KËTU ASNJIHERË NUK FOLET PËR LIRINË, POR VETËM PËR BUKËN

Nga Sulejman DIDA – Poet, shkrimtar, gazetar – Kukës

Në vitin 2000, Kukësi kandidat për çmimin Nobel për Paqe

Lind pyetja: A e meritonim me të vërtetë dhe, a do na duhej Nobel-i?

Asnjë qytet në botë nuk asht ba ai që asht ba për shkak të çmimit Nobel. Qytetet janë ba të famshëm, të zhvilluem dhe të njoftun vetëm si rezultat i punës, gjenisë së komunitetit dhe drejtuesve me vizion.

Sa për meritimin them se asht spekullim sepse ne bamë detyrën tonë dhe për këtë nuk duem lëvdata, madje po ta banim pak ma mirë detyrën tonë, territoret shqiptare sot do të ishin bashkë.

Ne shfaqëm solidaritet, dhe po të vijë puna e shfaqim prapë. Bujaria asht relative dhe karakteristikë e të varfërve, asht pak a shumë prapambetje. Vilat ma luksoze i kanë muret rrethuese prej betoni dhe hekuri nga ma të frikshmet, e banesat e njerëzve varfër janë pa gardh.

Nuk e kishim luksin me qenë bujarë, siç asht tregue vitet e fundit, psh, Gjermania me shqiptarët dhe me të tjerë, apo jo. Ne po, ishim deri diku mirkuptues me shqiptarët e dëbuem sepse kemi fat të njejtë.

Ndërsa lidhun atë se, a do të na hynte në punë, ka shumë përgjigje. Një prej tyne mundet me qenë: Do ta kishim shitë, sepse do të ishte nji xhevahir në sofrën e shpueme prej kripës. Sepse po e shoh se këtu asnjiherë nuk folet për lirinë, por vetëm për bukën.