Tropojës (sot–njësi administrative). Mustaf Sali Bajraktari (25.10.1948-26.06.1976) mban dhe dekoratën “Martir i Demokracisë” (1994) dhënë nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, prof. dr. Sali Berisha dhe titullin e lartë “Qytetar Nderi” (2008) i komunës së Tropojës.

 

                                                                  Sali Tahir Bajraktari i Shipshanit

Në 100-Vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare Shqiptare, në një ceremoni solemne e festive në Pallatin e Kulturës “Dardania” të qytetit të Bajramcurrit, vlerësohet veprimtaria e kontributet e Tahir Bek Din Bajraktarit të Shipshanit me titullin “Qytetar Nderi” nga vendlindja e tij.

Martiri i Demokracisë Mustaf Sali Bajraktari në moshë shkollore, në kohën e rinisë së tij, të cilit gazetari e studiuesi Ndue Ukcama – Laurat i Cmimit të Republikës, i ka kushtimue librin monografik “Bajraku i Lirisë”; si dhe shkrimtari Bashkim Shehu një roman;  studiuesi e shkrimtari Hasan Muzli Selimi një artikull studimor; poeti Uran Kalakula – kujtime;  pedagog, av. Ali Aliaj një esse përkujtimore,  etj.

Dëfrim CANI – publicist, nga Dibra, me banim në Tiranë, autori i shkrimit për Bajrakun e Shipshanit