Rekord pas rekordi, Ronaldo është i vetmi që ka shënuar në 10 ndeshje radhazi të Ligës së Kampionëve

Cristiano Ronaldo vazhdon ta shkruajë emrin në librat historikë të Ligës së Kampionëve.

Superylli  Real Madridit realizoi dy gola në ndeshjen çerekfinale kundër Juventusit duke vazhduar ta ngrejë rekordin e tij golashënues.

Për më shumë, ai vazhdoi ta dëshmojë veten si lojtar kryesor kur është fjala për garën më të madhe evropiane për klube.

Ronaldo vazhdon të jetë golashënuesi më i mirë në histori të Ligës së Kampionëve dhe po ashtu është golashënuesi më i mirë për sezonin 2017/2018 (me 14 gola).

Me dy golat e shënuar, ai e ngriti në 39 numrin e përgjithshëm të golave të shënuara në të gjitha garat këtë edicion.

Portugezi i ka shënuar nënta gola kundër Juventusit në Ligën e Kampionëve, gjë të cilën nuk ka arritur asnjë lojtar kundër një ekipi të vetëm.

CR7 tani është lojtari i vetëm në histori i garës më të madhe evropiane, i cili ka shënuar gola në 10 paraqitje radhazi.

Reali po e kërkon trofeun e tretë radhazi të Ligës së Kampionëve, ndërsa Ronaldo do të shpresojë që ta ngrejë akoma më shumë rekordin golashënues dhe ta fitojë trofeun e pestë të Ligës së Kampionëve.