Receta e ditës/Spaghetti me fruta deti

Përbërësit për katër persona:

400 gr spaghetti

700 g fruta deti miks ( midhje, molusqe, karkaleca deti, kallamarë të vegjël)

6-7 lugë gjelle vaj ulliri

2 domate

3 thelpinj hudhre

1 spec djegës

pak kripë

pak piper

pak majdanoz të grirë

100 ml verë të bardhë

Përgatitja:

Në një tigan hedhim vaj ulliri, thelpinjtë e hudhrës dhe specin e djegës. I vendosim në zjarr dhe kur shohim që hudhra fillon të skuqet, shtojmë molusqet. Pas disa minutash në zjarr ata do të hapen komplet (nxjerrim jashtë tiganit molusqet e pahapura).

Hedhim verën e bardhë në to. Sapo të ketë avulluar alkooli, shtojmë midhjet e pastruara. Pasi janë hapur midhjet, shtojmë domaten e grirë hollë, i hedhim pak kripë e pak piper dhe i trazojmë.

Ndërkohë vendosim një tenxhere me ujë e kripë në zjarr dhe kur të marrë valë uji hedhim makaronat të ziejnë. Kur të shohim që salca në tigan po trashet, shtojmë kallamarët dhe karkalecat. Mbulojmë me kapak dhe e lemë të ziejë me zjarr të ngadaltë derisa makaronat të ziejnë.

Kullojmë makaronat dhe i bashkojmë me salcën e përgatitur. I përziejmë mirë dhe sipër i hedhim majdanoz të grirë.

Mbushim pjatat me makarona dhe i servirim të ngrohta me pak piper sipër, sipas dëshirës.